Prokuroria, gjykatat dhe Policia e Kosovës, gjatë vitit 2014, kanë trajtuar dhe pranuar në punë gjithsej 3,526 lëndë kundër korrupsionit dhe kjo e dhënë, sipas Lëvizjes FOL, shënon punë jashtëzakonisht të ulët në luftën kundër korrupsionit.
Fidan Kalaja, nga kjo Lëvizje, e cila merret me matjen e luftës anti-korrupsion, thotë se një gjë e tillë, paraqet problem në funksionimin e institucioneve.
“Sa i takon efikasitet të ulët, ketë e tregojnë shifrat. Ky efikasitet i ulët, përveç që është problematik në funksionimin e këtyre institucioneve dhe funksionimin e gjithëmbarshëm të Kosovës, po na del problem edhe në procesin e liberalizimit të vizave”, tha Kalaja, duke iu referuar qarkullimit të lirë të qytetarëve të Kosovës përbrenda zonës Schengen në Bashkimin Evropian.
Kalaja tha se, si pasojë e mosefikasitetit në punë, rreth 2 mijë lëndë kanë mbetur të pazgjidhura nga prokuroritë dhe gjykatat në vitin e kaluar.
“Prokuroria gjatë kësaj periudhe raportuese ka pranuar në punë gjithsej 1987 raste, ku për veprën penale të korrupsionit, marrje e ryshfetit ka pranuar 41 raste dhe ka zgjidhur 22 raste; për dhënie të ryshfetit 60 raste dhe ka zgjidhur 48 raste dhe për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar 1886 raste dhe ka zgjidhur 697 raste. Gjykatat kanë pranuar në punë gjithsej 982 raste, ku për veprën penale të korrupsionit marrje e ryshfetit ka pranuar në punë 126 raste dhe ka zgjidhur 36 raste”, tha Kalaja.
Lidhur me punën e prokurorisë së Kosovës rreth angazhimeve për të luftuar korrupsionin, prokurorja e shtetit, Laura Pula, njëherësh koordinatore nacionale kundër korrupsionit, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë tha se “është e vërtetë se lufta kundër korrupsionit sipas planit të veprimit është prioritet për të gjithë sistemin prokurorial dhe ende vazhdon që lëndët e korrupsionit t’i trajtojn me prioritet”.
Përfaqësuesit e Lëvizjes FOL, në një konference për media, thanë se ndikimi politik në sistemin e drejtësisë ben që kjo dukuri të mos luftohet ashtu siç duhet.
“Vullneti politik është jashtëzakonisht i rëndësishëm në luftimin e korrupsionit”, tha Kalaja.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, të hënën ka mbajtur një takim të përbashkët me përfaqësuesit e institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe policisë, por edhe të misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Siç njoftohet me anë të një komunikate për media, përfaqësuesit e institucioneve që për mandat kanë zbatimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, janë zotuar për "vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit sa më të mirë me qëllim, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar".
Korrupsioni në Kosovë konsiderohet si një nga sfidat me të mëdha me të cilat duhet të merren institucionet përkatëse.
Në vitin 2014, Kosova ka shënuar një përmirësim të lehtë dhe jo të efektshëm në indeksin e korrupsionit të botuar nga Transparency International, duke u radhitur bashkërisht me Shqipërinë në vendin e 110-të, në atë që njihet si “zonë e kuqe”.