Shtetet e Bashkuara thonë se sanksionet ekonomike kundër Iranit do të tërhiqen në mënyrë graduale, nëse arrihet marrëveshja përfundimtare ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, para datës 30 qershor.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se Uashingtoni ishte i qartë me zyrtarët e Iranit, se sanksionet do të tërhiqeshin në faza të ndryshme, por nën marrëveshjen finale.
Sipas tij, për këto detaje, ende do të zhvillohen negociata.
Prej se më 2 prill është arritur marrëveshja kornizë, për kufizimin e programit kundërthënës bërthamor iranian, zyrtarët e Iranit kanë sugjeruar se Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, sanksionet kundër Iranit do t’i tërheqin plotësisht, pasi të jetë nënshkruar marrëveshja finale.
Zëdhënësi Josh Earnest, për çështjen e sanksioneve, ka shpjeguar:
“Deri në fund të qershorit, ne duhet ta shqyrtojmë këtë çështje, se si do të duket lehtësimi i sanksioneve. Iranianët po insistojnë se çfarëdo sanksionesh të tërhiqen në ditën e parë, por presidenti fuqishëm e ka mbrojtur atë që është në harmoni me komunitetin ndërkombëtar, se ajo që ne do të shohim është reduktim në faza i sanksioneve, për të qenë të sigurt se Irani vazhdon të bashkëpunoj me marrëveshjen”, tha Josh Earnest.
Ai ka theksuar se pozicion i Shteteve të Bashkuara “kurrë” nuk ka qenë që “të gjitha sanksionet kundër Iranit duhet të tërhiqen nga dita e parë”.
Presidenti amerikan, Barack Obama, duke u shprehur për një kërkesë izraelite ndaj Iranit, tha se njohja e Iranit për të drejtën e Izraelit për të ekzistuar, nuk do të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare bërthamore.
Gjatë një interviste për Radion Publike Kombëtare, zoti Obama theksoi se një kërkesë e tillë, e bërë nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, më 4 prill, është “realisht e ngjashme sikur të thoshim se ne nuk do të nënshkruajmë marrëveshje, derisa regjimi iranian të transformohet në mënyrë komplete”.
Obama është shprehur se Izraeli ka të drejtë të shqetësohet për programin bërthamor iranian, por ka theksuar se Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë që çfarëdo marrëveshje finale bërthamoree me Iranin, e mbanë “avantazhin cilësor ushtarak” të Izraelit. Sipas tij, për Uashingtonin, “mbrojtja e Izraelit është e palëkundur”.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vlerësuar se marrëveshja kornizë “është e keqe”.
Në këtë frymë ka folur edhe ministri izraelit i inteligjencës, Yuval Steinitz, duke thënë se nëse Irani “do të prodhoj armatim bërthamor, atëherë kjo paraqet kërcënim ekzistencial për Izraelin”.
Ai ka shpjeguar se negociatat e ardhshme për finalizimin e marrëveshjes me Iranin, zyrtarët e gjashtë fuqive botërore nga Britania, Franca, Gjermania, Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, duhet të insistojnë në ndaljen e plotë të kërkimeve dhe zhvillimit të centrifugave të reja, pastaj të zvogëlohet numri i centrifugave ekzistuese, dhe të mbyllet kapaciteti në Fordo, që përdoret për pasurim të uraniumit.
Ministri Steinitz ka kërkuar që Irani duhet të pajtohet që të lejoj kontrollin e programit të tij bërthamor “në çdo kohë dhe çdokund”.
Sipas tij, këto plotësime, do ta bënin marrëveshjen bërthamore “më tepër të arsyeshme”, meqë korniza aktuale, për “parametrat kryesorë” tregon se marrëveshja do të jetë “e rrezikshme, për Izraelin, për rajonin dhe për gjithë botën”.
Zoti Steinitz tha se Izraeli preferon zgjidhje diplomatike të kësaj çështjeje, por e rezervon të drejtën për të ndërmarrë aksion ushtarak kundër Iranit.
Pas marrëveshjes kornizë, të arritur më 2 prill, ka pasur debate për rolin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara në marrëveshjen bërthamore me Iranin.
Senatori demokrat, Chuck Schumer, tha se e mbështet propozimin e republikanëve, me të cilin i lejohet Kongresit që ta refuzoj marrëveshjen atomike me Iranin.
Në këtë debat është përfshirë edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
“Kongresi, në një pikë, duhet të votoj për tërheqjen e sanksioneve, që i ka miratuar. Kjo nuk është diçka që presidenti i Shteteve të Bashkuara mund ta bëjë në mënyrë të njëanshme. Por, çka është theksuar nga Kongresi në legjislacionin e tij, është autoriteti që presidenti i Shteteve të Bashkuara mund t’i relaksojë disa aspekte të sanksioneve në procesin e marrëveshjes diplomatike”, tha Josh Earnest.