Numri i personave që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, gjatë viti të kaluar, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, është rreth 23 mijë.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se janë të shqetësuar për faktin se trendi i migrimit ilegal nga kosovarët është në rritje.
Ministri për Integrime Evropiane, Bekim Çollaku, tha për Radion Evropa e Lirë se shtetet e BE-së, nuk japin azil për kosovarët dhe, sipas tij, çdo tendencë e tillë do të dështojë.
Ai tha se Kosova ka strategjinë dhe ligjin për migrim, dhe rrjedhimisht sipas tij, duhet të merren masa të shpejta në mënyrë që të parandalohet një dukuri e tillë.
"Duke i parë trendet e fundit, me siguri që qeveria duhet të marrë në konsideratë edhe rishikimin dhe riformulimin e kësaj strategjie, në mënyrë që të jemi edhe më efikas në parandalimin e kësaj dukurie, e cila në mënyrë të tërthortë ndërlidhet edhe më procesin e liberalizimit të vizave", tha Collaku.
Ministri thotë se edhe pse janë duke u ndërmarrë masa për parandalimin e migrimit ilegal, çështja e lëvizjes së lirë të qytetarëve megjithatë është e drejtë fundamentale.
"Mënyra me e mirë dhe e vetme është që të gjithë qytetarët e Kosovës ta bindin veten e tyre se asnjë nga ata nuk kanë të drejtë që në mënyrë të parregullt të udhëtojnë në ndonjë nga shtetet e BE-së apo vende të tjera. Lëvizja e lirë nënkupton respektim të rregullave dhe procedurave”, tha Çollaku.
Safedin Kuçi, udhëheqës i divizionit për menaxhimin e të dhënave në Ministrinë e Punëve të Brendshme thotë se deri me tash nga këta persona që kanë kërkuar azil, janë kthyer mbi 4 mijë prej tyre.
"Diku 70% kthehen më forcë dhe 30% kthehen në forma vullnetare. Shifrat janë ende duke u përpunuar, mirëpo deri tash apo deri në fund të muajit nëntor, shifra ka qenë rreth 4 mijë persona të kthyer", tha Kuçi.
Migrimi në mënyrë të paligjshme i qytetarëve të Kosovës në vendet evropiane, që kryesisht bëhet përmes Serbisë, është bërë një dukuri e jo e rrallë, kryesisht për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike.
Tentimi për të migruar në mënyrë ilegale, ditëve të fundit ka qenë fatal për Ali Fetahun, 55-vjeç nga komuna e Ferizajt, i cili nga të ftohtit ka humbur jetën në territorin hungarez.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, por edhe Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, kanë deklaruar se institucionet e Kosovës duhet të bëjnë gjithçka për të parandaluar migrimin e paligjshëm të qytetarëve, të cilët “bien pre e atyre që përfitojnë në fatkeqësinë e tyre”.
Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë kanë kritikuar institucionet duke thënë se në këtë drejtim veç fjalëve dhe fushatave nuk është bërë ndonjë veprim për ndërprerjen kësaj dukurie.
Ibrahim Rexhepi nga Qendra për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRAS, thotë se në rrethana të tilla, nuk janë të nevojshme fjalët boshe, por veprimet konkrete.
"Mjafton që fillimisht të ndërtohet një strategji dhe njerëzit ta kuptojnë se kjo qeveri di të punojë dhe po mundohet të ofrojë mundësinë për perspektivë dhe jetë në Kosovë. Ndërkaq, efektet sigurisht që duhet të vijnë me vonë", tha Rexhepi.
Kurse, sociologu Ismajl Hasani konsideron që institucionet e Kosovës duhet të marrin masanë radhë të parë kundër atyre njerëzve të cilët me veprimet e tyre kriminale joshin njerëzit për rrugë pa kthim dhe duke i dëmtuar financiarisht.
"Është një rrugë që nuk dihet se ku çon. Në fakt, ajo po duket që çon edhe deri në varr, me rastin e fundit. Institucionet duhet të merren seriozisht me këto agjencitë fantome, të cilat për fat të keq, po e keqpërdorin situatën e vështirë ekonomike", tha Hasani.
Autoritet e rendit kanë deklaruar se si pasojë e tendencës së migrimit ilegal, Policia e Kosovës ka marrë masat dhe ka shtuar kontrollet në pikat kufitare sidomos ato që lidhin Kosovën më Serbinë.