S’ka vullnet për ligjin “anti-mafia"

Ilustrim

Përfaqësues të partive politike opozitare dhe të organizatave joqeveritare konsiderojnë se Kosovës i duhet sa më parë ligji që njihet si “anti-mafia”.

Ky ligj, siç thonë ata, do të rregullonte shumë çështje që kanë të bëjnë me fitimin e pasurisë në mënyrë të paligjshme dhe do të përshpejtonte procesin e sekuestrimit dhe konfiskimit të asaj pasurie të fituar në mënyrë jo të drejtë.

Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e Kosovës, nuk ka vullnet për procedimin e një ligji të tillë.

“Është evidente se pse qeveria, rrjedhimisht ministritë përkatëse nuk dëshirojnë që ta çojnë përpara ligjin anti-mafia. Për shkak se nëse procedohet një ligj anti-mafia, i bie të dalin kundër vetes dhe nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Njerëz të shumtë në ketë qeveri janë njerëz që vetë janë të përfshirë në aferat korruptive dhe rrjedhimisht nuk do të dalin kundër vetës”, tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu e cila i takon subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje, tha se janë tri çështje kryesore se pse nuk po konfiskohet pasuria e paligjshme dhe pse zyrtarët që kanë krijuar pasuri të paligjshme nuk po dënohen.

“E para ka të bëjë me mungesën e pakos ligjore anti-korrupsion. E dyta ka të bëjë më mungesën e vullnetit politik dhe e treta ka të bëjë me ndërhyrjet flagrante të ekzekutivit në sistemin e drejtësisë. Ju e dini që pako ligjore kundër korrupsionit si pikë e parë është e mangët", tha Haxhiu.

Subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës kishte propozuar një projekt-ligj {Shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajusfitikueshme} që fuqizon kompetencat e prokurorisë dhe që barrën e provës ta vendos te i dyshuari.

Aktualisht sipas deputetes Haxhiu, barra e provës bie mbi prokurorin dhe siç shprehet ajo, është tepër e vështirë që prokurori të sigurojë prova dhe fakte për një pasuri të paligjshme.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, konsideron se në vazhdimësi ka mungesë të vullnetit politik për të pasur legjislacion, i cili u përgjigjet nevojave dhe kërkesave për të luftuar korrupsioni dhe krimin e organizuar në Kosovë.

Musliu tha se Instituti i Kosovës për Drejtësi, por edhe organizata të tjera nga shoqëria civile, kanë kërkuar që të ketë ligj për luftimin e pasurisë së paligjshme dhe jo legjislacion, i cili krijon mundësi që të konfiskon pasuri vetëm atëherë kur vërtetohet se ka buruar nga krimi.

“Legjislacioni duhet të modifikohet dhe duhet të krijohet mundësi më e mirë për sistemin e drejtësisë që të ketë lehtësira në luftimin e pasurisë se paligjshme. Kjo do të duhej të bëhet në një ligj, i cili do të duhej të ishte ligj për konfiskimin e pasurisë në procedurë civile. Në ketë rast do të mundësohej që të luftohej pasuria e paligjshme, por që të mos lidhej gjithsesi me luftimin e individit, i cili e ka krijuar atë pasuri”, tha Musliu.

Musliu thekson se çdo ligj, i cili është në shërbim të parandalimit dhe luftimit të krimit të organizuar, është i mirëseardhur. Por, për nxjerrjen e ligjit që njihet si “anti-mafia” dhe të tjera ligje të ngjashme, nuk ka vullnet politik.

“Kjo është një sfidë për ta, sepse në momentin që krijohet ligji që mundëson luftimin e pasurive të paligjshme, atëherë me siguri se një pjesë e tyre do të mund të ishin edhe atak i këtij ligji, nëse ai do të zbatohej si duhej nga ana e zbatuesve të ligjit, që në ketë rast janë policia, prokuroria dhe gjyqësori”, deklaroi Musliu.

Zyrtarët e qeverisë se Kosovës, kanë deklaruar se pavarësisht që nuk ekziston ligji “anti-mafia”, është “Ligji për Zgjerimin e Kompetencave për Konfiskimin e Pasurisë së Fituar në Vepër Penale” që sipas tyre kryen funksionin e njëjtë.

Miratimi i një ligji “anti-mafia” është një nga kushtet e përcaktuara edhe në raportet e Komisionit Evropian.