Rikthehen protestat në Maqedoni

Protesta në Shkup

Rikthehen protestat në Maqedoni kundër qeverisë aktuale.

Nga lëvizja politike Besa, organizatore e protestës së të shtunës, thonë se pushteti aktual është fajtor për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi.

Kritika në veçanti drejtohen ndaj dy partive kryesore politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim në Qeveri dhe Partia Demokratike Shqiptare e opozitës, të cilat fajësohen, jo vetëm për moszgjidhjen e çështjeve të hapura të shqiptareve, por edhe për, siç thonë, “përkeqësimin e statusit të shqiptarëve në vend dhe rastet e montuara si “Monstra”, “Sopoti” dhe së fundi ai në Lagjen e Trimave në Kumanovë”.

Afrim Gashi nga lëvizja Besa thotë se dy partitë shqiptare janë peng i politikave të pushtetit aktual.

“Shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të jenë peng të disa figurave politike andaj mendoj se kjo protestë do të jetë zëri i shqiptarit të Maqedonisë. Konsideroj se BDI-ja dhe PDSH-ja për momentin nuk përfaqësojnë shqiptarët dhe interesat e tyre, por edhe për maqedonasit është ky një mesazh se nuk mund ta zgjidhin çështjen shqiptare duke hipotekuar disa figura politike”.

“Nëse dëshirohet që të zgjidhen problemet në Maqedoni, të ketë gjendje më stabile dhe afatgjate, është e nevojshme që maqedonasit ta kuptojnë saktë se cili është interesi i shqiptarëve dhe cilat janë kërkesat e tyre”, thotë Gashi duke paraqitur më pas kërkesat e protestuesve.

Kërkesa e parë është dorëheqja e Qeverisë VMRO-BDI, pastaj zbardhja e të gjitha rasteve të montuara siç është rasti Monstra, rasti Sopoti, Brodeci, por edhe rasti i fundit në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Kërkesa e tretë dhe shumë e rëndësishme është që të dëgjohet zëri i shqiptarëve se ata kërkojnë një sistem tjetër shtetëror, ridefinimin e Maqedonisë”, shpjegon Gashi.

Protesta e lëvizjes Besa dhe e dhjetëra organizatave joqeveritare që dolën në mbështetje të saj ka karakter një-etnik, edhe pse drejtuesit e saj bën thirrje që asaj t’i bashkëngjiten edhe pjesëtarë të bashkësive tjera etnike.

Nga lëvizja “Protestoj”, organizatore e protestave të ndryshme kundër pushtetit aktual thonë se partitë apo kushdo qoftë tjetër duhet të mbajnë llogari që protestat të mos i drejtohen vetëm një etniteti, por të kenë karakter shumetnik, pasi Maqedonia përballet me probleme të shumta që prekin të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

“Të gjithë jemi të goditur nga gjendja, në të cilën ndodhemi. Të drejtat themelore të qytetarëve janë shkelur andaj edhe mendoj se më mirë do të ishte që së bashku të luftojmë kundër kësaj gjendjeje dhe të mos dalim me kërkesa të ndara. Këtu nuk duhet të përfshihen vetëm se kërkesat etnike, pasi ka edhe shumë probleme tjera, si ato ekonomike, sociale e kështu me radhë”, thotë Jordan Shishovski nga lëvizja “Protestoj”.

Lidhur me krizën politike si pasojë e asaj që njihet si aferë e përgjimeve, janë mbajtur edhe protesta tjera. Ajo e opozitës u mbajt më 18 maj para qeverisë me pjesëmarrjen e bashkësive të ndryshme etnike, që shënoi njëherë edhe protestën e parë shumetnike në vend.

Një ditë më vonë, partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski organizoi para Kuvendit një kundër-protestë për siç u tha, mbrojtjen e demokracisë në Maqedoni.

Dy partitë politike që nga këto dy protesta kanë vendosur kampe, njëra para Qeverisë dhe tjetra para Kuvendit duke organizuar manifestime të ndryshme, njëra kundër Qeverisë dhe tjetra në mbrojtje të saj.