Irani dhe fuqitë kryesore botërore kanë arritur marrëveshje, e cila për një kohë të gjatë është dukur e paarritshme, për ndaljen e programit atomik iranian në këmbim për lehtësim të sanksioneve ndërkombëtare ekonomike, kanë thënë diplomatët perëndimorë dhe ata iranianë.
I ulur së bashku me sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry, dhe me diplomatët e tjerë të lartë, para shpalljes së pritur pas 18 ditëve të negociatave të ashpra e intensive në Vjenë të Austrisë, ministri i jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se “marrëveshja “historike” do të jetë “zgjidhje me fitore për të gjithë”.
“Besoj se ky është moment historik”, tha Mohammad Javad Zarif.
Po ashtu, ai ka theksuar:
“Ne po e arrijmë një marrëveshje që nuk është perfekte për askënd, por është ajo që ne mundëm ta bëjmë dhe kjo është një e arritur e rëndësishme për të gjithë ne”, tha ministri Zarif, dhe ka shtuar se “dita e sotme ka mundur të jetë fund i shpresës për këtë çështje, por tash ne po e fillojmë një kapitull të ri të shpresës”.
E ulur afër tij, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, tha se marrëveshja do ta “hapë një kapitull të ri”.
“Vendimi që po e marrim sot nuk është vetëm për programin bërthamor iranian, por është shumë më tepër se kjo. Është vendim se mund të hapim rrugë për kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe tregon se diplomacia, koordinimi, bashkëpunimi, mund t’i kapërcejnë dekadat e tensioneve dhe konfrontimeve”, tha Federica Mogherini, dhe ka shtuar:
“Mendoj se kjo është shenjë e shpresës për gjithë botën”, tha Mogherini.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se me marrëveshjen me Iranin, “ne e kemi ndalur përhapjen e armatimit bërthamor” në Lindjen e Mesme.
“Kjo marrëveshje nuk është ndërtuar në besim, por është ndërtuar në verifikime”, tha Obama, dhe ka shtuar se “ajo e ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti, Joe Biden, zoti Obama theksoi se “largimi nga kjo marrëveshje do të ishte papërgjegjësi”.
Obama tha se do të përdorte veto në çfarëdo legjislacioni në Shtetet e Bashkuara, që do ta parandalonte implementimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Pas bisedimeve gjatë natës, diplomatët thanë se është arritur marrëveshja formale ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore: Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë.
Për këtë marrëveshje janë zhvilluar negociata me vite të tëra me radhë për t’i ndalur aktivitetet iraniane, për të cilat perëndimi ka shqetësime se kanë për qëllim prodhimin e armatimit bërthamor.
Derisa ministrat e jashtëm dhe zonja Mogherini e mbanin takimin e tyre final në Vjenë, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, në rrjetin Twitter ka shkruar se “marrëveshja për Iranin tregon për punë konstruktive angazhuese” dhe ka shtuar se “me këtë krizë jo të domosdoshme të zgjidhur, paraqiten horizonte të reja me fokus në sfidat e përbashkëta”.
Ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius, i tha gazetës parisiene, Le Mond, se negociatat kanë arritur “një marrëveshje mjaft të fortë, së paku për periudhën e 10 viteve të para” dhe Franca do ta shikoj implementimin e saj në një frymë “konstruktive dhe me vendosmëri”.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Rusia do të luaj rol në implementimin e marrëveshjes.
“Rusia në mënyrë aktive do të marrë pjesë në hapat praktikë të implementimit të marrëveshjes. Kjo ka të bëjë me dy çështje të përfshira në dokumentet e marrëveshjes, që janë largimi i uraniumit të pasuruar me nivel të ulët nga Irani në Federatën Ruse, në këmbim për furnizime me uranium të papërpunuar. Kemi të bëjmë edhe me shndërrimin e tashmë ish-vendit të pasurimit në Ford, në kapacitet që do të prodhoj izotope stabile për qëllime mjekësore dhe industriale”, tha Sergei Lavrov.
Ai ka shpjeguar edhe detaje të tjera të marrëveshjes.
“Perëndimi, fillimisht pat kërkuaar, ka insistuar, që të mbahet embargoja e armatimit për 8 ose 10 vite. Në fund, kolegët iranianë dhe perëndimorë arritën konpromis, të cilin ne natyrisht, e kemi mbështetur, së bashku me kinezët, duke pasur parasysh se ishte i kënaqshëm për Iranin, për periudhën prej 5 vitesh".
"Pavarësisht nga kjo, në kursin e kësaj periudhe pesëvjeçare, furnizimi me armë për Iranin, do të jetë i mundshëm, nëse kalon nëpër procedurën përkatëse të paralajmërimit dhe verifikimit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Lavrov.
Marrëveshja për programin bërthamor iranian, është kundërshtuar fuqishëm nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Ky është një gabim i keq i përmasave historike”, tha Benjamin Netanyahu.