Ndryshimi i pushtetit në Greqi, nuk pritet të ndryshojë edhe qëndrimin e këtij vendi në raport me kontestin e paszgjidhur të emrit të Maqedonisë.
Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare, duke komentuar fitoren e partisë së ekstremit të majtë, Syriza dhe të liderit të saj, Aleksis Cipras.
Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Risto Nikovski thotë se "Cipras njihet me qëndrimet e tij edhe më radikale se të ish liderëve të tjerë grekë, andaj edhe është e arsyeshme të mos pritet thuajse asgjë në raport me Maqedoninë".
Ai thotë se parësore në programin e tij qeveritar, do të jetë ndryshimi i kursit evropian të vendit të tij, kështu që Maqedonia mund të lihet krejtësisht anash.
“Mendoj se jo vetëm që nuk ka mundësi, por nuk ka as logjikë të pritet se me ndryshimin e pushtetit në Greqi do të ketë ndonjë ndryshim më të butë apo ndryshim tjetër në raport me Maqedoninë. Grekët kanë një konsensus të fortë për këtë çështje dhe jo vetëm kaq, madje Aleksis Cipras kishte një qëndrim shumë më radikal kundrejt Maqedonisë dhe ai tani do të ketë kujdes që të mos jetë në shënjestër të sulmeve".
"Nga ana tjetër fitorja e tij do të shkaktojë tërmet në Evropë, politika greke do të ndryshojë në raport me BE-në, dhe në një situatë të tillë turbulente, jo vetëm liderit të Syriza-s, që nuk do i bie në mend çështja e emrit me Maqedoninë, por as BE-ja nuk do të kërkojë diçka nga ai për kontestin e emrit“, thotë Nikovski.
Nga ana tjetër, Alajdin Demiri, njohës i çështjeve ndërkombëtare, thotë se ndryshimi i pushtetit në Greqi ndoshta mund të sjellë ndryshime edhe në raport me Maqedoninë, por vetëm sa i përket fillimit të negociatave.
“Është më fleksibil në raport me paraardhësit e tij, por ai ka qenë fleksibilitet opozitar. Tani kur do të jetë në pozitë, nuk besoj se do të jetë edhe aq fleksibil për arsye se pozicionimi tani është i rënduar, si nga ana e Maqedonisë, ashtu edhe nga ana e Greqisë".
"Mirëpo, ka diçka pozitive pasi mendoj se minimumi Aleksis Cipras do të fillojë të negociojë“, thotë Demiri, duke ngritur megjithatë si problem veprimet e autoriteteve maqedonase të cilat sipas tij vazhdojnë me antikvizimin e Maqedonisë, me emërtimin e sallave, e objekteve tjera me emra nga historia antike greke që gjithsesi se do të reflektohen negativisht në gjithë procesin e emrit.
Por, për dallim nga Demiri, ish diplomati Nikovski thotë se me liderin e Syriza-s apo kryeministrin e ri të Greqisë është vështirë të negociohet për shkak të qëndrimit tejet radikal që ka për çështjen e emrit.
Ai thotë se në fitoren e tij bindëse ka ndikuar veç tjerash edhe qëndrimi i tij për kontestin me Maqedoninë, pasi grekët në të gjitha sondazhet e realizuara janë shprehur në mënyrë kategorike se kërkojnë ndërrimin e emrit të Maqedonisë.
“Nuk është e vërtetë se do të jetë më e lehtë të negociohet me Ciprasin pasi ai ka hipoteka për qëndrimin e tij të deritanishëm, derisa të tjerët këtë nuk e kishin. Pra, qëndrimi i tij nuk do të ndryshojë, ndërsa këtu duhet të merret parasysh edhe disponimi i pjesës dërrmuese të trupit votues grek, i cili qëndron fuqishëm pas vijave të kuqe për të mos lëshuar pe ndaj Maqedoninë për çështjen e emrit".
"Pala greke dhe Aleksis Cipras kërkojnë ndryshimin e emrit, emër për përdorim të përgjithshëm, si brenda ashtu edhe në relacionet ndërkombëtare“, thotë Nikovski.
Mos-zgjidhja shumëvjeçare e kontestit të emrit ka bllokuar procesin e integrimit euroatlantik. Maqedonia që para 8 viteve ka marrë statusin e shtetit kandidat, por nisja e negociatave është kushtëzuar nga Greqia me zgjidhjen e kontestit.
Gjithashtu Greqia ka bllokuar edhe anëtarësimin e vendit në NATO, edhe pse alenca vazhdon politikën e dyerve të hapura për Maqedoninë, por edhe këtu hyrja varet nga zgjidhja e kontestit.