Temperaturat e larta gjatë sezonit të verës, paraqesin rrezik për ndonjë epidemi, në rast të hedhjes së mbeturinave vend e pa vend, thonë inspektorë sanitarë, sipas të cilëve ngritja e vetëdijes së qytetarëve do të duhej të ishte në nivel më të lartë.
Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, thotë se përpos kompanive të pastrimit, edhe qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm se ku i hedhin mbeturinat.
“Çështja e menaxhimit të mbeturinave të përgjithshme është rrezik permanent i zhvillimit të insekteve, brejtësve e të tjerë. Andaj, nga mosmenaxhimi i mirë i mbeturinave, mund të ketë pasoja të përhapjes së epidemive të ndryshme që mund të rrezikojnë shëndetin publik apo banorëve që jetojnë në ato hapësira”.
“Ata që merren me menaxhimin e këtyre problemeve, pikë së pari janë të përcaktuara masat e veprimit siç është dezinfektimi hapësinor, deratizimi dhe dezinsektimi, me kusht që të bëhet parandalimi i sëmundjeve ngjitëse”, thotë Tërshnjaku.
Por, mbi 20 milionë euro qytetarët e Kosovës i kanë borxh kompanisë “Pastrimi”, kompani kjo e licencuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, qëbën largimin dhe grumbullimin e mbeturinave.
Arbnora Ademi, zëdhënëse në kompaninë “Pastrimi”, thotë se në qendër të kryeqytetit brenda 24 orëve, deri në tre herë bëhet grumbullimi i mbeturinave, për t’u transportuar në deponi.
“Kompania ‘Pastrimi’ mundohet që t’i mirëmbajë të gjitha rrugët e kryeqytetit, bën grumbullimin e mbeturinave dhe transportimin e mbeturinave në deponinë në Mirash. Shërbimi kryhet çdo ditë dhe në qendër ku ka frekuentim më shumë, mbeturinat largohen deri në tre herë brenda 24 orëve”.
“Sa i përket kontejnerëve, ka në disa nga ta dëmtime dhe disa janë të vjetër, por ne kemi rregulloren së bashku me Kuvendin Komunal dhe ne i largojmë mbeturinat me kohë”, bën të ditur Ademi.
Ndryshe organizatat që merren me mbrojtjen e mjedisit në Kosovë thonë se janë 361 deponi ilegale me mbeturina.
Në Kosovë, mbi 574 mijë tonë është sasia e mbeturinave komunale të grumbulluara për një vit. Rreth 317 kilogramë mbeturina është mesatarja e gjeneruar për kokë banori, apo vetëm në rajonin e Prishtinës, për një vitsasia e mbeturinave komunale ka arritur 1.4 kilogram në ditë për një banor.
Kështu thuhet në raportet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ku tregohet se në Kosovë grumbullimi i mbeturinave derë më derë ishte 69 për qind, ndërsa në banim kolektiv ka qenë 31 për qind.
Lidhur me këtë, ekspertë të ambientit konsiderojnë se sasia e mbeturinave për kokë banori në Kosovë është shumë e lartë.