Ndërlidhjet

Vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, historike


Mijëra shqiptarë përshëndesin Papa Françeskun
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:37 0:00

Mijëra shqiptarë përshëndesin Papa Françeskun

“Nënë Tereza është bijë e madhe e këtyre trojeve. Paqe në shtëpitë tuaja!”, kështu është lutur Papa Françesku në Tiranë.

Në vizitën e tij të parë në Evropë, nga sheshi me emrin e shqiptares Nënë Tereza, mes tjerash Papa u është drejtuar shqiptarëve dhe të pranishmëve të tjerë me fjalët:

“Erdha për t’iu inkurajuar që të rritet shpresa brenda dhe mes jush. Uroj që shqiponja që keni në flamurin tuaj, të mbajë gjithmonë shpresën te Zoti që nuk zhgënjen e qëndron pranë në momente të vështira”.

Papa Françesku, gjithashtu ka falënderuar Kishën shqiptare që i mbijetoi regjimit komunist dhe është lutur për paqe.

Si rrallë herë, me qindra mijëra besimtarë, të krishterë e myslimanë, kishin mbushur që në orët e para të mëngjesit bulevardin qendror të Tiranës, për të pritur Papa Françeskun.

Ka pasur një pjesëmarrje të madhe besimtarësh nga Kosova, Mali i Zi, Italia, Zvicra e SHBA-ja.

Papa Françesku, i hipur në makinën e hapur të sjellë nga Vatikani, përshkoi gjithë Bulevardin e Tiranës, duke përshëndetur të gjithë besimtarët që kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit përgjatë sheshit qendror për të përshëndetur Papa Françeskun.

Në nisje të Meshës së Shenjtë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha, i ka ndarë Papa Françeskut titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” e në shenjë simbolike, i ka dhuruar Çelësin e Tiranës.

Më herët, gjatë takimit në Presidencë me presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, Papa Françesku ka vlerësuar harmoninë fetare të shqiptarëve ndër shekuj, që, sipas tij, është vlerë e prekshme dhe e praktikueshme.

Papa Françesku ka përmendur në fjalën e tij edhe çështjen e globalizimit dhe ndryshimeve ekonomike e sociale pas rënies së komunizmit.

“Globalizimi i tregjeve duhet t’i përgjigjet edhe globalizimit të solidaritetit”, duke e përmbyllur fjalën e tij në Presidencë me një lutje për Shqipërinë.

“I uroj Shqipërisë të ketë mbrojtjen e Marisë së shenjtë dhe që Zoti t’i japë Shqipërisë gjithë mirësinë e tij!”, është shprehur ai.

Ndërsa, presidenti Bujar Nishani, ndër të tjera ka thënë:

“Ne i jemi lutur Zotit, me mënyra te ndryshme. Kemi harmoni e barazi të plotë të komuniteteve fetare të garantuar nga Kushtetuta e shtetit tonë laik”.

Vizita e Papa Françeskut e cila përfundon në orët e mbrëmjes të së dielës, është ndjekur më vëmendje edhe nga mediat ndërkombëtare. Papa Françeskun e shoqëronin 53 gazetarë gjatë vizitës në Tiranë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG