Mbyllja e "Kosova A", lë të papunë 1500 punëtorë

Termocentrali "Kosova A"

Termocentrali “ Kosova A” duhet të mbyllet së funksionuari deri në vitin 2017.

Kështu ishte zotuar Qeveria e Kosovës në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, për zbatimin e standardeve të Bashkimit Evropian në emetimin e gazrave.

Por, së fundmi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, po përmend tri alternativa për këtë termocentral.

Alternativa e parë siç ka thënë kryeministri Mustafa është "mundësia e investimeve në ndërtimin e kapaciteteve zëvendësuese sepse do të ketë një boshllëk të energjisë elektrike deri në prodhimin e kapaciteteve të reja, kurse mundësitë tjera janë revitalizimi apo dekomisionimi, që nënkupton mbylljen e termocentralit dhe kthimin e hapësirës në gjendjen fillestare".

Por, zyrtarë të Korporatës Energjetike të Kosovës, tregojnë se termocentrali “Kosova A” mbulon 1/3 e tërë konsumit vendor dhe nëse eventualisht mbyllet së funksionuari në periudhën e caktuar, atëherë Kosova do të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Edmond Nullleshi, drejtor ekzekutiv për Shërbimet në Korporatën Energjetike të Kosovës, thotë se duke marrë parasysh këtë fakt, alternativa më e favorshme mbetet revitalizimi dhe rindërtimi i tij.

“Mbyllja e termocentralit paraqet boshllëk deri në 35 për qind në tërë energjinë elektrike që furnizohet nga prodhimi vendor. Në anën tjetër duke marrë parasysh obligimet që ka Kosova ndaj organizatave që merr pjesë, konkretisht në Traktatin e Athinës, në vitin 2017 dhe 2018 duhet të kryhen edhe disa investime madhore në termocentralin “Kosova B”, në mënyrë që ai termocentral të përmbush kërkesat mjedisore që janë obligative" .

"Gjatë këtyre dy viteve ky boshllëk do të shtohet edhe më tepër, sepse “Kosova B” nuk do të punojë me kapacitetin e paraparë”, tha Nulleshi.

Ndryshe një vit më parë në këtë termocentral pati ndodhur një shpërthim në Repartin e Elektrolizës, më ç’rast dy persona kanë humbur jetën dhe 14 të tjerë ishin plagosur.

Por, përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë se autoritetet kompetente duhet të përmbushin zotimin për mbylljen e këtij termocentrali.

Kushtrim Puka nga Forumi për Iniciativë Qytetare, organizatë kjo pjesë e konsorciumit, Kosovar të Shoqërisë për Energji, (KOSID), që janë marrë vazhdimisht me çështjet energjetike, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se qeveria ka premtuar mbylljen e tij, e në anën tjetër investimet janë të vazhdueshme që është në kundërshtim me premtimet e dhëna.

“Ky termocentral gjithsesi se duhet të mbyllet, për shkak se konsiderohet si një ndër termocentralet më të dëmshme në Evropë sa i përket lirimit të gazrave edhe pluhurit që lirohet nga djegia e qymyrit në këtë termocentral”, ka thënë Puka.

“Mbyllja dhe eliminimi i të gjitha pasojave që mund të ketë një objekt në ambient dhe komunitet në përgjithësi ; apo mbyllja dhe kthimi në gjendjen e natyrës siç ka qenë para se të ndërtohet”, tha Puka.

Përveç mungesës eventuale të energjisë elektrike nga mbyllja e këtij termocentrali deri në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” për të cilin ende nuk është bëtë zgjedhja e kompanisë fituese, shqetësues mbetet numri i punëtorëve që do të mbesin pa punë, e që llogaritet të jenë mbi 1500, thotë Nulleshi për Radion Evropa e Lirë.

“Me mbylljen e këtij termocentrali fati i tyre do të jetë i paqartë dhe ata do të mbesin të papunë. Për sa i përket zëvendësimit dhe transferimit diku tjetër, ndërtimi i Termocentralit “ Kosova e Re” pritet të bëhet nga një operator tjetër, kështu që KEK-u nuk ka autorizime që të ndërmarrë çfarë do lloji hapi apo vendimi të mundshëm në atë pjesë”, tha Nulleshi.

Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se çështja e termocentralit “Kosova A” do të rregullohet në harmoni me Strategjinë e Energjisë.