Ndërlidhjet

Bisedime të reja në Bruksel, për rikonfirmim qëndrimesh (?)


Foto nga takimi i liderëve me presidentin e Maqedonisë në muajin prill
Foto nga takimi i liderëve me presidentin e Maqedonisë në muajin prill

Liderët e katër partive kryesore politike të Maqedonisë, të mërkurën në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e krizës së thellë politike.

Tema kryesore e bisedimeve mes kryeministrit, Nikolla Gruevski, kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, atij të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi, do të jetë forma e qeverisjes së re deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentatre në prill të vitit të ardhshëm për të cilat u morën vesh takimin e para dhjetë ditëve në Shkup me ndërmjetësimin e komisionerit të BE-së për zgjerim dhe fqinjësi të, Johanes Hahn.

Partitë në bisedime shkojnë me qëndrimet tashmë të njohura, kryeministri Gruevski refuzon çdo propozim për qeveri kalimtare ndërsa opozita thotë se bisedimet do të konsiderohen të dështuara nëse arrihet marrëveshje për qeveri kalimtare pa kryeministrin Gruevski, i cili sipas saj ka humbur legjitimitetin për të qeverisur me vendin pas krimeve të zbardhura nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Duke komentuar pozicionet e tilla, njohësit e çështjeve politike nuk presin asnjë epilog nga takimi i nesërm.

“Do të jetë një takim në të cilën vetëm se do të rikonfirmohen pozicionet tashmë të qarta të subjekteve politike maqedonase të cilat e kanë në dorë zgjidhjen e krizës meqë partitë politike shqiptare siç duket do të jenë vetëm se dekor të këtij procesi".

"Ky rikonfirmim i pozicioneve vetëm se nënkupton se kryeministri Gruevski do të vazhdojë të insistojë që të jetë kryetar i qeverisë edhe në të ardhmen, qëndrim ky i cili shihet si i papranueshëm për opozitën maqedonase e cila do të pranonte çdo format të qeverisë së re, por pa kryeministrin, Nikolla Gruevski“, thotë Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë

Edhe Denko Malevski, ish diplomat dhe profesor në Universitetin e Shkupit nuk pret ndonjë epilog pozitiv. Ai thotë se kryeministri Gruevski duhet të pranojë të tërhiqet nga skena politike pasi çdo refuzim do të thellonte edhe më shumë krizën.

“Të gjithë do të dëshironim që të ketë një epilog pozitiv për dalje nga kriza, megjithatë qëndrimet radikale mes palëve, apo qëndrimet diametralisht të kundërta mes dy partive politike nuk lën shumë hapësirë për të besuar se mund të ketë zgjidhje të krizës".

"Opinioni më i gjerë pret që partia udhëheqëse të merr përgjegjesinë për situatën të cilën e ka krijuar, apo humbjen e besimit të qeverisë me vendin që në kushte normale do të nënkuptonte tërheqje nga politike apo nga pozitat udhëheqëse për t'i hapur rrugën një ekipi të ri për rimëkëmbjen e institucioneve dhe tërë sistemit demokratik në vend“, thotë Maleski duke shtuar se në rast se kryeministri Gruevski nuk heq dorë nga qëndrimet e deritanishme që ai dhe partia e tij të jenë drejtojnë qeverinë e re deri në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, zgjidhje të krizës nuk mund të ketë.

“Qeveria e re nuk do të kishte për detyrë vetëm organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, por edhe të rehabilitoj sistemin politik, atë që ka ndodhur me institucionet, si gjyqësinë, administratën, policinë e kështu me radhë. Pra gjithë ato elemente që kanë rrënuar procesin e votimit duhet të eliminohen gjatë periudhës kalimtare deri në zgjedhje. Këto punë nuk mund ti kryejnë ata që edhe i rrënuan, prandaj nevojitet një qeverisje krejtësisht e re. Mbetet të shihet nëse kjo do të ndodhë pasi do të jetë një betejë vërtetë e vështirë“, thotë Maleski.

Edhe Sefer Tahiri, njohës i çështjeve politike thotë se bëhet fjalë për një proces të vështirë që kërkon më shumë kohë ndërsa thekson nevojën e përfshirjes në bisedime edhe të administratës amerikane

“Zgjidhja duhet të pritet për një kohë më të gjatë sepse gjithçka do të varet nga presioni ndërkombëtar që do ti bëhet kryeministrit, Nikolla Gruevski, por edhe nga presioni që do t'i bëhet nga shoqëria dhe opinioni publik. Gjithashtu vlerësoj se pa përfshirjen e faktorit amerikan në këtë proces nuk do të ketë zgjidhje të mundshme të krizës politike“, thotë Tahiri.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG