Baza ligjore pengon përfshirjen në konfliktet e huaja

Institucionet e Kosovës janë në fazën përfundimtare të miratimit të projektligjit për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, presin që në javën e ardhshme Kuvendi të procedojë, duke miratuar ligjin në leximin e dytë.

Pas miratimit dhe fuqizimit eventual të këtij ligji, inicimi i të cilit ka filluar pas raportimeve për përfshirjen e qytetarëve të Kosovës në radhët e grupeve terroriste, pritet që rastet e tilla të marrin një goditje shtesë ligjore.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Daut Haradinaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ligji do t’i ndihmojë organet e sigurisë që të jenë më efektive "në parandalimin, parandalimin e sensibilizimit dhe bashkimin në konflikte të armatosura të qytetarëve jashtë territorit të vendit".

“Deri diku [ligji] i ndihmon organet e ndjekjes që të jenë më efektive në këtë drejtim. Fakti se disa imamë janë arrestuar, të thirrur në përgjegjësi për shkak të apelit ose ndikimit në shoqëri, dhe pastaj janë liruar bën që ky ligj t'ua lehtësojë [autoriteteve] mundësinë e masave që duhet t’i marrin ndaj tyre”, tha Haradinaj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Fadil Demaku, anëtar i Komisionit Parlamentare për Punë të Brendshme dhe Siguri nga Partia Demokratike e Kosovës, konsideron se ligji për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit të Kosovës "do të jetë një bazë e mirë në aspektin e pengimit dhe pjesëmarrjes në këto konflikte".

“Ky ligj mendoj se do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nuk është çështje se sa do ta parandalojë, po që institucionet e vendit të kenë bazën e plotë ligjore për të ndërmarrë të gjitha masat e duhura ndaj të gjithë akterëve që mund të jenë eksponuar brenda kësaj çështjeje”, tha Demaku

Ndryshe, janë 135 persona ndaj të cilëve organet e ndjekjes penale në Kosovë po zhvillojnë hetime nën dyshime për përfshirje në rastet që ndërlidhen me terrorizmin.

Pjesëmarrja, nxitja apo inkurajimi i njerëzve për pjesëmarrje në luftërat jashtë Kosovës, sidomos në Siri dhe Irak, në krah të organizatave të shpallura ndërkombëtarisht si terroriste, janë vepra të cilat rëndojnë mbi këta persona të dyshuar.

Zyrtarët nga Ministra e Punëve të Brendshme, ka konfirmuar se janë rreth 300 persona nga Kosova që janë përfshirë deri më tani në luftë në Siri apo në Irak.

Lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit fetar është një problem global. Institucionet e Kosovës e kanë cilësuar luftimin e këtyre dukurive me prioritet të veçantë.