Vazhdon laramania e çmimeve të barnave

Ilustrim

Barnat nëpër barnatoret e Kosovës, nuk kanë çmime të unifikuara. Kjo, sipas zyrtarëve institucional, ndodhë për shkak se Kosova nuk e ka një rregullore administrative që do të mund ta rregullonte këtë çështje.

Ata thonë se laramania e çmimeve nëpër barnatore është evidente dhe një gjë e tillë ndodh për shkak të tregut të lirë që ekziston në Kosovë.

Për këtë çështje në rubrikën ‘’Në Fokus’’ të Radios Evropa e Lirë kemi intervistuar, zyrtarë të agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, qytetarë, farmacistë si dhe zyrtarë nga shoqata e farmacistëve.

Qytetarët të cilëtflasin për çmimet e barnave, thonë se shpesh herë u ka ndodhur që të paguajnë çmimet pesëfish më të larta të barnave, derisa kanë rastisur në një tjetër barnatore të blejnë të njëjtin bar, me çmim shumë më të ulët.

Kjo i kishte ndodhur edhe Majlinda Sadikut.

"Çmimet nëpër barnatore dallojnë shumë, dhe ç’është më e keqja barnatoret që gjenden ngjitur njëra-tjetrës çmimet i kanë me dallime shumë të mëdha. Mua më ka ndodhë që ta blej një ilaç 12 euro e 50 centë. Por në barnatoren ngjitas ku e bleva ilaçin, të njëjtin e gjeta me çmim 6 euro e 80 centë".

"Ç’është më e keqja, ky që kushtonte 6.80 euro ishte pa përshkrim në gjuhën shqipe , derisa kjo më e lira e kishte edhe përshkrimin në gjuhën shqipe prandaj e bleva edhe këtë, sepse që konsideroj se ishte shumë me rëndësi për mua si paciente ta lexoja udhëzimin në shqip, përpos çmimit më të lirë".

Por, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Mjekësore, Arianit Jakupi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore, do të krijohet mundësia ligjore që institucioni që ai udhëheq, ta rregullojë këtë çështje përmes akteve nënligjore.

“Në mungesë të Ligjit për sigurime shëndetësore, Kosova është konsideruar si treg i lirë, jo vetëm për barna, por edhe për produkte tjera, dhe vendosja e çmimit është bërë varësisht nga dëshira e atyre që i kanë importuar ato barna”.

“Hyrja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore e krijon mundësinë ligjore që AKPM-ja, në bashkëpunim me Agjencinë e financimit shëndetësor, të krijojnë akte nënligjore, me anë të së cilave do të rregullohet çmimi i barnave", ka thënë Jakupi.

Ai gjithashtu ka shtuar se me aktet nën ligjore që pritet të fuqizohen pas hyrjes në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore, do të rregullohet edhe çështja e shitjes së barnave pa recetë të mjekut, e që tash për tash në çdo barnatore mund të blesh barna pa rekomandimin e mjekut, përfshirë këtu edhe antibiotikët dhe barnat narkotike.

"Futja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë obligative respektimin e kësaj, sepse nuk mund pacientit t’i rimbursohen barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet dhe recetën e barnave. Me këtë, ne nuk do ta rregullojmë vetëm çmimin e barnave, por edhe rregullimin e sistemit të referimit të pacientëve", ka shpjeguar Jakupi.

Për larminë e çmimeve të barnave, flasin edhe vetë anëtarët e shoqatës së farmacistëve të Kosovës, të cilët thonë se ka dallime të çmimeve të barnave varësisht nga barnatorja. Kadri Bytyqi, thotë për Radion Evropa e Lirë, se për shkak të tregut të lirë, çmimet dallojnë shumë nëpër barnatore.

"Mos unifikimi i barnave paraqet një problem të madh për faramcistët dhe ju shkon për shtati atyre që nuk kanë të bëjnë asgjë me farmaci , por që rastësisht kanë barnatore. Në një aspekt e dëmtojnë shumë çështjen e farmacistë dhe profesionistit shëndetësorë".

Zoti Bytyqi flet e edhe për atë se sa dëmtohen pacientët në këtë rast.

Pacientëve nuk i ndikon në aspektin financiar, por i ndikon në humbjen e kohës për të gjetur një ilaç më të lirë në treg. Dhe e gjithë kjo si mos rezultat i unifikimit të çmimit në tregun farmaceutik. Ne mund ta marrim si shembull Republikën e Shqipërisë që ka pesë vjet që kjo punë është rregulluar me ligj, dhe pacientit i mbetet vetëm ta zgjedhë profesionistin shëndetësorë aty ku e ndinë veten rahat me atë profesionist shëndetësorë".

Ndërkaq farmacistët , thonë se marrin ankesa nga ana e pacientëve për shkak të çmimeve të barnave, por kjo ndodh për shkak të tregut të lirë.

"Mund të them se kjo ndodh për shkak të tregut të lirë. Barnatoret që kanë shumë qarkullim, ndonjëherë i ulin cmimet e barnave, derisa ato me më pak qarkullim nuk kanë mundësi, andaj këtu lindin problemet me çmime".

"Madje ka shumë ankesa nga pacientët, për shkak se diku rastisin t’i blejnë më lirë, derisa kur hasin në barna të njëjta me çmime më të larta, ankohen", ka theksuar Mimoza Stafaj, farmaciste.