Analistët: Hahn kishte të drejtë për liberalizimin e vizave

Me vizitën e Komisionerit të Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Johanes Hahn në Prishtinë, është sqaruar përfundimisht se Kosova ende nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara me udhërrëfyesin evropian për liberalizimin e vizave.

Përkundër deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi se Kosova i ka përmbushur kriteret, komisioneri Hahn, ka thënë se Kosovës i mbetet ende punë në këtë proces.

Duke i komentuar deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës dhe komisionerit Hahn, njohësit e proceseve integruese evropiane i japin të drejtë zyrtarit evropian.

Shenoll Muharremi e sheh si paradoksiale që vet kryeministri dhe qeveria e Kosovës ta komentojnë punën e vet.

Sipas tij, përparimin në këtë proces në fund do ta bëjnë Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, kurse Qeveria e Kosovës, ka vijuar ai, duhet të përqendrohet në detyrat e shtëpisë.

"Qeveria le të fokusohet në zbatimin e kushteve në mënyrë që ne të sigurohemi se do t'i zbatojmë kushtet, sidomos nga aspekti i zhvillimit ekonomik në mënyrë që të ndalet migrimi ilegal dhe të kthehet shpresa te njerëzit të mos ikin jashtë vendit. Pavarësisht, nëse zbatohen të gjitha kushtet teknike nga udhërrëfyesi dhe rekomandimet e raporteve të Komisionit Evropian, me këtë numër, me këto trende të migrimit ilegal nuk ka gjasa të merret liberalizimi i vizave për vitin 2015", ka deklaruar Shenoll Muharremi.

Mes deklaratave kundërthënëse të kryeministrit të Kosovës dhe komisionerit të BE-së, edhe analisti Avni Mazreku, thotë se Johanes Hahn ka të drejtë.

Ai rikujton se Kosova ende nuk i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara, duke i numëruar vetëm disa prej tyre.

"Njëra nga fushat është reforma në administratën publike që lidhet edhe me procesin e liberalizimit të vizave. Kjo administratë publike e pareformuar ka rezultuar në një shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe çështje tjetër mjaftë kritike për Kosovën, është se ajo ende nuk ka arritur të ushtrojë pushtetin e saj në gjithë territorin e saj".

"Rrjedhimisht Kosova nuk ka kapacitete aktualisht që ta kontrollojë gjithë territorin e saj dhe vijat kufitare që Kosova i ka", ka thënë Avni Mazreku.

Në vijim, Avni Mazreku flet edhe për sfidat tjera me të cilat po përballet Kosova, nisur nga ato politike, ekonomike e juridike.

Problemet me sundimin e shtetit ligjor, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsioni dhe të ngjashme, janë çështje që merren parasysh për vendet që pretendojnë procesin e liberalizimit apo atë të integrimit në Bashkmimin Evropian.

"Shteti që aplikon për të qenë pjesë e zonës Shengen, ai duhet të kualifikohet si shtet nëse është stabil në planin ekonomik, politik dhe atë juridik. Marrë si shembull, në planin e parë, atë ekonomik Kosova përderisa ka një lëvizje e shpërngulje kaq të madhe të njerëzve, e kontradikton përmbushjen e kriterit të parë, përkatësisht stabilitetin ekonomik", ka deklaruar Mazreku.

Ndërkohë, Shenoll Muharremi, ka vërejtur se edhe brenda kabinetit qeveritar, zyrtarët paraqiten me deklarata kontraverse. Sipas tij, ka dallime të mëdha në deklaratat e kryeministrit Isa Mustafa, zëvendësit të tij, Hashim Thaçi apo të ministrit të Integrimeve Bekim Çollaku kur është në pyetje ky proces, ka theksuar Muharremi.

"Ministri i Integrimeve është më real në kohët e fundit me qasjen e tij, ngase ai po tregon që ne nuk i kemi plotësuar këto kushte dhe fokusin duhet ta vendosim tek zbatimi. Në anën tjetër e kemi ministrin e jashtëm i cili thotë që Kosova moti i ka kryer obligimet e veta, gjë që nuk qëndron aspak dhe kemi kryeministrin Mustafa i cili po varion në qëndrimet e veta".

"Ai ka filluar mandatin në dhjetor me premtimin duke thënë që vizat do të hiqen në fillim të vitit 2015, por pastaj kur e ka filluar punën e ka parë që kjo nuk është punë aq e thjeshtë", ka thënë Shenoll Muharremi.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë, komisioneri Johanes Hahn ndër tjera ka këshilluar Qeverinë e Kosovës, që para se të aplikojë për liberalizimin e vizave duhet të sigurohet që numri i azilkërkuesve dhe migrimeve ilegale të ulet.

Sipas tij, Kosova ka tri çështje urgjente para vetës në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Aty hyjnë sundimi i ligjit, funksionimi demokratik i institucioneve dhe zhvillimi ekonomik me theks të veçantë në uljen e papunësisë.