Ligjet në fushën e shëndetësisë të hartuara viteve të fundit, paraqesin një bazë të mirë në reformën e mëtutjeshme shëndetësore, thonë ekspertë që merren me këtë çështje.
Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë viteve të fundit ka pasur një përparim të dukshëm sa i përket formulimit dhe kornizës ligjore, politikave dhe strategjive për shëndetësinë, e që kanë për qëllim reformimin e sistemit shëndetësor kosovar.
"Kosova ka arritur që të hartojë një kornizë ligjore sa i përket rregullimit të sistemit shëndetësor dhe aspektit të shëndetit publik në veçanti, por secili ligj nuk ka gjetur zbatim në masën e duhur, dhe kjo ndikon negativisht në shëndetin e popullatës. Njëri prej ligjeve ka implikime dhe ndikim të veçantë në shëndetin publik, ku ka filluar të zbatohet mirë, derisa tash vërehet që me kalimin e kohës zbatimi i tij është zbehur. Kërkohet nga institutcionet përkatëse të marrin masat e duhura".
Ndërkaq Valbon Kraniqi, këshilltar i ministrit të shëndetësisë ka bërë të ditur se ligjet bazike implementohen dhe zbatohen me kapacietet që i kanë institucionet shëndetësore. Por ai përmend edhe sfidat.
"Sfida më e madhe mendoj se është funksionalizimi i njësive organizative dhe si organizatë e veçantë buxhetore me ligjin për shëndetësi, si dhe themelimi i fondit shëndetësor. Këto janë dy fushat prioritare dhe sfidat më të mëdha që mendoj si ministri do të merren në baza ditore me to. Ligjet tjera mendoj që po zbatohen mirë janë ligji i duhanit, apo edhe ato që janë të lidhura me shërbimet cilësore mendoj se zbatohen në një masë të kënaqshme".
Ndryshe, edhe vetë sindikalistët kanë thënë se në trevjetët e fundit, me gjithë gjendjen e vështirë në sistemin shëndetësor, ka pasur hapa pozitiv në infrastrukturën ligjore. Ata thonë se është mbyllur korniza ligjore sa i përket shëndetësisë, derisa kanë shtuar se ka pasur ngecje dhe keq menaxhimi institucional.
Ndryshe zoti Skender Syla ka shtuar se në fushën e shëndetësisë nuk mungojnë ligjet, por zbatimi i tyre.
"Sot Kosovës nuk i mungojnë ligjet e mira, por i mungojnë mekanizmat e mirëfilltë dhe një kosto financiare që do ti përcjellte zbatimin e tyre si dhe një llogaridhënie.Ato ligje duhet përkthehen në zbatim gjithsesi", është shprehur zoti Syla.