Në tregun e literaturës, një ndikim të padiskutueshëm ka luajtur interneti, nga i cili, libra të shumtë mund të shkarkohen dhe lexohen përmes ekranit.
Në një debat të organizuar të mërkurën në Prishtinë me temën ‘’ Libri tradicional kundrejt librit elektronik”, u tha se bota po shkon drejtë digjitalizimit, pothuajse në çdo aspekt të jetës, andaj edhe shumë lexues po zgjedhin leximin përmes ekranit.
Albatros Rexhaj shkrimtar, jep mendimin e tij për Radion Evropa e Lirë, lidhur me ate se cili është dallimi mes leximit në ekran dhe librit të shtypur.
"Ajo çka mund të jetë problematike është rezistenca prej shtëpive botuese tradicionale pasi që në tregun digjital ata nuk mund të realizojnë të ardhura. Ne ende nuk jemi shoqëri që jemi integruar tërësisht në sistemin elektronik të pagesave, mbrojtjen e autorit. Por, mendoj që kur edhe ne arrijmë në pikën e integrimit në Bashkimin Evropian, mund të hapen dyert që libri elektronik në shqip të bëhet pjesë e barabartë e tregut, njejtë me librin tradicional".
"Leximi mendoj se është i njejtë, si lexove në mënyrë elektronike si libër të shtypur. Menoj se është më tepër mënyrë jetese", tha Rexhaj.
Derisa, Genc Salihu muzikant, thotë se në Kosovë nuk lexohet shumë. Ai përmend arsyet.
"Në Kosovë nuk ka shumë lexueshmëri. Arsyeja kryesore është që shoqëria kosovare është ende mrapa me edukim. Unë preferoj edhe librat fizik dhe ato elektronik. Të dyja i kanë veçoritë e veta. Unë jam prej atyre njerëzve që nuk besoj që ka konflikt mes librit të shtypur dhe elektronik".
"Mendoj që libri gjithkund në botë konsiderohet produkt luksoz. Unë mendoj se nuk është problem vetëm në Kosovë çmimi i lartë i librit".
Shkrimtari Nazmi Rrahmani, njëherit përfaqësues i shtëpisë botuese ‘’Faik Konica’’, ka deklaruar se është një fazë kur po ndodhin ndryshime të mëdha dhe serioze mes librit të shtypur dhe atij elektronik.
"Ky ndryshim sigurisht që ka pasoja për librin në një fazë të caktuar. Kjo që vërehet në mes relacionit dhe mundësisë së përdorimit të mjeteve të ndryshme elektronike, sigurisht që len pasoja, pasi që ajo që vjen e re sigurisht që është më atraktive dhe kureshtare dhe zgjon interesim më të madh".
Avdullah Zeneli, nga shtëpia botuese ‘’Buzuku’’, mendon se libri i shtypur do ta ketë gjithmonë vlerën e tij.
"Me shpikjen e aparatit fotografik, është thënë se piktura do të zhduket. Aparati fotografik do ta zëvenëdësojë pikturën. Por, përkundrazi, piktorëve iu bë një konkurrencë e fortë dhe piktura bëri revolucion. Konkurenca gjithmonë është e mirë. Edhe me librin do të ndodhë e njejta gjë".
Sidoqoftë, ende nuk dihet se sa ka ndikuar që libri i shtypur të jetë në pozitë më të ulët në krahasim me atë elektronik. Asnjëherë nuk është bërë ndonjë hulumtim lidhur me këtë çështje.