Gatishmëria e një pjese të qytetarëve të Kosovës për të migruar mbetet e lartë, pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli se atyre nuk do t'u njihet e drejta e azilit. Ky është një konkludim që ka nxjerrë një hulumtim i prezantuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike i titulluar, “Profili i migrantit kosovar: Cilët qytetarë janë më të prirë të migrojnë në vendet e BE-së”.
Shumica e individëve të gatshëm për të migruar u takojnë grupmoshave të reja. Në rast se detyrohen që të migrojnë nga gjendja e rëndë socio-ekonomike, ata si fajtor kryesor e shohin Qeverinë e Kosovës.
Mitrovica del si rajoni më i gatshëm për migrim potencial, duke u pasuar nga Prishtina. Kurse, si profil, u tha se ata janë kryesisht individë me të ardhura familjare të ulëta dhe me shkollim mesatar.
Delfinë Elshani, analiste e Grupit për Studime Juridike e Politike, ka prezantuar një pasqyrë të këtij hulumtimi, ku si rezultat del se shumë qytetarë, migrimin e shohin si zgjidhje të problemeve socio-ekonomike.
Mbështetur në përfundimet e dala nga anketimi i një mijë personave, ajo ka prezantuar edhe rezultatet të bazuara në rajone, gjini dhe moshë.
"Janë disa faktorë që ndikojnë në gatishmërinë e qytetarëve për të migruar. Një ndër ta është rajoni i Pejës, Gjakovës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit qytetarët e të cilave kanë gatishmëri më të ulët për të migruar sesa ata të Prishtinës. Kurse, sa i përket Mitrovicës, individët nga zonat rurale të këtij rajoni kanë gatishmëri më të lartë për të migruar sesa ata të Prishtinës”.
“Analiza tregon se meshkujt kanë gatishmëri më të lartë për migrim sesa femrat. Kurse, individët që u përkasin grupmoshave të reja nga 18 - 34 vjeç kanë gatishmëri më të lartë për të migruar sesa ata të moshave 35 - deri në 54 vjeç", ka thënë Elshani.
Ndërkohë, Arbëresha Loxha, po ashtu analiste e këtij Grupi, ka thënë se anketa nxjerr si konkludim edhe arsyet që qytetarët e Kosovës do të migronin. Ato janë, humbja e shpresës se situata socio-ekonomike dhe politike do të përmirësohet, kërkimi i një jetë më të mirë dhe jeta e rëndë ekonomike në familje.
Nga individët e anketuar, 37.2 për qind janë shprehur se janë të gatshëm për të migruar, ka theksuar ajo.
Ndërkaq, arsyet që do t'i shtynin këta persona të mos migronin janë, gjetja e një vendi të punës dhe krijimi i një perspektive më të mirë në vend.
"Nga 88 për qind e qytetarëve të anketuar, Qeveria e Kosovës është cilësuar si institucioni më përgjegjës për imigrimin eventual të tyre. Ndërsa, në anën tjetër, gjetja e një vendi të punës me një pagë mesatare, punësimi i anëtarëve tjerë të familjes, liberalizimi i vizave dhe mundësitë për punësim sezonal në vendet e Bashkimit Evropian, janë disa arsye që do të ndikonin te qytetarët e Kosovës për të mos migruar", ka bërë të ditur Loxha.
Marrë parasysh që problemet socio-ekonomike paraqiten si arsye kryesore për migrim, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ndër tjera, i sugjeron Qeverisë së Kosovës që të ketë një qasje pro-aktive në negocimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve për punësim sezonal të rinjve nga Kosova me vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Australinë.
Problemet me migrimet e paligjshme u aktualizuan shumë në Kosovë gjatë dhjetorit të vitit 2014, si dhe janarit e shkurtit të vitit 2015. Gjatë këtyre tre muajve, besohet se Kosovën e kanë lëshuar mijëra qytetarë, të cilët ende vazhdojnë të ballafaqohen me sfidat e azil kërkimit nëpër vendet e BE-së.
Ndërkaq, një numër i vogël i tyre tashmë është rikthyer në Kosovë.