Ndërlidhjet

BDI "e përfshirë në veprimtari kriminale"


Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), parti në Qeverinë e Maqedonisë, dhe zyrtarët e saj, përfshirë edhe kreun e partisë, Ali Ahmeti, janë të përfshirë në veprime të shumta kriminale, ka thënë lideri i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev, teksa ka publikuar biseda të shumta telefonike të përfaqësuesve të kësaj partie nga ajo që njihet si "aferë e përgjigjimeve".

Zaev ka publikuar biseda të përgjuara telefonike, të zhvilluara mes kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, me zëvendëskryeministrin, Musa Xhaferi, ministra dhe zyrtarë tjerë të partisë, për atë se si merren vesh për tenderë të ndryshëm, ndarjen e posteve dhe përfitime materiale.

Në bisedën në vazhdim, gjithnjë sipas Zaevit, kryetari të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe kryetari i degës partiake në Çair të Shkupit, Beqir Asani, merren vesh për çmimin e një parcele që do t'i shitej një afarist të interesuar.

(Biseda është transkriptuar në origjinal)

"A.A-Për një metër katror me mujt me ia qit 1 mijë mirë është, nëse s'mundeni...

B.A-Do të folmi na pak me to se ishte në Turqi, ai që ishte i interesum, dhe në qoftë se ja del mirë, nëse jo unë mendoj se nuk ja vlen me majt.

"A.A- Për 1 mijë hiç mos vet.

B.A- Ok, shef.

A.A- Futja.

B.A- U bë.

A.A- E shohim pastaj, kryesorja llogaria është e mirë.

B.A- Ia vlen.

A.A- Ia vlen, ia vlen

B.A- Nuk janë edhe pak.

A.A-Po mundesh t'ia hidhesh, hidhja.

B.A- U bë shef".

Kreu i opozitës, Zoran Zaev, ka thënë se nga bisedat telefonike dëshmohet qartë, sipas tij, “përfshirja e zyrtarëve të BDI-së në krime të renda“.

Ai ka publikuar edhe biseda ku dëgjohen kërcënime me likuidime dhe presione tjera mes përfaqësuesve të partisë.

“Përgjegjësia e tyre në gjithë atë që po ndodh në Maqedoni është më se e qartë. Arsyet për qëndrimin e BDI-së në pushtet edhe kur kanë qenë të nënçmuar, nuk kanë qenë interes i qytetarëve, por fuqia, interesi dhe paraja. Gjithë atë që e ka bërë Gruevski, krimin, korrupsionin, presionet dhe shkeljet e tjera të shumta, e ka bërë me dijen edhe të BDI-së“, ka deklaruar Zaev.

Një bisedë telefonike mes Ahmetit dhe kryemistrit Nikolla Gruevski flet edhe për ndërtimet pa leje, ku përfshihet edhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovksa, e cila sërish fyen shqiptarët duke i quajtur "indianë“ dhe me epitete tjera ofenduese.

Zaev ka thënë se nga bisedat dëshmohet qartë se “BDI-ja ka partizuar në skajshmëri Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe institucione tjera“.

Pretendimet e kreut të opozitës, përmes një komunikate, janë hedhur poshtë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Partia e Ahmetit vlerëson se pohimet për krime nga BDI-ja janë konstatime të Zaevit që nuk mund të vërtetohen në bisedat e publikuara.

“BDI mbetet në qëndrimin që të publikohen të gjitha materialet që opozita disponon për BDI-në, por kërkon që të mos të bëhen interpretime qëllimisht të gabuara për ta lajthitur opinionin. BDI, gjithashtu, mbetet në qëndrimin që të njëjtat të procesohen nëpër institucione sipas dëshirës së opozitës”, thuhet në kumtesën e BDI-së

Ndryshe, publikimi i bisedave telefonike të zyrtarëve të qeverisë aktuale ishte pezulluar nga ana e liderit të opozitës për gati dy javë, për shkak të negociatave për zgjidhjen e krizës politike, por pas dështimit të tyre, Zaev ka vendosur me prezantimin e dëshmive të reja, ndërkohë që paralajmëron edhe masa tjera kundër pushtetit aktual, nëse deri nga fundi i këtij muaji nuk arrihet zgjidhje për qeverinë kalimtare, e cila do të kishte mandat për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Nëse deri atëherë nuk arrijmë zgjidhje, ne do t'i vëmë në dispozicion të gjithë mekanizmat demokratikë, përfshirë protestat kundër regjimit aktual“, ka deklaruar Zaev.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG