Përplasje e ashpër në Kuvend për Gjykatën Speciale

Rekomandime për Gjykatën Speciale

Rekomandimet e opozitës

1. Qeveria e Kosovës të marrë për obligim distancimin e çfarëdo veprimi tjetërsues të sovranitetit shtetëror, lidhur me proceset e krijimit të strukturave të reja shtetërore në përbërjen e aparatit shtetëror të Republikës së Kosovës.

2. Çdo përfshirje e Qeverisë së Kosovës lidhur me procesin e themelimit të strukturës gjyqësore të quajtur si “Gjykatë Speciale”, të bëhet me raportim dhe pëlqim paraprak të Kuvendit të Kosovës.

3. Presidentja dhe Qeveria e Kosovës të ndërpresin menjëherë procesin e nisur përkitazi me këtë çështje. Kjo për shkak të moslajmërimit dhe mospëlqimit paraprak të Kuvendit të Kosovës.

4. Kuvendi i Kosovës të marrë iniciativën e themelimit të kornizës ligjore për krijimin e strukturës gjyqësore vendore të Kosovës për gjykimin e krimeve të luftës, që do të jetë nën sovranitetin e plotë të Republikës së Kosovës.

"Themelimi i Gjykatës Speciale, nuk e cenon sistemin e drejtësisë në Kosovë, si dhe Kosova dhe institucionet e saj janë duke respektuar marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në Kuvend, për sa i përket themelimit të Gjykatës Speciale".

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, derisa ka folur në një interpelancë në Kuvendin e Kosovës lidhur me themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Ai ka thënë se ligji për themelimin e Gjykatës Speciale është miratuar nga deputetët dhe si i tillë do të zbatohet.

"Nuk vihet në pyetje gjykimi i luftës çlirimtare të Kosovës, e cila ishte luftë për të mbrojtur pragun e shtëpisë nga forcat ushtarake dhe atyre paramilitare serbe".

"Ne besojmë në pastërtinë e luftës së UÇK-së, prandaj sjellja e individëve që eventualisht mund të kenë bërë krime gjatë luftës apo pas luftës, nuk mund të identifikohet me luftën e pastër çlirimtare të Kosovës", deklaroi Mustafa.

Kryeministri Mustafa, po ashtu ua ka rikujtuar deputetëve se nëse Kosova nuk merr vendim për formimin e kësaj Gjykate, atë mund të bëjë dikush tjetër.

"Ende është në fuqi Rezoluta 1244 e cila mundëson që vendimet e tilla t’i marrë Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara", tha Mustafa.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, si iniciues për thirrjen e kryeministrit Isa Mustafa në interpelancë, lidhur me përgjegjësinë kushtetuese të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, ka thënë se formimi i saj është një kthim prapa i shtetësisë së Kosovës.

Ai tha se përmes Gjykatës Speciale, cenohet integriteti i gjyqësisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Isa Mustafa vs. Glauk Konjufca

"Përmes Gjykatës Speciale, integriteti i autonomisë së sistemit tonë të drejtësisë cenohet së paku në 5 nivele fundamentale: në nivelin e Gjykatës Themelore, në nivelin e Gjykatës së Apelit, në nivelin e Gjykatës Supreme, në nivelin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe në nivelin e Ombudspersonit", tha mes tjerash Konjufca, duke shtuar se për shqiptarët po krijohet një tribunal i ri."Pavarësia e pushtetit gjyqësor që buron nga Kushtetuta sipas parimit 'në emër të popullit', cenohet nga kjo strukturë që parashikon Gjykata Speciale e cila nuk ka të bëjë as më Kushtetutë e as me popullin si burim i sovranitetit".

Zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, deklaroi se lufta e shenjtë për lirinë e vendit nuk do të gjykohet me themelimin e Gjykatës Speciale.

"Për shumë arsye, por mbi të gjitha për shkak të së ardhmes, duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të punojmë bashkë për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të trajtojë pretendimet e Dick Martyt", tha Thaçi.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se me themelimin e Gjykatës Speciale, nuk po pastrohet asnjë etapë, por po mbrohen interesat personale.

Your browser doesn’t support HTML5

Hajredin Kuçi, Ramush Haradinaj, Visar Ymeri

"Jam i befasuar me dallimin që e shoh nga letërkëmbimi dhe çka është duke iu ofruar sot parlamentit dhe çka po synohet të arrihet, që është shumë më shumë".

"Është diçka që ka ndryshuar shumë. Kush është marrë më ketë temë brenda një viti, po shihet trendi, ai nuk ka shkuar kah përmirësimi ose ruajtja e substancës, por ka shkuar kah një degradim më i madh. Këtë gjendje e kemi", tha Haradinaj.

Partitë opozitare në Kosovë, e kanë kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate.

Ato kanë thënë se do të votojnë kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës që do të mundësonte themelimin e Gjykatës, e cila do të merret me hetimin e pretendimeve të dala nga raporti i Dick Martyt në Këshillin e Evropës, "mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës".

Shumica e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, nuk kanë përkrahur rekomandimet e Lëvizjes Vetëvendosje. Kundër rekomandimeve ishin 37, për 22, si dhe 2 abstenime.

Kuvendi i Kosovës në prill të vitit të kaluar, ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Vendimi ishte marrë me 89 vota për, 22 kundër dhe 2 abstenime përmes miratimit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Zvarritjet e themelimit të Gjykatës Speciale, përveç se rrezikojnë që procesin ta kthejnë kah Këshilli i Sigurimit, sipas prokurorit Clint Williamson, rrezikojnë edhe vet dëshmitarët e rasteve që pritet të gjykohen.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini e cila ka qëndruar në Kosovë, ka deklaruar se ka pritje pozitive lidhur me formimin e Gjykatës Speciale.

Ajo i ka inkurajuar deputetët që të votojnë për formimin e kësaj gjykate, duke thënë se "kjo do të jetë mënyrë e mirë për të lëvizur përpara".