Pas takimit të përbashkët në Gaçanicë, përfaqësuesit e dhjetë komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, kanë paralajmëruar të mërkurën një veprim të përbashkët politik, në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit të tyre, përmes një “Asociacioni të fuqishëm të komunave serbe”.
“Komuniteti serb vendos për një veprim të përbashkët politik, për mbrojtjen e të drejtave dhe realizimin e interesave të popullit serb, përmes formimit të një Asociacioni të fuqishëm të komunave serbe”, thuhet mes tjerash në komunikatën që përmban përfundimet e takimit të mbajtur sot në Graçanicë.
Në të kërkohet gjithashtu që pjesëmarrësve të këtij takimi, t’u vihet në dispozicion një draft i harmonizuar i statutit të Asociacionit.
Takimi në Graçanicë është hapur me fjalimin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, i cili i ka ftuar përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të veprojnë të unifikuar dhe ka shtuar se takimi ka për qëllim krijimin e parakushteve politike për krijimin e Asociacionit apo bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
"Kam ardhur t'ju them se është e nevojshme të bashkoheni, është e nevojshme si kurrë më parë të punoni dhe veproni bashkërisht në rrafshin politik, se është e nevojshme që sot në këtë takim, që ka potencial të mbahet në mend si takimi i patë në vazhdën e takimeve të rëndësishme, të definoni prioritetet kyçe të betejës sonë për mbijetesë“, ka thënë Gjuriq.
Ai ka shtuar se Serbia nuk do të pranojë që "liderët politik të shqiptarëve të jenë ata që do të vendosin për përfaqësimin e serbëve“ dhe se "kuotat politike nuk kanë kurrfarë kuptimi nëse nuk punohet përmbushjen e detyrimeve të përcaktuara kushtetuese në Kosovë”.
Asociacioni i komunave serbe, parashihet me marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 19 prill të vitit 2013.
Në takimin në Graçanicë, kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ministrat dhe deputetët e përkatësisë etnike serbe në institucionet e Kosovës, kryetarët e komunave dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare serbe në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, ka thënë se bashkësia serbe në Kosovë, po përballet me "probleme të ngjashme me ato të 17 marsit të vitit 2004“, duke iu referuar trazirave ndër-etnike që lanë të vdekur 19 persona, 11 shqiptarë dhe 8 serbë. Ai ka theksuar se urrejtja ende ekziston, por, serbët “dëshirojnë të jetojnë normalisht dhe për këtë dërgojnë porosi të qartë”.
“Pikësynimi ynë i vetëm është jeta e dinjitetshme, ndaj së cilës nuk kemi qasje sot. Ne e ofrojmë dorën e pajtimit, por jo edhe dorën që kërkon mëshirë. Nuk pranojmë që liria të na jepet me lugë. Nëse nuk na e jepni me vullnet, atëherë ne do ta marrim vet. Ëndërrojmë që të lëvizim lirshëm nëpër të gjithë Kosovën", tha Stojanoviq.
Ljubomir Mariq, ministër për Administrimin e Pushtetit Lokal, ka theksuar se dita e sotme shënon një fillim të ri për komunitetin serb.
“Ne duhet t’i nxjerrim në pah problemet sistematike dhe në mënyrë të hapur ta përfaqësojmë politikën që do të mundësoj zgjidhjen e problemeve”, ka theksuar Mariq.
Aleksandar Jablanoviq, ministri i shkarkuar nga qeveria e Kosovës, për shkak të të cilit Lista Serbe ka pezulluar angazhimin në institucionet e Kosovës, ka thënë se "uniteti i komunitetit serb në Kosovë pas ditës së sotme nuk do të vihet në pikëpyetje dhe se prapa kësaj qëndron aleati më i madh dhe më i fuqishëm – qeveria e Serbisë“.
“Bashkësia e komunave serbe, nuk është vetëm projekt i yni dhe përgjegjësinë për realizimin e tij e ka edhe pala shqiptare. Ne i kemi zbatuar përgjegjësitë që i kemi marrë mbi vete".
