Çmimi i i lartë i librit, largon lexuesit

Lexueshmëria e librit në Kosovë, nuk është në nivelin e kënaqshëm, ndonëse po shënon trend të ngritjes, thonë njohës të kësaj lëmie. Në tregun e literaturës, një ndikim të padiskutueshëm ka luajtur edhe interneti, nga i cili, libra të shumtë mund të shkarkohen dhe lexohen përmes ekranit.

Por, pa dyshim, çmimi i lartë i librave në Kosovë, është një ndër arsyet pse qytetarët nuk kanë mundësi t'i blejnë ato.

Mentor Hyseni, student i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës, mendon se çmimi më i ulët i librit do të ndikonte në rritjen e numrit të lexuesve.

''Po të ishin çmimet më të ulëta, do të ishte leximi më kualitativ dhe do të kishim blerë atë që dëshirojmë. Mendoj se sidomos për një student çmimi i librave është i shtrenjtë".

Pronarët e librarive në Prishtinë thonë se çmimet sillen nga 1 deri në qindra euro për një libër.

Florim Beqiri, shitës i librave, thotë se me gjithë interesimin e madh nga ana e qytetarëve për librat, shitja e tyre është e paktë, për shkak se, siç thotë ai, blerësit ankohen për çmime të larta të librave.

Sipas Beqirit, gjatë ditës ai zakonisht shet deri në 7 libra.

"Ka shumë kërkesa për libra, por duke e pasur parasysh gjendjen socio-ekonomike, njerëzit nuk blejnë aq. Zakonisht, çmimet e librave që janë të përdorur janë nga 50 centë deri në 2 euro, derisa botimet e reja nga 5 euro deri 20 euro e më lartë", thotë Beqiri.

Mimoza Kosumi, ekonomiste, viziton çdo vit panairin. Sivjet, Panairi i 17-të i Librit, hapet të martën në Prishtinë...

"Panairin e librit e vizitoj çdo vit dhe mendoj se ka libra dhe tituj të mjaftueshëm. Unë libra lexoj kur kam kohë të lirë, zakonisht në mbrëmje. Mendoj se çmimet janë të kapshme, por që librat elektronik ia kanë marrë hovin leximit të librave të shtypur".

Erina Rrahmani, autore e poezive për fëmijë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se leximi në Kosovë po shënon trend të rritjes.

"Mendoj se leximi i librave është një trend në rritje. Fatmirësisht ky panair do të na sjellë tituj të rinj të librave, ashtu siç ka sjellur gjithmonë. Çka vlen të vlerësohet në shumicën e panaireve, ka qenë pjesmarrja e shtëpive botuese nga Shqipëria, që lexuesve tanë u ofrojnë libra të përkthyer, ose libra nga literatura e huaj".

Ndryshe, në Kosovë, librat e letërsisë botërore nuk përkthehen; ato vijnë në versionin shqip nga Shqipëria.​ Për çmimin ndërkaq, zonja Rrahmani pohon se ai përcaktohet nga shpenzimet që botuesit ndërmarrin për daljen e një libri në treg...

"Çmimi i librit në Kosovë është konform shpenzimeve që kanë botuesit për to. Për të dalur në dritë një libër nevojitet një shtyp i mirë, një përgatitje e mirë teknike, redaktoriale dhe nuk mund të them se çmimi është shumë i lartë për ata që kanë vullnet për të blerë libra", thotë zonja Rrahmani.