Kosova dhe Mali i Zi me synime të përbashkëta euroatlantike

Vizita e zëvendës kryeministrit të Kosovës, njëkohësisht edhe ministrit të jashtëm, Hashim Thaçi në Mal të Zi, është në frymën e agjendës së përbashkët të cilën e kanë dy vendet, Kosova dhe Mali i Zi, e që nënkupton integrimin në Bashkimin Evropian dhe strukturat euroatlantike, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se vizita e zëvendës kryeministrit Thaçi në Mal të Zi dhe ndërtimi i një fryme pozitive ndërmjet Kosovës dhe këtij vendi, duhet të vlerësuar në dy prizma.

Sipas tij, duhet bërë dallimin se a janë raportet e mira të motivuara nga vet aktorët politik apo janë të imponuara prej bashkësisë ndërkombëtare.

Muhaxhiri shpreh mendimin se ndërtimi i raporteve pozitive, më tepër është kusht ndërkombëtar për fqinjësi të mirë, se sa vullnet i politikanëve.

“Dihet se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë shumë gjëra të përbashkëta. Prandaj, një vizitë e tillë duhet shikuar nga ky prizëm. Mali i Zi ka qenë edhe më indiferent ndaj çështjes së Kosovës, prandaj edhe një vizitë e tillë më shumë duhet të shikohet nga aspekti simbolik dhe nga synimet e përbashkëta që i kanë Kosova dhe Mali i Zi për të ardhmen evropiane”, ka shtuar Muhaxhiri.

Ndryshe, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike e Politike në Prishtinë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se vizita e Thaçit në Mal të Zi shënon një hap relativisht të madh të rindërtimit të marrëdhënieve të Kosovës me Malin e Zi, si dy shtete të pavarura. Në këtë kuadër, sipas tij, ky hap nuk ka qenë i lehtë as për Malin e Zi, duke pasur parasyshë historinë e gjatë të ndërlidhur me shtetin e Serbisë.

Korenica thekson se reagimet relativisht pozitive në Mal të Zi ndaj vizitës së zëvendëskryeministrit dhe ministrit të jashtëm të Kosovës, Thaçi, mund të shihet si një avancim i një kulture ndërshtetërore të komunikimit.

“Natyrisht që vizita ka edhe karakterin formal që në njëfarë forme tregon që Republika e Kosovës, me ato që tha zoti Thaçi, nuk ka pretendime politike ndaj klasës politike të shqiptarëve në Mal të Zi. Kjo në një farë forme është qetësim i ambientit politik atje, por sa i takon lidershipit kosovar dhe qëndrimeve zyrtare të Kosovës”, vlerëson Korenica.

Analisti Muhaxhiri, thotë se Kosova dhe Mali i Zi tashmë po përpiqen t’i qasen zgjidhjes së çështjeve të pazgjidhura që kanë këto dy shtete ndërmjet tyre.

“Është çështja e kufirit, çështja e pakicave. Por, çështja është se, në fakt edhe Kosova edhe Mali i Zi, e kanë një presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare dhe kanë shumë kushte që duhet t’i plotësojnë, kurse, njëra ndër kushtet është fqinjësia e mirë. Prandaj edhe kjo vizitë duhet parë në këtë aspekt”.

Korenica vlerëson se pika më qendrore e përmendur gjatë vizitës së Thaçit në Mal të Zi, është çështja e demarkacionit të kufirit të Kosovës me këtë shtet. Zgjidhja e kësaj çështje, sipas Korenicës, është edhe kusht në procesin e liberalizimit të vizave dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

“Do të jetë një pikë, unë mendoj e nxehtë, meqë kufijt administrativ të trashëguar nga Jugosllavia, sot duhet të jenë jo vetëm të delimituar, por edhe të demarkuar. Kjo në raport me Malin e Zi, mund të jetë shumë problematike, marrë parasysh faktin se ka shumë kilometra të territorit, të cilat, në fakt, kanë qenë zonë neutrale dhe tash duhet të shënohen në mënyrë specifike”.

Korenica shtoi se Mali i Zi, tashmë ka treguar se është i gatshëm që të hyj në një proces të demarkacionit, por kjo nuk nënkupton se ky proces do të jetë i lehtë dhe pa pasoja politike.