"Kemi dalë në zgjedhje lokale dhe qendrore të Kosovës dhe kemi qenë pjesë konstruktive e asaj qeverie. Nga ajo qeveri presim të jetë konstruktive dhe serioze, si dhe atë që kanë nënshkruar ta zbatojnë Pa zbatimin e asaj që është nënshkruar, mendoj se ne nuk duhet të shkojmë drejt marrëveshjeve të reja”, ka theksuar Jablanoviq.
Në anën tjetër, në takim nuk ka marrë pjesë askush nga zyrtarët shqiptarë të Qeverisë së Kosovës. Siç kanë theksuar ata, për Qeverinë e Kosovës ky takim ka qenë joformal.
Bajram Gecaj, zëvendës ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, i cili për shkak të mungesës së ministrit Ljubomir Mariq, po e drejton këtë ministri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është normale që përfaqësuesit e serbëve të bisedojnë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai ka shtuar se formimi i këtij asociacioni varet nga zbatimi i marrëveshjeve të deritashme.
“Çështja e Asociacionit të komunave serbe është një çështje që është negociuar në Bruksel. Ne deri tash jemi marrë me disa procese tjera. Ju e dini që e kemi nënshkruar marrëveshjen për çështjen e judikaturës, gjykatave. Ne, njëherë duhet të koncentrohemi në zbatimin e atyre marrëveshjeve, të cilat i kemi arritur".
"Kjo nuk do të thotë ajo që ka dal nëpër mediet kosovare se ‘do të ndërpritet dialogu’, sepse zbatimi gjithashtu është pjesë e dialogut. Pra, dialogu do të vazhdoj, por do të vazhdoj me zbatimin e marrëveshjeve , të cilat janë arritur deri tash, sepse edhe këto janë parakushte, në mënyrë që ne të vazhdojmë më tutje me çështjen e Asociacionit”.
Përfaqësuesit e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, vijnë nga radhët e Listës Serbe, e cila ka marrë pjesë në zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme në Kosovë, me bekimin e Beogradit zyrtar.
Pas shkarkimit të ministrit Jabllanoviq, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë ngrirë pjesëmarrjen e tyre në institucionet e Kosovës.
Largimi i Jabllanoviqit nga qeveria ka pasuar protestat dhe trysninë e fuqishme të opozitës në Kosovë, për shkak të një deklarate që Jabllanoviq kishte bërë më 6 janar.
Ai i kishte cilësuar si "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse.
Në takimin e sotëm në Graçanicë, përfaqësuesit e komunitetit serb nuk e kanë bërë të qartë nëse do të kthehen përfundimisht në institucionet e Kosovës.
Ndryshe, në përfundimet e takimit të përfaqësuesve të komunave me shumicë serbe, thuhet se populli serb nga Kosova “kërkon respektimin e akteve kushtetuese dhe ligjore lidhur me përfaqësimin e serbëve në institucione dhe ndërmarrjet publike”, si dhe të serbëve që jetojnë në komunat ku nuk janë shumicë.
Gjithashtu, është kërkuar “mbrojtja e pasurisë dhe të drejtave të Kishës Ortodokse Serbe” dhe që propozim ligjet për “çështjet e rëndësishme për serbët”, të sillen me pajtimin e përfaqësuesve serb.
Në përfundime të takimit gjithashtu është cekur që “prioritet në punën e të gjithë përfaqësuesve serbe në institucionet politike, në të gjitha nivelet, duhet të jetë krijimi i i kushteve gjithëpërfshirëse për kthimin e të zhvendosurve, ndriçimi i fatit të personave të rrëmbyer dhe të zhdukur, si dhe procedimi i përgjegjësve të krimeve që nga viti 1998”.
Gjithashtu është kërkuar “të ndalet privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore dhe shoqërore”; “regjistrimi i popullsisë në komunat me shumicë serbe, si dhe “përfaqësimi i adekuat i serbëve në sistemin gjyqësor’.
Është theksuar edhe nevoja e “ruajtjes së gjuhës, identitetit, kulturës, trashëgimisë kulturore serbe dhe e drejta për informim”.