Një vit dinamik në Shqipëri

Tirana

Viti i parë i qeverisjes socialiste, ka qenë i mbushur me ngjarje që u pasqyruan në rrafshin politik, ekonomik e social të vendit.

Vizita e Papa Françeskut

Në 21 shtator Tiranën e vizitoi Papa Françesku, i cili e nisi turin e tij evropian nga Shqipëria. Vizita e Papa Franceskut u ndoq me vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare. 53 gazetarë shoqëronin Papa Franceskun gjatë vizitës në Tiranë.

Papa u prit nga të gjithë personalitet më të larta të vendit, dhe mbajti meshën e së dielës nga sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë.

Mesazhi që Papa Francesku la për shqiptarët gjatë vizitës së tij ishte : “Erdha për t’iu inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj të mbajë gjithmonë shpresën tek Zoti që nuk zhgënjen e qëndron pranë në momente të vështira”.

Vizita e Papa Franceskut është e dyta e një Pape në Shqipëri. Në 25 prill të vitit 1993, Shqipëria u vizitua nga Papa Gjon Pali i II-të.

Vizita e Ramës në Beograd

“Pavarësia e Kosovës është një realitet I pa tjetërsueshëm”. Ishte kjo fjalia që kryeministri shqiptar Edi Rama tha gjatë vizitës së tij në Beograd në 10 nëntor të këtij viti.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiq dhe i gjithë opinioni në Serbi, reaguan duke e quajtur një provokim të hapur deklaratën e kryeministrit shqiptar për pavarësinë e Kosovës. Megjithatë vizita dy ditore e kryeministri Rama vazhdoi normalisht, duke u përmbyllur me një tubim në Luginën e Preshevës, banorët e së cilës për herë të parë, patën mundësinë të vizitoheshin nga një kryeministër i Shqipërisë.

Vizita e kryeministrit Rama në Beograd, e planifikuar për në fund të muajit tetor, u shtye për shkak të ngjarjeve të ndodhura në stadiumin “Partizani” të Beogradit, në 14 tetor, ku ndeshja Serbi – Shqipëri e vlefshme për eliminatorët e Euro 2016, u ndërpre si pasojë e dhunës së ushtruar në fushë ndaj lojtarëve shqiptar.

UEFA ka dënuar Shqipërinë me heqjen e tre pikëve për këtë ndeshje, ndërsa Serbinë duke i hequr 3 pikë në klasifikimin e përgjithshëm. Federata Shqiptare e Futbollit e ka apeluar cështjen.

Aksioni në Lazarat

Për herë të parë mbas thuajse dy dekadash, policia e shtetit mori nën kontroll të gjithë terrirtorin e fshatit Lazarat në jug të Shqipërisë, i njohur jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë saj për kultivimin dhe tregëtimin e bimëve narkotike. Heqja e Lazaratit nga harta e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, u mbështet si rrallëherë edhe nga opozita në vend, si dhe pati inkurajimin politik e mediatik ndërkombëtar.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan 14 persona . Procesi gjyqësor ndaj tyre vazhdon.

Vjedhja e Bankës së Shqipërisë, arrestimi i guvernatorit Fullani

Në muajin korrik, u zbulua se në degën e Thesarit të Bankës së Shqipërisë, ishin vjedhur 713 milion lekë. Fillimisht u arrestuan 9 persona, mes tyre Ardian Bitraj, i cili mori përsipër autorësinë e vjedhjes së kësaj shume.

Por mbas disa muajsh hetimesh, dosja e prokurorisë kulmoi në 5 shtator me arrestimin e Guvernatorit të Bankës, Ardian Fullani dhe Kryeinspektores së Bankës Elivar Golemi.

Mbas disa seancave gjyqësore, gjykata vendosi ndryshimin e masës së ndalimit. Për ta u vu masa “detyrim paraqitje”. Mbas shkarkimit të z. Fullani nga posti i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, duket se emërimi i guvernatorit të ri do të jetë detyra e parë e parlamentit dhe presidentit të vendit për vitin 2015.

Ndërkohë, marrëdhënia politike mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri ka patur ulje e ngritje të mëdha.

Opozita u largua nga parlamenti në muajin korrik, nisur nga dhuna e ushtruar ndaj deputetit Gent Strazimiri, nga dy deputetë socialist.

Por, u desh ndërhyrja e dy eurodeputetëve Knut Fleckenstine dhe Eduard Kukan, të cilët propozuan një projekt rezolutë me 4 pika, e cila kthente opozitën në kuvend. Politika shqiptare u dakordua për këtë rezolutë, dhe në seancën e fundit plenare të këtij viti opozita hyri në parlamnet.

Megjithatë mosmarrëveshjet mes dy palëve në lidhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, reformën territoriale si dhe zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 21 qershorit që bazohet në këtë reformë, mbetën të pazgjidhura në vitin 2014.