Të rinjtë në Kosovë, konsiderojnë se ajri i ndotur, degradimi i lumenjve e fushave të gjelbëruara, janë vetëm disa nga faktorët që jetën në Kosovë e bëjnë jo të shëndetshme.
Të rinjtë thonë për Radion Evropa e Lirë se fajin për mos-ruajtjen e mjedisit e kanë qytetarët dhe vetë institucionet kompetente. Ata theksojnë se qytetarët nuk kontribuojnë sa duhet për ruajtjen e ambientit as aty ku jetojnë.
Learta Blakaj, studente në vitin e parë në Fakultetin e Mjekësisë, thotë se ka njerëz që kujdesen për ambientin, por, sipas saj, ka edhe të atillë që nuk kanë kujdes fare.
“Në përgjithësi, ka njerëz që janë të kujdesshëm, unë kam hasur në persona të tillë. Por, nuk janë të paktë as ata, të cilët janë plotësisht të pandërgjegjshëm dhe nuk i hedhin mbeturinat në vendet e caktuara, por zakonisht rrugës ose në vendet ku janë duke kaluar andej pari. Një pjesë e madhe e fajit për një ambient jo të pastër është edhe e qytetarëve, të cilët nuk janë të kujdesshme dhe u japin arsye të tjerëve që të ankohen për ta”, thotë Learta.
Mbrojtja e mjedisit është praktikë, në nivel individual, të organizatave ose të qeverisë, në dobi të mjedisit natyror, por edhe shoqërisë.
Yllzon Gashi nga Prishtina thotë se kudo në kryeqytet mund të hasësh në hedhurina që i bëjnë vetë qytetarët.
Ai konsideron se nevojitet një vetëdijesim dhe një kujdes më i madh nga kompanitë kompetente:
“Kam hasur në njerëz që gjuajnë në tokë gjëra të ndryshme, cigare, edhe biletën e autobusit, e plot gjëra të tjera. Unë mundohem sa më shumë ta ruaj ambientin. Por, ajo që vërehet është edhe mungesa ose janë të pakta shportat në qendër të Prishtinës dhe në periferi. Ato që janë, kryesisht janë të prishura”.
Edhe Vjosa Blakaj, e cila studion në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, mendon se po të kishte më shumë shporta dhe kontejnerë, qytetarët ndoshta do të ishin më të kujdesshëm për ambientin.
“Kur kam për të hedhur diçka, e lë në shporta të caktuara. Sjellje shumë e keqe për ata që i gjuajnë (mbeturinat) në tokë. Ka pasur raste kur kam pasur diçka për të gjuajtur dhe derisa kam shkuar te shporta e kam mbajtur në xhep dhe kjo më ka ndodhur shpesh. Mendoj se duhet të shtohet numri i shportave kudo”, tregon Vjosa.
Fitim Zmanaj, student i Arkitekturës, thotë se nuk pajtohet për ata njerëz që vend e pa vend hedhin mbeturina.
“Për veten time unë mundohem ta mbroj ambientin. Nuk pajtohem kur i shoh njerëzit që gjuajnë dhe mendoj se duhet të bëhet edhe më mirë si në Prishtinë, po ashtu dhe në vendet e tjera”, shprehet Zmanaj.
Ilir Qelaj, student në Universitetin e Prishtinës, i cili vjen nga komuna e Suharekës, thotë se për një ambient më të pasur duhet një vetëdijesim i përgjithshëm.
“Për një ambient më të pastër duhet të jemi të gjithë më aktivë. Hedhja e mbeturinave aty ku nuk duhet, s’është gjë e mirë, duhet të ruhet ambienti se është vend i yni. Shpresoj se njerëzit do të vetëdijesohen”, thekson Qelaj.
Kurse, Liridon Kosumi thotë:
“Ne sot po jetojmë një kohë që patjetër na duhet të merremi me ambientin. Në Kosovës të rinjtë po merren me gjëra të kota e realisht bërlloku na ka ardhur deri te hunda. Unë jam vetë ambientalist dhe jetoj në fshat dhe po të kishte ndonjë aksion për pastrim, me kënaqësi do të merrja pjesë”.
Hedhurinat, si kudo jashtë, duhen klasifikuar të paktën në dy grupe, në hedhurina për asgjësim dhe në hedhurina për riciklim ose ripërdorim, ku duhet të klasifikohen hedhurinat prej letre, kartoni, plastike e të tjera thonë qytetarët.
Ndotja e ambientit në Kosovë thuhet se i tejkalon normat e lejuara evropiane, ndërkohë që menaxhimi i mbeturinave është një ndër sfidat kryesore mjedisore në Kosovë.