Degradim i sistemit arsimor në Kosovë

Ilustrim

Sistemi arsimor në Kosovë është duke degraduar çdo ditë, deklaruan zyrtarë të partisë politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, departamenti për arsim.

Në një konferencë me gazetarë, ata thanë se “nuk mund të flitet për një sistem efektiv arsimor, pa garantimin e një sistemi unik, dhe gjithëpërfshirës në arsimin parauniversitar dhe pa sigurimin e mekanizmave efikas të monitorimit dhe vlerësimit”.

Udhëheqësi i departamentit për arsim në AAK, Jonuz Salihu, tha se deri më tani janë hartuar strategji të shumta për të gjitha nivelet e arsimit, por asgjë nuk po jetësohet në praktikë.

“Ne jemi dëshmitarë se për fat keq, sistemi arsimor po degradon çdo ditë. Tani këtë po e thotë edhe Qeveria e Kosovës dhe po e pranon”, tha Salihaj.

Sipas tij, “shkalla e analfabetizmit po rritet, fenomeni i braktisjes së shkollës ka marrë përmasa shqetësuese, cilësia e arsimit kurrë nuk ka qenë më e ultë”.

Jonuzaj u shpreh se si parti politike, do të angazhohen që të mos ndodhë degradimi i mëtejmë i sistemit arsimor në vend.

AAK-ja konsideron se duhet të formohet një forumi arsimor gjithëpërfshirës i institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare për të siguruar se Kosova do të marrë vendime të qëlluara politike afatgjate, për të garantuar një sistem arsimor efektiv.

AAK-ja ka sugjeruar që të ketë mekanizma efikasë për inspektimin e arsimit, si dhe krijimin e mekanizmave efikasë për aftësimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Haxhiu, nga AAK, njëherësh anëtare e Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kritikoi Ministrinë e Arsimit.

Ajo tha se asnjë ndryshim në sistemimi arsimor të Kosovës nuk vërehet me udhëheqjen e re në Ministrinë e Arsimit.

Edhe në këtë periudhe të këtij ministri, (Arsim Bajrami) nuk kemi raste konkrete, nuk kemi diçka të prekshme për ta vlerësuar të gjithë qytetarët se me të vërtetë ka filluar një kthesë e mbarë që vlerësohet dhe se do të ndryshojë dhe të kemi të arritura në cilësinë e arsimit. Kemi ngecje edhe në bërjen e ligjeve. Kemi ngecje sa i takon ministrisë që nuk i sjell ligjet me kohë”, tha Haxhiu.

Nga ana tjetër, në Ministrinë e Arsimit thanë se janë duke punuar për përmirësimin e nivelit të arsimit në gjithë Kosovën.

Këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Hysen Bytyçi, tha për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha elementet, të cilat i përmban Ligji për Arsimin parauniversitar, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me komunat, janë duke u zbatuar dhe zhvilluar.

Ai tha se MASHT-i është duke punuar që të avancohet sa më shumë cilësia në arsim.

“Cilësia nuk është në nivelin e kënaqshëm, prandaj në të gjitha segmentet e arsimit jemi duke punuar dhe duke fuqizuar të gjitha segmentet, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e kjo nënkupton edhe për arsimin parauniversitar. Nga pjesa e menaxhimit të cilësisë, normalisht është kompetencë e MASHT-it, mirëpo një pjesë e madhe e arsimit parauniversitar është edhe kompetencë e komunave”, deklaroi Bytyçi

Cilësia e arsimit në institucionet para-universitare në Kosovë është shumë e ulët, e madje vë në pikëpyetje vlerën e diplomës, kanë deklaruar disa herë ekspertë të kësaj fushe.

Ata konsiderojne se Kosova është në krizë sa i përket cilësisë së arsimit në vend.

Sipas ekspertëve ajo që ka degraduar këtë fushë, është politizimi i sistemit të arsimit duke filluar nga niveli fillor, e deri tek ai universitar.