Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se partia e tij nuk e mbështetë krijimin e Gjykatës Speciale, duke e quajtur atë të "padrejtë ndaj Kosovës".
Radio Evropa e Lirë
Zoti Haradinaj, ju dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vazhdoni të mbeteni në opozitë edhe për një mandat të institucioneve. Çfarë roli parashihi të keni si opozitë në Parlament?
Ramush Haradinaj: Kanë ndryshuar shumë marrëdhëniet në politikën kosovare dhe në marrëdhëniet në mes pozitës dhe opozitës. Në të kaluarën edhe si opozitë kemi mundur të mbështesim tema nacionale të ndjeshme dhe të japim kontributin tonë.
Në rastin e ri të koalicionit të madh të numrave, opozita është e paktë dhe detyra e opozitës është mjaft e vështirë, gati sa është një mision i pamundur në Kosovë, meqenëse ka një tendencë të kapjes së shtetit nga koalicioni i tashëm.
Ne, punojmë që të jemi zëri i atyre që nuk janë të përfaqësuar në institucione në ketë koalicion të madh. Pra, detyra jonë është të kërkojmë llogari nga institucionet e sotme, nga ata që kanë përgjegjësinë për të gjitha temat në interes të qytetarëve.
Radio Evropa e Lirë
Megjithatë, a mendoni se do të keni ndikim?
Ramush Haradinaj: E thash se është shumë e vështirë në parlament, meqenëse është e mundur edhe çdo herë të jemi të mbi votuar, pra nga një koalicioni i cili i ka dy të tretat parlament. Mirëpo, megjithatë ne arrijmë ta ballafaqojmë qeverisjen, të paktën në këto ditët e para në parlament kemi qenë mirë të organizuar, grupi i parlamentar i yni, i Aleancës, po edhe grupet e tjera parlamentare të opozitës.
Besoj se kemi arritur ta ballafaqojmë (qeverinë) mjaftueshëm, t'i njoftojmë qytetarët me atë se çka po ndodhë me mënyrën e qeverisjes, me mënyrën e ndërtimit të qeverisë. Ta zëmë, një qeveri kaq e madhe, 21 ministri. Paralajmërimin për shumë zëvendësministra.
Një buxhet që nuk është zhvillimor, një rritje ekonomike shumë e ulët, pamundësia e ndërhyrjes së rritjeve të pagave, e të gjitha këto tema besoj se i kemi prezantuar para qytetarëve.
Radio Evropa e Lirë
Një nga sfidat e para të institucioneve të Kosovës pritet të jetë themelimi i Gjykatës Speciale. Do ta mbështesni ju themelimin e saj?
Ramush Haradinaj: Unë vet kam qenë subjekt i ligjit ndërkombëtar edhe kam kryer obligimet ndaj ligjit ndërkombëtar. Kosova e ka nderuar ligjin ndërkombëtar me rastin e Tribunalit për ish-Jugosllavi.
Kjo që ndodh tani është e padrejtë ndaj Kosovës, dëmtohet imazhi ynë shumë me këtë dhomë të posaçme në kuadër të ligjeve të Kosovës, por që do të vendoset jashtë vendit. Ne si Aleancë nuk e mbështesim formimin e kësaj gjykate.
Por, kërkojmë që e gjithë energjia të drejtohet në përmirësimin e gjyqësorit në Kosovë. meqenëse mendojmë se degradimi i gjyqësorit në vazhdimësi ka ardhur nga mënyra si është qeverisur Kosova nga zoti Thaçi dhe PDK-ja.
Nga kualiteti i sistemit të drejtësisë, rezulton edhe mosbesimi ndaj institucioneve të vendit dhe ndaj sistemit tonë të drejtësisë dhe tani është kërkesa për krijimin e një gjykate të këtillë.
Radio Evropa e Lirë
Zoti Haradinaj, gjatë kohës sa keni qenë në bllokun opozitar, kryetari i LDK-së, tash edhe kryeministër i Kosovës, Isa Musatafa, ka thënë se të gjitha partitë e mbështesin formimin e Gjykatës Speciale...
Ramush Haradinaj: Ka mbet mbetur Isa Mustafa të ju japë moral partive tjera. Ai është shembulli më i keq i moralit politik. Më vjen keq që shprehem kështu. Ne asnjëherë nuk jemi shprehur kundër cilido obligim ndaj ligjit, si në vend, si ndërkombëtar, dhe jemi shembulli më i mirë si i kemi kryer obligimet ndaj Tribunalit për ish-Jugosllavi, ndaj të gjitha kërkesave të ligjit në vend.
