Ndërlidhjet

Biznesi i përkëdhelur nga politika


Ilustrim @Shutterstock
Ilustrim @Shutterstock

Edhe pse në Kosovë vazhdimisht thuhet se kushtet e të bërit biznes janë të vështira, pasi fitimet janë të ulëta dhe kamatat e kredive janë shumë të larta, megjithatë nuk mungojnë kompani private që llogaritet se kanë kapital prej disa milionash.

Por, ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se në Kosovë, të jesh i suksesshëm në biznes, duhet të jesh i lidhur me politikën.

Kjo sipas tyre dëshmohet me faktin se "disa biznesmenë që udhëheqin me kompani të mëdha, tashmë janë bërë pjesë e politikës, ndonëse ka edhe politikanë, të cilët janë bërë biznesmenë.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, për Radion Evropa e Lirë, thotë se bizneset e mëdha kanë mbështetje dhe lidhshmëri me strukturat politike dhe ato shtetërore.

"Këtu nuk është fjala për grupe apo biznese të panjohura, apo të izoluara, pasi Kosova është vend i vogël dhe nuk mund të veprojnë në mënyrë të fshehur. Pra, mbështeten në aspektin politik dhe vijnë në pozitat më të volitshme në treg se sa ndërmarrjet tjera. Madje unë mendoj se edhe ata i komprometojnë bizneset në kuptimin e dhënies së ryshfetit, ose marrjes së ndonjë përqindjeje të fitimit".

"Por, sido që të jetë, unë jam thellë i bindur dhe di raste konkrete që disa ndërmarrje të mëdha kanë mbështetje të plotë nga personat që janë në krye të institucioneve, që kanë forcën politike”, tha Limani.

Se bizneset në Kosovë e kanë vështirë të zhvillojnë afarizmin e tyre në Kosovë nëse nuk janë të lidhura me ndonjë parti politike që është në pushtet, thonë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Lorik Bajrami, nga Organizata për Demokraci dhe Anti Korrupsion “Çohu“, tregon se sipas hulumtimeve të kësaj organizate, shumica e kompanive që kanë marrë tender publik nga institucionet qendrore apo lokale janë financuese të partive politike.

“Të gjitha ato biznese, të cilat kanë fituar tenderë të mëdhenj, si në infrastrukturë, ndërtimin e shkollave të ndryshme ose tender për projekte kapitale, janë financuese të partive politike".

"Ky është një indikator që tregon se bizneset e kanë shumë të vështirë të fitojnë tender në mënyrë të pavarur, nëse nuk përkrahin ndonjë parti politike ose nuk përkrahin individë të fuqishëm brenda partive politike”, tha Bajrami.

Bajrami ndërkaq pohon se disa biznese u takojnë vetë zyrtarëve në institucione të larta qendrore dhe lokale, por që janë të regjistruara në emër të dikujt tjetër.

“Ka biznese të cilat vazhdojnë të marrin punë të mëdha publike, fitimi i të cilave shkon në xhep të politikanëve të ndryshëm, njerëzve të fuqishëm, mirëpo bizneset janë në emër të anëtarëve të tjerë të familjes, shokëve apo edhe 'baxhanakëve'. Kjo është e padiskutueshme“, tha Bajrami.

Sidoqoftë, kjo ndërlidhje ndërmjet biznesit dhe politikës sipas ekspertëve rezulton me mbijetesën e kompanive të caktuara, por edhe me ngufatjen e bizneseve tjera.

Këto favorizime që bën politika për biznese të caktuara dhe anasjelltas është një dëm i madh që i bëhet ekonomisë së përgjithshme të vendit, pasi krijohen kushte që bizneset e caktuara, të importojnë produktet pa përfunduar obligimet shtetërore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG