Çështja e formimit të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, pritet të jetë një nga temat, për të cilat do të bisedohet në takimin e radhës, më 29 qershor në Bruksel, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pas takimit të 23 qershorit, të dy kryeministrat kanë theksuar se lidhur me çështjen e Asociacionit është arritur përparim gjatë bisedimeve, por ata nuk kanë dhënë ndonjë sqarim se në ç’masë është ai përparim.
Për më tepër, të dy kryeministrat kanë theksuar se janë marrë vesh që të mos ketë deklarata për medie lidhur me atë se në cilat pika është arritur pajtimi ose jo lidhur me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e ekzekutivit, ka theksuar se bisedimet do të vazhdojnë, por nuk ka ofruar detaje lidhur me këtë temë.
“Jemi marrë vesh që të vazhdojmë kësaj të hëne, për arsye se dialogu është lënë të vazhdohet për të njëjtat tema dhe të mos dalim publikisht dhe të themi se kush çka i tha kujt, sepse kjo nuk na ndihmon që ne të zhvillojmë një dialog konstruktiv”, ka deklaruar Mustafa .
Deklaratë të ngjashme, lidhur me çështjen e Asociacionit, pati dhënë edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë pas takimit të 23 qershorit.
“Disa çështje të rëndësishme kemi arritur t’i zgjidhim, por për këtë nuk mund të flas dhe marrëveshja është që për to të mos flasim në publik”, pati theksuar Vuçiq.
Megjithatë, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, në një intervistë dhënë medieve vendore, e cila është publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ka theksuar se në takimin e 23 qershorit “është arritur përparim i rëndësishëm edhe në çështjet e ndjeshme si ajo e formimit të Asociacionit të Komunave”.
“Mund të themi se e kemi çimentuar qëndrimin tonë se Asociacioni duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, me Ligjin për qeverisje lokale të Republikës së Kosovës, si dhe dokumentet tjera relevante evropiane për qeverisjen lokale”, ka theksuar zëvendëskryeministri Thaçi.
Në anën tjetër, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, i cili ka qenë i pranishëm së fundmi në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja për të mos diskutuar në publik lidhur me atë që është biseduar në Bruksel, është shkelur nga zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
“Kësaj marrëveshje i përmbahet vetëm kryeministri Vuçiq, ndërkaq që zoti Thaçi e ka shkelur këtë marrëveshje. Ai ka dalë në opinion me disa deklarata, për të cilat me përgjegjësi mund të them se nuk janë të sakta”, thotë Rakiq.
Ai shton se nuk mund të flasë për atë se për cilat çështje janë arritur përafrime të qëndrimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, lidhur me çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Por, sipas tij, pritjet e serbëve të Kosovës që ky asociacion të ketë edhe pushtet mbi disa segmente, janë reale.
“Unë pres që kjo Bashkësi të ketë pushtet konkret. Normalisht, ne nuk kërkojmë kompetenca që prekin diçka që nuk është ingerencë e një komune. Pra, kërkojmë kompetenca konkrete për sa i përket planifikimit hapësinor, arsimit, shëndetësisë. Do të thotë, bashkëpunimet lokale reciproke, të këtij lloji. Nuk kërkojmë asgjë më tepër dhe nuk po kërkojmë diçka të pamundur dhe të parealizueshme”, thekson Rakiq.
Në takimin e 29 qershorit, ndërmjet kryeministrave, Mustafa dhe Vuçiq, të ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pritet të vazhdojnë bisedimet për temat, për të cilat tashmë është diskutuar, siç janë: krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, energjia, telekomi, dhe liria e lëvizjes.
Kryeministri Mustafa, pati theksuar se, në takimin e 29 qershorit në Bruksel, do të bëhen përpjekje për përmbylljen e disa marrëveshjeve.