Në Kosovë operojnë shumë organizata joqeveritare, që merren me çështje të ndryshme, sidomos për të rinj. Misioni i këtyre organizatave thuhet se është përballja me sfidat serioze dhe udhëzimet e ndryshme në kërkim të diturisë.
Pavarësisht premtimeve edhe nga ana e institucioneve të Kosovës dhe organizatave të ndryshme joqeveritare, të rinjtë megjithatë ankohen se me problemet që kanë nuk dinë kujt t'i drejtohen.
Irina Musliu nga Prishtina, e cila studion në Fakultetin Juridik, kritikon institucionet dhe organizatat joqeveritare se nuk janë duke bërë siç thotë ajo asgjë për të rinjtë e Kosovës.
“Nuk merren fare me të rinjtë. Më shumë i shikojnë interesat e tyre. Këto organizatat që formohen, më shumë formohen për qëllime të veta se marrin një buxhet, të cilin e shfrytëzojnë për vete e jo për të rinjtë”, tha Musliu, duke shtuar se në rastet kur ata kanë ndonjë problem apo pakënaqësi, nuk u drejtohen atyre, pasi thotë se nuk iu besojnë.
Edhe Kreshnike Jashanica thekson se të rinjve në Kosovë u mungon përkrahja në shumë drejtime.
“Nuk ka përkrahje për të rinjtë”, tha Jashanica, studente.
Kryetarja e Kuvendit të të Rinjve të Kosovës, Deniza Limani tha për Radion Evropa e Lirë se rinia e Kosovës sot ka nevojë për përkrahje si asnjëherë më parë.
“Përkrahja e institucioneve për të rinjtë duhet të jetë edhe më e madhe. Kemi disa hapa, të cilët shihet se do të na ndihmojnë, por që ende asnjë nuk është realizuar, kështu që besoj që kah fillimi i shtatorit do të realizohen ato premtime”, u shpreh Limani, duke folur më shumë për zotimet e institucioneve në këtë drejtim.
Në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare nga Enti i Statistikave të Kosovës përbërjen mesatare të popullsisë e përbëjnë të rinjtë. Kosova njihet si vendi me popullsinë më të re, e cila njëkohësisht ka edhe një shkallë të lartë të papunësisë.
Limani konsideron se institucionet e Kosovës pikërisht për ketë arsye duhet ta kthejnë vëmendje kah rinia.
“Institucionet duhet të hulumtojnë për ato organizata që i japin fondet dhe ku i drejtojnë ato fonde, sepse edhe po keqpërdoren. Kemi dëgjuar shumë raste që janë keqpërdorur dhe në vend se t'i marrin ata që kanë nevojë po i japin për ata që i shfrytëzojnë vetëm për udhëtime dhe asgjë tjetër. Mendoj se institucionet duhet të kthehen pak kah rinia”, deklaroi Limani.
Valon Nushi, nga organizata Rrjeti i Edukatorëve [Peer Educators Network], se organizata e tyre mundohet që të bëjë më të mirën e mundshme për përkrahjen dhe fuqizimin e të rinjve.
Nushi konsideron se për të pasur me shumë sukses, organizata e të rinjve në Kosovë duhet të ketë më shumë fonde nga institucionet dhe mekanizmat e ndryshëm.
“Nevoja për fuqizimin e të rinjve dhe për t’i mbështetur ata në shumë fusha është shumë e madhe. Ne si organizatë që e bëjmë ketë punë në përditshmëri, nuk kemi kapacitet për ta mbështetur gjithë rininë e Kosovës. Mendoj se duhet edhe të tjerët të fuqizohen dhe të mobilizojnë të rinjtë”, tha Nushi.
Përfaqësuesit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, kanë përsëritur në vazhdimësi se do të përkrahë të rinjtë në vetëdijësim e avancim dhe, siç kanë thënë, përkrahja do të rritet edhe më tej në të ardhmen.
Në tregun e punës në Kosovë, sipas të dhënave të zyrtare, çdo vit hyjnë 25 deri në 30 mijë të rinj, të cilët konsiderohen të aftë për punë, derisa ky treg absorbon jo më shumë se 6 mijë persona.