Ndërlidhjet

Hahn: Kosova ka ende punë për liberalizimin e vizave


Johannes Hahn
Johannes Hahn

Kosovës duhet t’i jepet mundësia për përafrim me Bashkimin Evropian, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, komisionari i BE-së për politikat e fqinjësisë dhe negocim të zgjerimit, Johannes Hahn.

Ai ka marrë pjesë në mbledhjen e Qeverisë ku ka përgëzuar Kosovën për shtatë vjetorin e pavarësisë duke thënë se gjatë kësaj periudhe janë shënuar përparime të dukshme përkundër sfidave.

Komisioneri Hahn ka folur edhe në lidhje me liberalizimin e vizave dhe migrimet e paligjshme të qytetarëve të Kosovës.

Ai ka rikujtuar kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës se autoritetet në Prishtinë duhet të bëjnë më shumë në kontrollin e kufirit dhe t’i bindin qytetarët se nuk mund të fitojnë azil në vendet e BE-së përmes migrimit të paligjshëm.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, si një nga çështjet më shumë të potencuara, mund të them se është bërë përparim, por duhet bërë edhe më tepër”, ka deklaruar Hahn.

Ai ka këshilluar qeverinë e Kosovës që para se të aplikojë për liberalizimin e vizave duhet të sigurohet që numri i azilkërkuesve dhe migrimeve ilegale të ulet.

Sipas zyrtarit të lartë të BE-së, Kosova ka tri çështje urgjente para vetës në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Sundimi i ligjit, funksionimi demokratik i institucioneve dhe zhvillimi ekonomik me theks të veçantë në uljen e papunësisë, janë prioritetet për Kosovën”, ka deklaruar Hahn.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se Kosova do të mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke mos lënë anash reformat dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

Mustafa ka kërkuar mbështetjen edhe të Bashkimit Evropian për realizimin e disa qëllimeve. Në rend të parë, ai ka folur edhe për liberalizimin e vizave, për çka është shprehur i bindur se Kosova ka përmbushur tashmë shumicën e kritereve.

“Mund të konstatojmë se ne i kemi përmbushur gati në tërësi kushtet nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave dhe në javët e ardhshme do të punojmë edhe në zbatimin e rekomandimeve tjera të dala nga raporti i korrikut i Komisionit Evropian. Presim që ky përparim të vlerësohet dhe të hapet procesi, në mënyrë që edhe ne t’i realizojmë të gjitha të drejtat e lëvizjes, siç i kanë qytetarët tjerë të rajonit dhe vendeve të BE-së”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe në lidhje me migrimet e paligjshme të qytetarëve të Kosovës në shtetet anëtare të BE-së. Ai ka thënë se të gjithë ata që u larguan duhet të kthehen ngase Kosova ofron siguri dhe të ardhme për ta.

Një takim me komisionarin Hahn ka zhvilluar edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Aty, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e Presidentes,Jahjaga ka kërkuar edhe përkrahjen e Bashkimit Evropian, posaçërisht në përmbylljen e procesit të MSA-së dhe të liberalizimit të vizave.

Gjatë kësaj vizite, komisioneri Hahn ka deklaruar se Kosova dhe BE-ja mund të nënshkruajnë marrëveshjen e Stabilizim Asociimit gjatë këtij viti, por hyrja në fuqi e saj, sipas tij, do të kërkojë më shumë kohë.

Ai në Prishtinë ka marrë edhe njëherë zotimin e liderëve politik për vazhdimin e dialogut me Serbinë deri në normalizimin e marrëdhënieve.

Te politikat e zgjerimit dhe pranimit, Hahn ka thënë se BE-ja e ka bërë të qartë se shtetet e reja pranohen në BE vetëm kur t’i zgjidhin çështjet rajonale apo reciproke.

Andaj, ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që vazhdojnë dialogun dhe zbatojnë marrëveshjet e arritura.

Përparimet e të dyja vendeve drejt BE-së, sipas tij, do të varen shumë pikërisht nga marrëveshjet në këtë dialog dhe zbatimi i tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG