Komuna e Prishtinës ka nisur vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga protesta e ditës së martë në Prishtinë, e cila përshkallëzoi në dhunë dhe me dëme materiale ndaj pronave publike dhe private.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu.
“Që sot, herët në mëngjes, menaxherët mbikëqyrës të kontratave nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Drejtoria e Infrastrukturës, kanë dalë në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve të pronës publike që janë bërë gjatë ditës së djeshme. Posa të përfundojmë punën në terren, do të përgatisim raporte të detajuara, prej nga edhe do të marrim vesh shumën e vlerës së këtyre dëmeve”.
Megjithatë, Mullafazliu ka theksuar se Komuna e Prishtinës është përgjegjëse vetëm për pronën publike, prandaj edhe vlerësimi i dëmeve po bëhet vetëm për këtë pronë.
Por, protestuesit e dhunshëm dje kanë shkaktuar dëme edhe në disa prona private në Prishtinë.
Një nga pronat e dëmtuara është edhe shitorja e tekstilit “Beni” në rrugën “Agim Ramadani”, pronar i së cilës është Arben Berisha. Ai thotë se i është dashur që dëmet t’i riparoj vetë.
“Dje ka ndodhë në lokal që janë thyer xhamat. I kemi parë protestuesit. Vetëm xhamat kanë kushtuar rreth 200 euro. Nuk ka qenë askush dhe nuk e kemi paraqitur askund, sepse policia dje kanë thënë ‘mund t’i ngjitni vet, se nuk vjen askush”.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se zyrtarët e Policisë së Kosovës, gjatë ditës së martë, kanë shoqëruar në stacionet policore një numër protestuesish.
“Policia e Kosovës, deri në përfundim të protestës, ka shoqëruar në stacione policore 160 protestues të dhunshëm, për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore”.
Zëdhënësi i Prokurorisë së shtetit, Astrit Kolaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për shumicën e protestuesve të ndaluar nga Policia e Kosovës, Prokuroria e shtetit, ka lëshuar masën e ndalimit. Sipas tij, të gjitha rastet do të procedohen më tej.
“Prokurori e shtetit, lidhur me protestën e djeshme, ka lëshuar masën e ndalimit prej 48 orëve për 134 persona. pas kësaj procedure, brenda 48 orëve, Prokuroria e shtetit është e obliguar që të veproj edhe më tutje. Njëherë duhet të pritet të vijnë kallëzimet penale nga policia, të shqyrtohen kallëzimet penale dhe në bazë të tyre dhe çdo prove dhe fakti tjetër, Prokuroria e shtetit do të merr vendim”.
Kolaj ka shpjeguar se vendimet do të jenë të bazuara në Kodin penal të Kosovës dhe Kodin e procedurës penale, që do të thotë se Prokuroria e shtetit mund të merr vendim që ndaj të ndaluarve të fillohet procedura apo kërkesa për paraburgim ose të lirohen me procedurë të rregullt dhe procedura të tjera që parashohin aktet juridike në Kosovë.
Ndryshe, drejtori i Qendrës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se si pasojë e lëndimeve gjatë protestave të ditës së martë në Prishtinë, ndihmë urgjente në këtë qendër kanë kërkuar 176 persona, 86 prej të cilëve janë zyrtarë policorë dhe 90 protestues.
“Bëhet fjalë për lëndime të natyrave të lehta, lëndime të kokës, të qafës. Më së shumti dominojnë lëndimet e ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme. Prej numrit të gjithëmbarshëm, të hospitalizuar i kemi 4 të lënduar, të cilët ende po trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.
Lenojani ka shtuar se, megjithatë, asnjë nga këto raste nuk ka pasur nevojë për ndërhyrje operative dhe se të gjitha rastet kanë qenë të natyrës së lehtë dhe pas trajtimit mjekësor, shumica prej tyre janë dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në shtëpi.