Javën që po e lëmë pas, më 20 mars, u shënua Dita Ndërkombëtare e Lumturisë.
Kjo ditë ka për qëllim të vërë në pah se lumturia është qëllim themelor i njeriut dhe u bën thirrje vendeve që t’i përshtatin politikat publike, në mënyrë që të përmirësojnë mirëqenien e të gjithë popujve.
Por, çka thonë të rinjtë e Kosovës për atë se sa ata janë të lumtur dhe çka, në fakt, ata i bën të ndihen të tillë?
Për rubrikën e përjavshme “VOX”, Radio Evropa e Lirë ka anketuar disa të rinj të cilët kanë dhënë mendime të ndryshme, në lidhje me atë se çka i bën ata të lumtur.
Jeta Morina, 24 vjeçare, ekonomiste me profesion, thotë se atë e bën të lumtur fakti që jeton në një rreth dhe shoqëri ku nuk ndihet superiore dhe përfituese por e barabartë.
“Të lumtur më bën fakti që e gjithë shoqëria janë të lumtur dhe nuk jam vetëm unë ajo që përfitoj. Unë nuk mund të jem e lumtur edhe nëse jam e suksesshme në cilëndo fushë derisa rrethi im nuk përfiton. Lumturia mendoj se varet prej vetë personit sa do që të jetë i lumtur ose jo. Në Kosovë është pak e vështirë të jesh e lumtur për vetë faktin se shumë gjëra nuk janë të rregulluara si duhet. Por, shpesh duhet mbyllur sytë përballë padrejtësive që ndodhin, edhe ta gjesh lumturinë brenda vetes”, thotë Jeta.
Your browser doesn’t support HTML5
Por, lumturia për të riun Gazmend Bytyçi varet nga faktorë tjerë, të jashtëm:
“Të lumtur më bën fakti kur dëgjoj se ka ndodhur ndonjë njohje nga shtetet e BE-së. Tjetër asgjë nuk po më bën të lumtur, na e kanë bërë bajat me ekonomi, me zhvillim ekonomik. Gjithçka po shkon mbrapsht në Kosovë”.
Ndërkaq, Besa Emra, ndonëse ka mbaruar studimet në Fakultetin Ekonomik, thotë se është e papunë dhe aktualisht gjërat që do ta bënin atë edhe më të lumtur, thotë se varen nga një vend pune.
“Jam e lumtur dhe ka shumë gjëra që më bëjnë të lumtur. Një vend pune do t’më bënte të lumtur. I ke të ardhurat tua dhe nuk varesh nga askush”, shprehet Besa.
Ka edhe të rinj që mendojnë se duhet përmirësuar gjendja aktuale socio-ekonomike që ata të jenë të lumtur. Ky është Mentor Sadiku, student në Fakultetin Juridik:
“Nuk mund të jemi të lumtur në këtë gjendje politike, ekonomike e sociale që e ka kapluar shtetin tonë. Është gjendje që popullsia po shkon duke u rrënuar. Shumë njerëz janë të papunë. S’ka perspektivë, s’ka të ardhme. Nuk mund të jemi të lumtur individualisht, po qe se nuk rregullohen punët e shtetit”.
Ndërkaq, i riu Naim Krasniqi tregon një moment që e ka bërë të ndihet i lumtur.
“Kam qenë i lumtur kur jam pranuar në punë”, tregon Naimi.
Njëzet marsi është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Lumturisë në vitin 2012 nga Kombet e Bashkuara.
Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se për të rritur lumturinë globale, zhvillimi ekonomik duhet të shoqërohet me mirëqenien sociale dhe mjedisore.