Ndërlidhjet

Riatdhesimi mund të rris problemet sociale


Institucionet e Kosovës ende nuk e dinë se sa është numri i qytetarëve që kanë migruar ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, ata thonë se nga fillimi i këtij viti, që përfshihnë periudhën kohore janar- shkurt, janë ri-atdhesuar në Kosovë 1,571 persona.

Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka deklaruar para Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës, se kushtet e vështira socio-ekonomike dhe marrëveshja me Serbinë për lëvizje të lirë, ka ndikuar që qytetarët të migrojnë ilegalisht drejtë vendeve të Bashkimit Evropian.

“Arsyet janë kryesisht të natyrës ekonomike e sociale dhe këto arsye nuk do të rregullohen brenda natës. Nuk do të ndodhin mrekulli as brenda javës apo muajve. Këto janë arsye që duhet të adresohen dhe zgjidhen në afat të gjatë me programe të ndryshme të rimëkëmbjes ekonomike e të zhvillimit”, tha Hyseni.

Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane Ilir Deda, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka kritikuar ministrin Hyseni, duke i thënë se ministria edhe pas një vale kaq të madhe të migrimit ilegal të qytetarëve, nuk ka njohuri për numrin e personave që janë në vendet e BE-së.

Deda ka theksuar se pas një kthimit të atyre personave nga vendet e BE-së, Kosova do të përballet me një gjendje edhe me të rëndë socio-ekonomike.

“Bashkimi Evropian po paralajmëron kthim të shpejtë të njerëzve në Kosovë dhe me ligj ju nuk keni mundësi t'i ndihmoni financiarisht në riatdhesim, sepse fondi për riatdhesim bazohet në rregulloren 20/2013. Po shihet se ju nuk e dini shkakun pse njerëzit po shkojnë dhe doni të mirreni vetëm me pasoja e jo më shkakun”, tha Deda.

Edhe deputetja Vjosa Osmani nga LDK, ka shprehur shqetësimin se qytetarët të cilët kanë migruar ilegalisht, e siç tha disa nga ta kanë shitur gjithë pasurinë, në momentin e kthimit në Kosovë do të përballën me shumë vështirësi të mëdha ekonomike.

“Kjo do të paraqes potencialisht një problem shumë të madh social për Kosovën. Shumë nga ata do të kthehen shumë më të varfër se sa që kanë shkuar. Shumë nga ta kanë shitur pronën dhe tani nuk kanë ku të kthehen. Megjithatë, pavarësisht numrit mund të kemi probleme sociale me njerëzit që kthehen”, tha Osmani.

Lidhur me ketë çështje ministri Hyseni, u përgjigj duke thënë se do të kërkojë rishikimin e buxhetit në mënyrë që të ketë fond për të kthyerit.

“Do të kërkojmë fonde, për aq sa ka mundësi Republika e Kosovës të ndajë fonde”, tha Hyseni.

Në javën e kaluar ka arritur grupi i parë i personave të riatdhesuar, të cilët kanë migruar ilegalisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Shifra e personave të kthyer në javën e kaluar ka qenë rreth 100, të cilët kanë arritur nga Hungaria, Gjermania, Austria, Suedia e Finlanda.

Zyrtarët e Ministrisë së Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, i thanë të hënën Radios Evropa e Lirë se interesimi i qytetarëve për të migruar ilegalisht nga Hungaria drejt BE-së, ka rënë pothuajse në zero.

Se interesimi i qytetarëve të Kosovës që të migrojnë në mënyrë të paligjshme në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian ka rënë, thotë edhe drejtori i stacionit të autobusëve, Nol Dedaj.

“Stacioni i autobusëve është stabilizuar sa i takon linjave ndërkombëtare dhe atë Prishtinë - Beograd. Fluksi i udhëtarëve ka rënë dhe është i zakonshëm sikurse edhe para fillimit të madh”, tha Dedaj

Një numër i madh i azilkërkuesve nga Kosova ndodhet në disa vende të BE-së.

Shtete anëtare të BE-së, ditëve të fundit kanë tërhequr vërejtjen se qytetarëve të Kosovës nuk do t'u njihet e drejta e azilit.

Të ndërlidhura

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG