Ministri i Jashtëm i Francës dhe homologu i tij britanik kanë kritikuar ashpër Federatën Botërore të Futbollit (FIFA) dhe kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve për president, të parapara për të premten.
Laurent Fabius ka thënë se do të ishte e arsyeshme që pas arrestimit të zyrtarëve të FIFA-s, të mërkurën në Cyrih, të shtyhen edhe zgjedhjet midis presidentit aktual, Sepp Blatter, dhe sfiduesit të tij, Princit Ali të Jordanisë.
“Ka pasur akuza për korrupsion në këtë fushë për disa vite me radhë. Pasi zgjedhjet janë të caktuara për 29 maj, do të ishte e arsyeshme që të blihet pak kohë, të shihet se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo dhe pastaj autoritetet të mund të gjykojnë”, ka thënë Fabius.
Sekretari i jashtëm britanik, Philip Hammond, ka thënë se ka “diçka të keqe në zemër të FIFA-s” dhe se ajo duhet të reformohet, ndërsa kryeministri britanik, David Cameron, ka bërë thirrje për dorëheqjen e Blatterit.
Federata Evropiane e Futbollit UEFA ka kërkuar po ashtu shtyrjen e zgjedhjeve në FIFA.
Autoritetet zvicerane kanë arrestuar shtatë zyrtarë të FIFA-s nën akuzat për korrupsion, të ngritura nga Shtetet e Bashkuara.
Prokurorët zviceranë kanë hapur po ashtu hetime për mitmarrje dhe shpëlarje parash, të cilat lidhen me ofertat për organizimin e Kupës së Botër më 2018 në Rusi dhe më 2022 në Katar.
Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch ka thënë se presidenti i ardhshëm i FIFA-s duhet të sigurojë se vendet nikoqire do të veprojnë në përputhje me normat e të drejtave themelore të njeriut.
Sponsorët e FIFA-s, në mesin e tyre Adidas, Coca-Cola, McDonald’s dhe Visa, kanë kërkuar nga organizata që të reformohet, ose rrezikon të humbasë miliona dollarë nga marrëveshjet e sponsorizimit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për përzierje në punët e FIFA-s.
“Është një përpjekje e qartë për të vendosur juridiksionin e një vendi në vend tjetër. E di sigurt, nuk kam dyshim, se është përpjekje e qartë për të parandaluar rizgjedhjen e zotit Blatter president të FIFA-s. Kjo është një shkelje bruto e parimeve, në bazë të të cilave funksionojnë organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Putin.
Ai po ashtu ka tërhequr paralele midis arrestimeve në FIFA dhe ndjekjes penale të ish-kontraktorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare të SHBA-së, Edward Snowden.
Ministri rus i Sporteve, në anën tjetër, ka thënë se “nuk ka rrezik” për Rusinë që të humbasë të drejtën për organizimin e Kupës së Botës më 2018.