Thirrje gruas për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm

Ilustrim

Rreth 20 femra, shqiptare nga Kosova, sipas autoriteteve të rendit janë duke luftuar përkrah pjesëtarëve të grupit militant Shteti Islamik, në Siri dhe Irak.

Në një debat të mbajtur të enjten në Vushtrri të Kosovës, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, autoritetet e rendit thanë se çdo ditë në Kosovë punohet për pengimin e shkuarjes së shqiptarëve nga Kosova në vatrat e luftës në Lindje të Mesme.

Tema e debatit ishte “Roli i gruas në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm”.

Florim Shatrolli nga sektori për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Policinë e Kosovës tha se ato femra të cilat kanë shkuar në Siri e Irak, trajtohen si viktima, meqë supozohet “se i janë nënshtruar presionit për t’iu bashkuar atij grupi”.

“Janë rreth 20 femra që kanë qenë apo janë ende në luftën e Sirisë të përfshira. I trajtojmë si viktima. Mosha e tyre mesatare është 24 vjeçe. Gjendja ekonomike e tyre në shumicën e rasteve është e rëndë. Shkollimi i tyre - fatkeqësisht duhet ta pranojmë si shoqëri - në shumicën e rasteve ishte vetëm niveli fillor”, u shpreh Shatrolli.

Ai tha se Policia e Kosovës ka evidentuar disa raste, në të cilat bëjnë pjesë pjesëtarë të të dy gjinive, të cilët kanë tentuar të shkojnë në vatrat e luftës në Siri dhe Irak.

“Në bëjmë përpjekje çdo ditë t’i parandalojmë këto raste. Ne bëjmë përpjekje që ata persona që kanë shkuar dhe janë viktimizuar, janë keqpërdorur, janë keqinformuar lidhur me fenë, të kthehen dhe t’i kontribuojnë shoqërisë sonë”, tha Shatrolli.

Shatrolli ka kërkuar nga Këshillat e Bashkësive Islame në gjithë Kosovën që sidomos gjeneratave të reja t’ju shpjegohet qartë se cilat janë obligimet dhe rregullat e fesë.

“Bashkësia Islame dhe ne si shoqëri e kemi obligim t’ua shpjegojmë çdo të riu, çdo personi, pa marrë parasysh moshën, mbi pjesëmarrjen në luftëra të huaja. Duhet t’i shpjegohet një të riu çka saktësisht lejon feja për të kryer “xhihadin” që ata e proklamojnë”, tha ai.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Vushtrri, Shemsi Rrahimi, derisa ka thënë se roli i gruas në Kosovë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm është jetik, u shpreh se deri më tash në Kosovë nuk ka asnjë rast që në xhamitë e Kosovës të jetë ftuar ndokush për pjesëmarrje në luftërat në Lindje të Mesme.

“Nuk kemi imam që ka thënë ‘shkoni në Siri’, as që ka predikuar apo përgatitur dikë për të shkuar. Nese ka në Kosovë le të lajmërohet… kush janë ata, të na thonë ne dhe policisë. Nese një imam dyshohet për diçka nuk do të thotë se është fajtor, derisa gjyqi nuk e ka shpallur fajtor”, theksoi Rrahimi.

Afërdita Mikullovci, zëvendësdrejtoreshë e policisë rajonale në Mitrovicën e Jugut, pjesëmarrëse në debat, duke folur për shkuarjen e shqiptarëve nga Kosova në Siri dhe Irak tha se policia ka filluar e vetme të luftojë ekstremizmin, madje edhe në mungesë të përkrahjes nga ana e institucioneve të tjera.

Mikullovci ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe në veçanti gratë që të dëshmojnë rolin e fuqishëm që kanë në shoqëri, duke e ruajtur sa më shumë familjen nga dukuritë e dëmshme, siç është ekstremizmi i dhunshëm.

“Krejt çka duhet si shoqëri, po edhe si institucione, është që sjelljet të cilat i identifikojmë te fëmijët, vëllezërit, miqtë, shokët tanë- nëse nuk janë normale - t’i raportojmë. Dhe kemi ku t’i raportojmë”, tha Mikullovci.

Donika Emini, menaxhere e programit të Qendrës Kosovare të Studimeve të Sigurisë, tha se në bashkëpunim me zyrën e Bashkimit Evropian, janë duke zhvilluar një fushatë avokimi në çdo komunë, për vetëdijesimin e shoqërisë rreth asaj se çfarë një grua mund të bëjë në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në debat morrën pjesë edhe disa organizata të rinjsh, përfaqësuesit e të cilave kanë kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë me të rinjtë për të parandaluar përfshirjen e tyre në luftëra të huaja.

Deri më tash, rreth 150 – 200 pjesmarrës nga Kosova në luftëra të huaja, dyshohet të kenë shkuar në Siri dhe Irak. Nga këta, rreth 20 raportohet të jenë vrarë, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar një ligj, me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja.