Ndërlidhjet

Të rinjtë, të gatshëm për të punuar punë sezonale


Ilustrim
Ilustrim

Punësimi sezonal në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian vazhdimisht është konsideruar projekt i nevojshëm për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë një papunësi mbi 30 për qind.

Autoritetet kompetente në Kosovë kanë deklaruar tashmë se kanë filluar kontaktet me vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të arrijnë marrëveshje për punësim të përkohshëm të punëtorëve në mënyrë të organizuar.

Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë të rinjtë në Kosovë thonë se janë të gatshëm të punojnë punë sezonale nëse do t’iu ofrohet një mundësi e tillë.

Për shumë për të rinj që janë intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, ky punësim është parë si një mënyrë e mirë për të krijuar përvojë pune dhe për t’i ndihmuar ata financiarisht.

Ermal Thaçi, student i Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, thotë se do të pranonte me shumë dëshirë një ftesë për punësim sezonal, kudo në shtetet e Bashkimit Evropian.

“Kisha shkuar të punoj nëse kishte pasur të bënte diçka me profesionin tim si arkitekt për atë që studioj, por si punë sezonale do të punoja edhe si kamerier apo çka do qoftë nëse do t’më jepej mundësia”, shprehet Ermali.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:57 0:00
Shkarkoje

Ilir Krasniqi, student në Fakultetin Juridik, thotë se nëpërmjet punësimit sezonal, të rinjtë do të mund të krijonin një buxhet, me të cilin pastaj do t’i paguanin edhe studimet e tyre.

“Nëse mua do t’më jepej mundësia, do të punoja në çështjet juridike, pasi që kam punuar këtë punë. Punësimi sezonal do t’iu ndihmonte shumë të rinjve. Pavarësisht se punësimi sezonal është jo më shumë se tre muaj, ata do të paguheshin mirë për këtë punë. Ata do të merrnin ndoshta dy apo tre mijë euro që për një student, i cili studion në Kosovë, do të ishte një lehtësim i madh për të paguar studimet”, thekson Iliri.

Kaltrina Thaçi, studente e Fakultetit Ekonomik, thotë se për të pasur punë sezonale për të rinjtë e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, autoritetet e Kosovës duhet të punojnë më shumë në këtë drejtim.

Ajo tregon se shumë të rinj do të dëshironin të punonin, mirëpo ofertat janë tejet të pakta.

“Studioj në Fakultetin Ekonomik, drejtimi Banka dhe Financa. Do të doja të punoj diku jashtë vendit, pse jo edhe përkohësisht. Do të punoja punë të lehta, siç është puna në pastiçeri apo ndonjë punë të lehtë, e di se kjo do të më krijonte të ardhura”, thotë Kaltrina.

Haxhere Morina, po ashtu, studente në Universitetin e Prishtinës thotë se do të punonte punë sezonale nëse nuk do t’i pengonte në studime.

“Po, do të punoja pa problem, besoj që do të më ndihmonte shumë, do të krijoja më shumë të ardhura për t’i paguar studimet. Është një mënyrë e mirë, kur kihet parasysh që studentët te ne nuk arrijnë të punësohen lehtë, pasi që nuk ka vende të punës”, shprehet Haxherja.

Ngjashëm shprehet edhe Tina Syla:

“Po, do të ishte një gjë e mirëseardhur, mendoj që jam e përgatitur për të punuar. Ne të rinjtë e Kosovës kemi nevojë për këtë punësim”.

Dren Hyseni, një i ri nga Prishtina, thotë se është duke studiuar dhe nëse i ofrohej punësim sezonal diku, do të punonte vetëm diçka që lidhet me profesionin e tij, pasi që, siç shprehet ai, nuk di çfarë të punojë tjetër.

“Do të kisha shkuar të punoj, nëse do t’më ofrohej mundësia të punoj si ekonomist, pasi që për këtë edhe studioj dhe mund të gjendem më lehtë - punë tjera nuk di të bëjë”, shprehet ai.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka deklaruar se tashmë ka filluar kontaktet me disa shtete dhe siç ka thënë ai, indikacionet e para janë pozitive.

Ky projekt, ka thënë ministri Abrashi, do të ndikojë në mirëqenien financiare, por edhe në ngritjen e shkathtësive dhe trajnimeve në disa fusha që janë të nevojshme në tregun e punës në Kosovë.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të ofrojë punësim sezonal jashtë vendit për qytetarët e Kosovës, edhe pse ekzekutivi i Kosovës ka një bashkëpunim për punësim sezonal me shtetin e Gjermanisë, kurse marrëveshje të nënshkruar ka me Zvicrën dhe Principatën e Litershtanjit.

XS
SM
MD
LG