Ndërlidhjet

Barnat shiten si "bonbone"


Ilustrim
Ilustrim

Në barnatoret e Kosovës, barnat shiten pa recetë, thonë vetë zyrtarë të lartë institucionalë, sipas të cilëve, kjo çështje do të rregullohet me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore.

Linda, studente në Fakultetin e Arteve është njëra nga shumë qytetarët e Kosovës që barnat i blen pa recetë.

"E praktikoj blerjen e barnave pa recetën e mjekut. E kërkoj farmacistin dhe konsultohem me të. Farmacistët më propozojnë për barnat që duhet t'i marr, për atë gjendje që jam, dhe për atë që po kërkoj barna. Edhe thjesht i blej barnat ashtu, do të thotë pa recetë", tregon Linda.

Ndërkaq, farmacisti Alban Desku fenomenin e blerjes së barnave pa recetën e mjekut, e sheh si një fushë shumë të gjerë. Ai përmend anët pozitive dhe ato negative të kësaj dukurie.

"Kjo ndodh pasi që pacienti ka qasje shumë më të lehtë te farmacisti se te mjeku. Mund të shkojë pa termin, këshillat i merr falas dhe të sakta, profesionale prej një profesionisti shëndetësor. Ka barna që jepen pa recetë dhe është e drejtë ekskluzive e farmacistit ta shesë atë".

"Por, te ne çka ndodh? Kjo keqpërdoret prej të dyja palëve. Ka të tillë farmacistë që japin barna pa recetë , pra edhe ato që duhet të jepen vetëm me recetë. Absolutisht është e padrejtë, të shiten ato barna që duhet të kenë anamnezën mjekësore"
, thotë Desku për Radion Evropa e Lirë.

Desku flet edhe për një kategori pacientësh, që blejnë vazhdimisht barna pa recetë.

"Për shembull unë e kam një përdorues të rregullt të një lloj ilaçi. Ai është i sëmurë kronik, e di saktë se çka merr, dhe ne ia shesim, megjithatë edhe kjo mënyrë nuk do të duhej të aplikohej. Por, kjo po ndodh për shkak të moszbatimit të ligjit. Te ne keqpërdoret për arsye ekonomike. Për shkak të konkurrencës jolojale dhe duan të shfrytëzojnë çdo mënyrë që pacienti të mos dalë pa blerë barna", shton Desku.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës, Agim Caka, thotë se çështja e recetave të mjekut në Kosovë, nuk funksionon. Por, sipas tij, me fillimin e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, kjo çështje do të rregullohet.

"Puna e recetës nuk funksionon. Pastaj të sëmurët kronikë vetëm i përsërisin barnat. Por, besoj me Ligjin për sigurime shëndetësore puna e recetave do të funksionalizohet dhe pacientët do të duhet të shkojnë te mjeku, sepse është edhe në interesin e tyre. Sigurisht keni pasur rastin të shkoni në barnatore dhe të blini cilindo ilaç. Jo pse farmacisti po i thyen rregullat, por receta si recetë nuk ka funksionuar".

"Por, edhe pacientët kronikë janë problematikë, sepse për 3 ose 4 muaj nuk kontrollohet dhe shkon me një recetë blen barna. Më problematik mbeten antibiotikët (përdorimi). Mendoj se kjo çështje do të rregullohet me fillimin e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore. Nëse një pacient dëshiron antibiotik dhe farmacisti nuk ia shet, ai shkon në një barnatore tjetër, dhe kjo është ajo konkurrenca që u humb pacientët, pasi që nuk është e rregulluar me ligj", vlerëson Caka.

Ndryshe, edhe Arianit Jakupi, ushtrues detyre i kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, më 9 maj të 2014-s, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se futja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë të obligueshëm respektimin e shitjes së barnave me recetë, sepse pacientit nuk mund t’i rimbursohen barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet dhe recetën e barnave.

“Me fillimin e zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, ne nuk do ta unifikojmë vetëm çmimin e barnave, por edhe rregullimin e sistemit të referimit të pacientëve, pra kemi kontroll të vendosjes së recetës dhe barnave narkotike. Nuk mund të ketë asnjë mënyrë të shkëputjes së këtij zinxhiri”, kishte deklaruar Jakupi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG