Ndërlidhjet

Shkup: Takimi mes liderëve, përfundon pa zgjidhje


Pa epilog konkret ka përfunduar takimi i katër liderëve të partive më të mëdha në vend, Nikolla Gruevski, Zoran Zaev, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, i cili edhe kësaj radhe u bë me ndërmjetësimin e ambasadorit të SHBA-së në Shkup, Jess Baily dhe atë të Bashkimit Evropian Aivo Orav në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën politike në Maqedoni .

“Në takimin e sotëm kryesisht janë njoftuar liderët e partive shqiptare , Ali Ahmeti nga BDI dhe menduh Thaci nga PDSH, për bisedimet që ishin mes Gruevskit dhe Zaevit në Strazburg dhe aritëm ujdi që takimi i ardhshëm në këtë format të mbahet gjatë javës së ardhshme” ka deklaruar Ilija Dimovski nga VMRO DPMNE.

Ndërkaq, sipas Partisë Demokratike Shqiptare gjatë javës së ardhshme pritet që bisedimet të marrin në intensitet me atë që do të dërgonte tek një zgjidhje për të dalë Maqedonia nga kriza politike.

“Katë​r liderët u dakorduan që bisedimet të vazhdojnë​ nga fillimi i javës së ardhshme, ku pritet që këto bisedime të hyjnë në një fazë më thelbësore” ka deklaruar Luan Tresi nga Partia Demokratike Shqiptare.

Por, lideri i partisë maqedonase në opozitë Zoran Zaev, ka theksuar se bisedimet për të pasur sukse,s nevojiten veprime konkrete nga ana e të gjitha palëve.

“Nuk kemi hyrë në detaje dhe nuk mund të tregoj se a ka ndonjë përparim për shkak se negociatat ende nuk kanë filluar. Të mundura janë edhe zgjidhje të shpejta, por për këtë duhet dikush të ndërmarrë diçka, shpresoj ta befasojmë opinionin për të mirë” , ka deklaruar lideri partisë maqedonase në opozitë Zoran Zaev.

Stojan Andov kryetari i përbërjes së parë parlamentare, njëherësh deputet me më shumë mandate, konsideron se faktori ndërkombëtar, gjatë ofrimit të ndihmës për të zgjidhur kizën politike duhet të fillojë nga pozicioni se cilat ishin arsyet që kanë çuar në mungesën e dialogut politik në Maqedoni.

“Dialogu politik në Maqedoni është bllokuar si rrjedhojë e pushtetit absolut që ka shtrirë VMRO DOMNE e cila drejtohet nga kryeministri Nikolla Gruevski në të gjitha poret e shoqërisë dhe kjo e ka ngulfatur zhvillimin e demokracisë".

Ndryshe, kërkesa thelbësore që ka paraqitur lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev është dorëheqja e Qeverisë dhe ajo e vetë kryeministrit Nikolla Gruevski, kryeprokurorit Marko Zvërlevski dhe drejtorit të radiotelevizionit të Maqedonisë.

Zaev po ashtu kërkon formimin e një qeverie kalimtare me mandat për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Bashkimi Evropian në të gjitha raportet e saja, problemet që lidhen me Maqedoninë si shtet i ka ndarë në dy pjesë. Në njërën anë është problemi që ka Maqedonia me çështjen e emrit, dhe në anën tjetër janë problemet rreth demokratizimit të vendit, si sundimi i shtetit ligjor, problemet që lidhen me pavarësinë e mediave, partizimi i administratës dhe një grumbull probleme të tjera".

Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë, disa herë me radhë për mediat është shpehur se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje si dhe ka refuzuar propozimin e opozitës për formimin e një qeverie kalimtare, ngase siç ka theksuar Gruevski, mandatin ia ka besuar populli, ndërkohë që ka shprehur gatishmëri të bisedojë për të gjitha çështjet e tjera teknike, përfshirë këtu dhe vërejtjet të cilat i ka shtruar opozita për realizimin e proceseve të kaluara zgjedhore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG