Emërimi i anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike nga Qeveria e Kosovës, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, realizohet përmes pazareve politike ndërmjet partive politike në pushtet dhe jo kualifikimit apo kritereve të kërkuara në bazë ligjore.
Ndryshe, një ndër vendet e preferuara për punësim, vazhdojnë të mbesin këto pozita, pasi në çdo konkurs, numri i aplikueseve është jashtëzakonisht i madh.
Por, pavarësisht kualifikimit apo kritereve të kërkuara në konkurs, punësohet ai që preferohet nga ekzekutivi, apo kryetarët e komunave, varësisht se në cilin rajon gjendet ndërmarrja, thotë Lorik Bajrami, nga Organizata për Demokraci dhe Anti-Korrupsion “Çohu“.
Bajrami ndërkaq tregon se në bazë të një hulumtimi të kësaj organizate për vitin 2010-2014, rezulton se 249 zyrtarë të lartë publik, me prapavijë të qartë partiake, kanë qenë ose janë të punësuar në pozita të larta vendimmarrëse në institucionet publike.
Ndërkaq, 84 zyrtarë me fuqi vendimmarrëse janë të punësuar nëpër ndërmarrje publike (qendrore dhe komunale) të cilët kanë lidhje direkte me partitë politike.
“Bazuar në të dhënat e hulumtimeve është se punësimi në Kosovë është i pamundur në qoftë se nuk shkon përmes kanalit të partive politike. Ne kemi parë se nuk ka asnjë institucion të vetëm që nuk kanë dy ose tre në pozita vendimmarrëse kyçe, të cilët në të njëjtën kohë janë anëtarë aktivë të partive politike".
"Pra ky është problemi kryesor, kur kemi të bëjmë me fenomenin e kapjes së shtetit. Ky është një nga indikatorët më të fuqishëm që tregon se shteti në Kosovë është kapur nga partitë politike dhe e vetmja mënyrë e përparimit në karrierë shkon përmes partive politike”, tha Bajrami për Radion Evropa e Lirë.
Vendosja e personave partiakë në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike, sipas Lorik Bajramit, shërben si joshje apo shpërblim nga partia për anëtarët apo votuesit e saj.
Ky fenomen, thotë ai, ka ndikuar në përkeqësimin e përformances se ndërmarrjeve publike
“Punësimi në ndërmarrjet publike, i cili kalon përmes “ izës“ së partive politike, sjellë dëme shumë të mëdha. Në rend të parë, mekanizimin e llogaridhënies. Ne mund të marrim vetëm një rast, kompaninë më profitabile në Kosovë, Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK)" .
"Prej vitit 2007 e deri më tash, kjo kompani ka rënie të vazhdueshme edhe në të hyra edhe te numri i konsumatorëve. Absolutisht askush nuk ka dhënë përgjegjësi, pse PTK-ja është në këtë gjendje“, shprehet Bajrami.
Ndryshe, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka insistuar përmes partneritetit social që edhe punëmarrësit të kenë një përfaqësues në komisionet vendimmarrëse, por kjo nuk është pranuar, thotë Alush Sejdiu, nënkryetar i kësaj organizate.
Mospjesëmarrjën e anëtarëve të sindikatës në komisionin përzgjedhës, Sejdiu e konsideron si hapësirë për dyshime në emërimin e anëtarëve të bordeve në ndërmarrjet publike.
“BSPK-ja nuk ka qasje dhe nuk mund të paragjykojë asgjë. Por, vetë forma që nuk janë përfshirë të gjithë partnerët social në komisionet vendimmarrëse krijon hapësirë për dyshime".
"Por, mund të them se këto borde janë ngarkesë për buxhetin e shtetit dhe bordet e ndërmarrjeve publike e pengojnë afarizmin dhe veprimtarinë e kompanive. Janë dyfishim i pozicioneve," shprehet Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.
Sidoqoftë, pas një periudhe të gjatë kohore, Qeveria e Kosovës të mërkurën ka emëruar drejtorët në bordet e ndërmarrjeve publike, Postën e Kosovës, Aeroportin e Gjakovës dhe Hekurudhat e Kosovës – Infrakos.
Drejtorët zgjidhen nga Qeveria e Kosovës dhe shkojnë në miratim në Kuvendin e Kosovës.
Procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, sipas Ligjit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.