Kosova do të vazhdojë të përballet me furnizim jo stabil me energji elektrike deri në ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”, projekt ky i cili ende është në fazën e bisedimeve, vlerësojnë njohës të fushës së energjisë në Kosovë.
Ata tregojnë se ndërtimi i këtij termocentrali zgjatë me vite dhe sipas tyre, Kosova përafërsisht edhe shtatë vite nuk do të arrijë të shkarkohet nga problemi që ka me energji elektrike që nga pas lufta.
Njohësi i çështjeve të energjisë Palokë Berisha, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se autoritetet e Kosovës për të zbutur këtë gjendje të furnizimit jo stabil me energji elektrike, deri në ndërtimin e Termocentralit, duhet të marrin disa tjera.
“Qeveria e Kosovës duhet të ndërmerr hapa konkret që përmes agjencive të veta të lidh kontrata shumë vjeçare për të siguruar kapacitete të mjaftueshme për import të energjisë elektrike”.
“Mendojë që mund të jetë me një tender ndërkombëtarë apo më një negocim të drejtpërdrejtë me ndonjë shtet, që Kosova të blejë një paketë prej 7 vjetësh për furnizim me energji elektrike shtesë. Në këtë formë do të sigurojë energji të mjaftueshme dhe do të ketë një çmim më të volitshëm”, shprehet Berisha.
Ndryshe, pasiguria në furnizimin e energjisë vazhdon të jetë një nga kufizimet kyçe për zhvillimin e ekonomisë në Kosovë.
Në hulumtimet e shumta të bëra si nga organizatat vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare si problem kryesore në të bërit biznes ishte theksuar furnizimi jo stabil me energji elektrike dhe çmimet e larta të energjisë.
Hamdi Malushaj, drejtor menaxhues i kompanisë "Evroenergie", në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se Kosova ka zgjidhje për stabilizim me energji elektrike, dhe kjo sipas tij, është rindërtimi i Termocentralit Kosova A.
“Rindërtimi i Termocentralit Kosova A është hapi i parë i mundshëm dhe i vetmi,nuk ka zgjidhje tjetër. Ndërtimi i një termocentrali të ri është i mirë, por është minimum shtatë vite nuk vjen megavati i parë prej saj”, shton Malushaj
Sipas Malushaj edhe zhvillimi i energjive të ripërtërishme do t’i mundësonin Kosovës energji elektrike më stabile.
“Kosova ka potencial, ka energji të erës 324 megavat të matura profesionalisht, ka 146 megavat energji të ujit, ka po ashtu të diellit, mirëpo menaxhimi dhe politikaështë shkaktar i ngecjes së burimeve të ripërtërishme të energjisë elektrike në Kosovë”, shton Malushaj.
Sa i përket ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re, Komiteti Drejtues i këtij projekti ka bërë tanimë vlerësimin e ofertave teknike dhe financiare nga këshilltari i transaksionit dhe ai strategjik, dhe i ka dhënë dritën e gjelbër ofertuesit që të kalohet në fazën e bisedimeve të drejtpërdrejta.
Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është kompania ofertuese për ndërtimin e Termocentralit "Kosova e re”,
Vlera e përafërt e ndërtimit të Termocentralit Kosova e Re do të jetë rreth 1 miliard euro.