Në rastin konkret vazhdimi i kapjes së shtetit dhe i përkeqësimit të gjyqësorit të në vend ky është problemi për dy milionë njerëz të Kosovës dhe ne i japim prioritet përmirësimit të gjyqësorit në vend.
Radio Evropa e Lirë
Edhe nga pozicioni i opozitës, partia e juaj ka qenë pjesë e dialogut me Beogradin përmes nënkryetarit Blerim Shala. Çfarë pozicioni do të mbani tani karshi këtij procesi?
Ramush Haradinaj: Ne, kemi përkrahur dialogun dhe mendojmë se janë arritur disa rezultate të rëndësishme për Kosovën, sidomos progresi në veri, pjesëmarrja e serbëve në institucionet e vendit, kuptohet tani nuk do të jemi pjesë direkte e dialogut, por do të jemi në parlament në rolin e kërkuesit të llogarisë, për një dialog kualitativ.
Kërkesa jonë për dialogun e mëtejmë është që të fokusohemi në njohje reciproke me Serbinë, pra dialogu duhet të shkojë vetëm në temën e njohjes më tutje.
Radio Evropa e Lirë
Zoti Haradinaj, keni kritikuar shumë qeverisjen paraprake të udhëhequr nga PDK-ja dhe zoti Thaçi. Ndërkohë që është formuar një koalicion PDK-LDK me Isa Mustafën në krye të qeverisë. Sa besoni që kjo qeveri do të realizojë premtimet për zhvillim ekonomik dhe luftim të krimit e korrupsionit?
Ramush Haradinaj: Nuk na kanë lënë as mundësinë me mbajtur shpresë, për shkak se vetë i kanë reduktuar ambiciet zhvillimore, e kemi parë me buxhetin, e kemi parë më mënyrën e formimit të qeverisë, një qeveri kaq e madhe, kaq shpenzuese.
Pra, për fat të keq ky koalicion është lajm i keq për Kosovën, meqenëse fare nuk hetohen ambicie për avancim, për krijim të vlerës së re, për investime, për zhvillim në vend edhe ajo që është më e ndjeshmja për Kosovën e që po i bën shumë dëm vendit, e që është korrupsioni në vend që është shtrirë në të gjitha poret e jetës, vetëm çka do të konsolidohet me këtë koalicion.
Radio Evropa e Lirë
Cilat do të mund të ishin dy-tri ndërmarrjet apo veprimet e para politike të opozitës në Kuvend dhe sa mendoni se do të mund të jeni unik edhe me partinë Nisma dhe Vetëvendosjen?
Ramush Haradinaj: Ne kemi dallime si subjekte politike, jemi i vetmi subjekt politik i djathtë në opozitë, pra jemi qendër e djathtë, megjithatë kemi partneritet me partitë politike opozitare tjera dhe punojmë intensivisht me ta, në mënyrë që zëri i opozitës të jetë më i qëndrueshëm, të jetë më i artikuluar, të koordinohemi të ndihmohemi. Deri tash, ka funksionuar në parlament.
Radio Evropa e Lirë
Cilat do të ishin veprimet e para si opozitë?
Ramush Haradinaj: Ne kemi pasur disa veprime, ballafaqimin me buxhetin e qeverisë, pastaj kemi vazhduar me vet konstruktin e madh të qeverisë, është shumë e shtrenjtë qeveria jonë.
Një qeveri që ka pasur 19 ministri të bëhet menjëherë me 21, është disa milion shpenzime. Një qeveri që ka 21 ministri dhe në rasat se për çdo ministri do të ketë mbi një zëvendësministër, atëherë po shtohen edhe dhjetëra miliona shpenzime në katër vite.
Gjithë këto miliona do të mjaftonin, për t'iu dhënë një shpresë njerëzve mos që të lëshojnë vendin, për t'iu drejtuar ekonomisë, për të krijuar mundësi të përkrahen sektorë të ndryshëm.
Pra, në këto drejtime ne do të veprojmë në parlament, në vazhdimësi, për të ballafaquar institucionet e vendit, qeverinë në këtë rast, me gjendjen në vend, për shkak se hetohet një shpërputhje, ata fare nuk e kanë në konsideratë gjendjen në vend.