Ndërlidhjet

Partia Syriza fiton zgjedhjet në Greqi


Lideri i Syrizas, Alexis Tsipras.
Lideri i Syrizas, Alexis Tsipras.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të përgjithshme në Greqi sugjerojnë fitoren e partisë Syriza.

Sipas exit-polleve, Syriza, e cila udhëhiqet nga Alexis Tsipras, prin me 39.5 për qind të votave, ndërsa pas saj radhitet partia e kryeministrit aktual, Antonis Samaras, me 27 për qind të votave.

Syriza kundërshton masat e kursimit dhe, sipas analistëve, mund ta vë Greqinë në një përplasje me kreditorët e saj ndërkombëtarë.

Fitorja e saj rrit shqetësimet se Greqia mund të mos paguajë borxhet dhe të dalë nga Eurozona.

Greqia është përballur me shkurtime të ashpra buxhetore, në këmbim të ndihmës së negociuar me të ashtuquajturën treshe të huadhënësve: Bashkimin Evropian, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Qendrore Evropiane.

Ekonomia e Greqisë është zvogëluar në mënyrë drastike që nga kriza financiare globale e vitit 2008, duke rritur ndjeshëm papunësinë dhe duke çuar shumë grekë në varfëri.

Kryeministri i Greqisë, Antonis Samaras, ka thënë para zgjedhjeve se do të ishte rrezik nëse Syriza fiton, në kohën kur masat e kursimit kanë nisur të japin rezultate.

“Syriza do ta kthejë gjithë Evropën kundër Greqisë”, ka thënë Samaras.

Udhëheqësi i Syrizas, Alexis Tsipras, ka thënë se partia e tij do t’ia kthejë “dinjitetin” Greqisë, duke frenuar shkurtimet e vendeve të punës dhe duke paguar pensionet, që, sipas tij, kanë lënduar miliona njerëz në gjithë vendin.

Partia To Potami dhe ajo e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, luftojnë për vendin e tretë në zgjedhje.

Afro 10 milionë qytetarë të Greqisë kanë pasur të drejtë të zgjedhin parlamentin prej 300 vendesh.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila thuhet se qëndron prapa planit shtrëngues të BE-së për Greqinë, ka thënë se do që Greqia, me gjithë vështirësitë, të mbetet pjesë e Eurozonës.

Disa liderë evropianë kanë porositur se, pavarësisht se kush fiton në zgjedhje, Greqia duhet të zbatojë reformat.

Zgjedhjet e së dielës në Greqi janë ndjekur me ankth edhe nga tregjet financiare, të cilat frikësohen se fitorja e partisë Syriza mund ta nxjerrë Greqinë nga Eurozona.

Aktualisht, papunësia në Greqi është 25 për qind dhe ekonomia e saj është tkurrur për një të katërtën që nga fillimi i krizës në Eurozonë.

Borxhi i këtij vendi, ndërkaq, është 175 për qind e bruto prodhimit të brendshëm.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG