Marrëveshja në pako, peng i Asociacionit

Foto nga arkivi

Në dy raundet e fundit të bisedimeve në Bruksel, të nivelit të kryeministrave, pala e Kosovës dhe ajo e Serbisë kanë diskutuar për gjetjen e zgjidhjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për energjinë, telefoninë dhe lëvizjen e lirë.

Kjo e fundit, përfshinë edhe heqjen e barrikadës së ashtuquajtur “Parku i paqes” në urën kryesore mbi lumin Ibër, i cili ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës.

Edhe pse lidhur me këtë temë, sipas pjesëmarrësve në bisedime, qëndrimet janë përafruar mjaftueshëm, megjithatë marrëveshja nuk është nënshkruar për shkak se ajo është pjesë e temave, për të cilat marrëveshja do të nënshkruhet në pako.

Agim Bahtiri, kryetar i Komunës së Mitrovicës së jugut, i cili ka qenë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet në Bruksel, thotë për Radion Evropa e Lirë se në rast se arrihet marrëveshja për pakon e çështjeve të përmendura, atëherë në fillim të muajit tetor, i ashtuquajturi “Parku i paqes” do të hiqet nga ura mbi lumin Ibër dhe do të fillojë së zbatuari projekti i Bashkimit Evropian lidhur me këtë urë, i cili parasheh nga një rrethrrotullim, në të dyja anët e urës.

“Ura do të jetë e pastruar më 1 tetor. Do të thotë, parku i cili është vendosur aty, i ashtuquajtur ‘i paqes”, do të pastrohet, do të hiqet me buldozer. Pastaj, fillohet me revitalizimin e urës dhe kjo merr 6 muaj ditë, sipas planeve që i kemi parë ne”.

Sipas Bahtirit, për të gjitha temat në pako, pothuajse është arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por nënshkrimin e tyre e ka bërë të pamundur mosarritja e marrëveshjes për Asociacionin apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe, e cila është e ndërvarur me temat tjera.

Pas takimit të fundit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, Mustafa ka theksuar se “pala serbe ishte insistuese që Asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij lokal, kurse njerëzit që i kryejnë këto punë, të kenë cilësinë e punonjësve shtetërorë”.

Ai ka theksuar se Kosova nuk do të pranojë ndonjë zgjidhje për këtë Asociacion, “që do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh”.

Por, Ljubomir Mariq , ministër për Administrimin e Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, i cili vjen nga Lista Serbe, ka theksuar se serbët po shpresojnë për një takim sa më të shpejtë ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, në mënyrë që çështja e e Asociacionit ta merr një zgjidhje, sipas tij, të pranueshme për serbët.

“Derisa të zgjasin bisedimet në Bruksel dhe përderisa nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare është e vështirë dhe nuk do të ishte në rregull që të nxirren detajet lidhur me këtë çështje. Ne po shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje adekuate, që do të mundësonte që Bashkësia të formohet me atë kapacitet, siç është paraparë me marrëveshjen e Brukselit”, ka theksuar ministri Mariq.

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, duke folur për Radion Evropa e lirë, vlerëson se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është mjaft i rëndësishëm për serbët e Kosovës, por sipas tij Prishtina zyrtare ka frikë, siç e quan ai, të arsyeshme lidhur me këtë temë.

“Mendoj se zgjidhja për këtë është që me të njëjtin ligj, të kufizohen kompetencat dhe ato të reduktohen në minimum vetëm në ato çështje që janë shumë të rëndësishme për komunitetin serb që jeton në këtë hapësirë. Do të thotë, për çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet e kuadrove dhe financimi i institucioneve të caktuara, të rëndësishme për serbët”, tha Nojkiq.

Ai ka shtuar se zgjidhja në paket e çështjeve, do të ishte e mirë edhe për Prishtinën edhe për Beogradin.

Por, në qoftë se kjo nuk ndodhë, sipas tij, atëherë duhet biseduar dhe të arrihet marrëveshje veç e veç për temat, për të cilat ekzistoj pajtueshmëria dhe me këtë, të tregohet para bashkësisë ndërkombëtare vullneti i mirë për arritjen e zgjidhjeve.

“Por, në qoftë se, megjithatë edhe për çështjet që janë mjaft të rëndësishme, nuk gjendet zgjidhja apo nuk shkohet drejt zgjidhjeve, atëherë arrihet përshtypja se njëra ose pala tjetër apo të dyja palët, në të vërtetë edhe nuk dëshirojnë t’i zgjidhin çështjet kyçe”, theksoi Nojkiq.

Edhe pse zyrtarët e lartë e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, ditë më parë, kanë theksuar se janë të gatshme për një raund tjetër të bisedimeve në Bruksel, ende nuk dihet se kur do të ndodhë ky takim.

Të dyja palët kanë theksuar se caktimi i takimit të ardhëm është në duart e Bashkimit Evropian.