Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, shprehen optimistë për arritjen e një marrëveshjeje mes partive politike, pas bisedimeve të fundit që rezultuan me angazhimin e tyre për zbatimin e marrëveshjes së 2 qershorit për zgjidhjen e krizës politike.
Takimi i radhës është caktuar më 29 qershor dhe deri atëherë partitë duhet të finalizojnë tekstin e marrëveshjes, që kryesisht ka të bëjë me formën e qeverisë kalimtare deri në zgjedhjet e parakohshme, të parapara të mbahen deri në prill të vitit të ardhshëm.
“Fakti që nënshkruan një marrëveshje dhe pas asaj nënshkruan edhe një tjetër se do ta zbatojnë marrëveshjen, jep shpresë se zgjidhja mund të gjindet. Por, cila do të jetë zgjidhja? Mendoj se ajo do të jetë një kompromis që as njëra, e as tjetra palë të mos e ndjejë veten si fituese".
"Duket se do të jetë një zgjidhje e gjysmës së rrugës, qeveria nuk do të jetë teknike, por do të jetë një qeveri pa Gruevskin, e kështu me radhë“, thotë Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike, duke shtuar se faza e bisedimeve në vazhdim do të jetë detyruese, pasi edhe niveli i bisedimeve do të jetë i formatit shumë më të lartë.
Sipas tij, nuk përjashtohet kyçja edhe e shefes së diplomacisë evropiane, Federica Mogerini dhe e ndonjë zyrtari të lartë të diplomacisë amerikane.
Sipas njohësve të çështjeve politike, pikërisht raporti përplot me kritika nga grupi i ekspertëve të BE-së, nën udhëheqjen e gjermanit, Reinhard Priebe, në fakt ka lëvizur dialogun nga pika zero.
Bojan Mariçiq, nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian, thotë se bashkësia ndërkombëtare përmes këtij raporti e ka bërë të qartë se është në dijeni me të gjitha zhvillimet në Maqedoni dhe keqpërdorimet që janë bërë, gjë që dëshmohet edhe me pjesën ku flet për përgjegjësinë e Drejtorisë së Zbulimit dhe Kundërzbulimit, për atë që njihet si aferë e përgjimeve.
Në fakt, shërbimi sekret apostrofohet si institucioni që ka kryer përgjimet e paligjshme dhe që është vënë në shërbim të pushtetit aktual.
Raporti, thotë Mariçiq, paraqet instrument për agjendën e qeverisë kalimtare, e cila do të udhëheq vendin gjatë periudhës deri në zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen në prill.
“Raporti në fakt paraqet kornizën në bazë të së cilës duhet të punojë qeveria kalimtare që partitë të munden më lehtë të merren vesh për qeverinë kalimtare. Raporti është objektiv në vlerësimin e gjendjes në Maqedoni, por mund të jetë edhe më preciz në rekomandimet rreth bartjes së përgjegjësisë së partive në pushtet, pasi sjellja e tyre është parakusht për funksionimin e qeverisë kalimtare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike“, thotë Bojan Mariçiq.
Në bisedimet për zgjidhjen e krizës, po marrin pjesë edhe liderët e dy partive shqiptare, Ali Ahmeti i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Menduh Thaçi, i Partisë Demokratike Shqiptare.
Por, roli i tyre ka nxitur kritika të shumta, në veçanti pas publikimit të bisedave të përgjuara telefonike në të cilat, sipas liderit të LSDM-së Zoran Zaev, dhe analistëve, si Ahmeti, ashtu edhe Thaçi paraqiten në shërbim të politikave të Gruevskit.
“Partitë shqiptare çuditërisht u vendosën në shërbim të së keqes, u vunë në shërbim jo të VMRO-së, por të krimit të cilin e ushtroi partia e Gruevskit. “Bombat“ e Zaevit zbuluan faktin se opozitë shqiptare nuk ka pasur dhe çuditërisht opozita shqiptare ka qenë bashkëpunëtorja më e ngushtë e Gruevskit".
"Nga ana tjetër, koalicionimi i BDI-së doli në shesh se nuk ka qenë koalicion i partive, por i krimit, i një grupi të kriminalizuar me Gruevskin, apo me grupin e tij të kriminaluzuar, kështu që çdo gjë që ishte politike u harrua, nuk u ngritën asnjëherë për zgjidhje çështjen e pazgjidhura shqiptare“, deklaroi Alajdin Demiri.