Paralajmërimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave se kriza në Maqedoni mund të përshkallëzohet edhe në aspektin e sigurisë, nëse nuk ka zgjidhje të shpejtë të krizës politike, nuk janë komentuar nga drejtuesit e institucioneve, ndërsa njohësit e çështjeve politike nuk presin që vërejtet të merren parasysh nga pushteti, ashtu siç nuk janë marrë edhe në të kaluarën.
Në analizën me titull “Çmontimi i bombave”, ekspertët e Grupit Ndërkombëtar të Krizave i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojë presion më të fuqishëm për nxjerrjen e Maqedonisë nga kriza në të cilën ndodhet tani një kohë të gjatë, si pasojë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, por edhe incidentit të armatosur që pasoj në Kumanovë.
Sa i përket krizës politke, Grupi i Krizave kërkon formimin e qeverisë kalimtare, e cila do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme dhe do të organizonte zgjedhje të lira demokratike, hetimin e aferës së përgjimeve, zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shumë çështje tjera të nevojshme për stabilizimin e vendit.
Mersel Bilalli, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se raporte të tilla përmbajtësore dhe të qëndrueshme janë publikuar edhe më parë, por pushteti aktual jo vetëm që nuk i ka marrë parasysh, por është sjellur në mënyrë shpërfillëse ndaj tyre.
“Raporte të ngjashme kemi pasur çdo vjet qoftë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga GNK-ja apo edhe nga Komisioni Evropian, megjithatë kjo qeveri është treguar e shurdhër për atë që duhet të dëgjon dhe e vërbër për atë që duhet të sheh".
"Qëllimi i vetëm i saj është ruajtja e pushtetit me çdo kusht pa marrë parasysh çmimin. Kështu që nuk mund të pritni racionalitet nga sjelljet e tyre edhe sikur të ketë edhe presionin më të madh nga ndërkombëtarët“, thotë Bilalli duke shtuar se pushteti aktual mund të bie vetëm me presione më të fuqishme nga brenda, përfshirë protestat radikale të cilat siç thotë ai, janë legjitime për rrëzimin e një qeverie që ka humbur legjitimitetin.
“Në qoftë se mungon radikalizmi i brendshëm unë mendoj se shumë pak mund të bëhet. Mendoj se nevojiten masa të ndryshme organizative radikale për rrënimin e kësaj qeverie dhe mendoj se janë legjitime sepse ky pushtet ka humbur edhe legjitimitetin edhe kredibilitetin, nga vet fakti pasi ka shkelur kushtetutën dhe shumë ligje, ndërsa janë kriminalizuar edhe institucionet deri në fyt. Pra, është shumë legjitime që të rrënohet kjo qeveri“, thotë Bilalli.
Raporti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave ndalet edhe në ngjarjet e Kumanovës të para dy muajve që sipas tij janë reflektuar edhe në raportet ndëretnike.
Pikërisht për zbutjen e ndasive etnike dhe zvogëlimin e jostabilitetit, grupi rekomandon edhe masa që duhet të përmbushen nga drejtuesit e institucioneve të Maqedonisë dhe Kosovës.
Fillimisht kërkohet që dy shtetet të bëjnë një hetim të përbashkët për Kumanovën me ndihmën e ekspertëve të jashtëm, me qëllim që të përmirësohet siguria dhe që ngjarje të tilla të mos përsëriten.