Blatter sërish në krye të FIFA-s

Sepp Blatter

Sepp Blatter është rizgjedhur president i Federatës Botërore të Futbollit, FIFA, pasi rivali i tij, princi i Jordanisë, Ali bin al-Hussein, është tërhequr pas rrethit të parë të votimeve në Cyrih.

Blatter, në rrethin e parë, nuk ka siguruar dy të tretat e votave të nevojshme, por princi Ali ka vendosur të mos e sfidojë tutje.

Njërit kandidat i janë dashur 140 vota për të fituar në rrethin e parë, por Blatter ka siguruar 133, ndërsa Princi Ali 73.

Votimi është zhvilluar pak ditë pasi shtatë zyrtarë të FIFA-s janë arrestuar në Cyrih, nën akuzat për korrupsion, të ngritura nga Shtetet e Bashkuara.

Prokurorët zviceranë kanë hapur po ashtu hetime për mitmarrje dhe shpëlarje parash, të cilat lidhen me ofertat për organizimin e Kupës së Botës më 2018 në Rusi dhe më 2022 në Katar.

Blatter, 79 vjeç, është përballur me thirrje për dorëheqje. Kryeministri i Britanisë, David Cameron, ka thënë të premten në Berlin se Blatter duhet të largohet “sa më parë, aq më mirë”.

Kreu i Federatës Evropiane të Futbollit, UEFA, Michel Platini, po ashtu i ka kërkuar Blatterit që të ikë.

Ndryshime në udhëheqjen e FIFA-s kanë kërkuar edhe sponsorët kryesorë të Federatës, si Adidas, Coca-Cola, Visa dhe McDonald’s.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ndërkaq, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për përzierje në punët e FIFA-s.

Duke komentuar skandalin për korrupsion, sfiduesi i Blatterit, princi Ali ka thënë se FIFA ka nevojë për një lidership që “pranon përgjegjësinë për veprimet e saj, nuk e kalon fajin te dikush tjetër dhe rikthen besimin te qindra miliona tifozë të futbollit në gjithë botën”.

Por, Blatter ka gëzuar mbështetjen e Azisë, dy Amerikave dhe Afrikës në zgjedhje, ndërsa princi Ali atë të Evropës.

Ky është mandati i pestë i Blatterit.

Para votimit, ai u ka thënë delegatëve se nuk duhet lejuar që reputacioni i futbollit dhe FIFA-s "të tërhiqet zvarrë nëpër baltë”.

"Ata që janë në shënjestër të hetimeve, që po kryhen nga autoritetet amerikane dhe ato zvicerane, nuk përbëjnë gjithë organizatën”, ka shtuar ai. (v.tela)