Qytetarët skeptikë për vitin 2015

Prishtina

Pritjet për vitin 2015 janë të shumta, për zhvillim dhe përparim në fusha të ndryshme, por, duke marrë parasysh zhvillimet e deritashme në vend, vështirë se ato mund të realizohen, vlerësojnë disa qytetarë shqiptarë dhe serb të Kosovës.

Disa qytetarë të Prishtinës, thonë se ka mjaft për t'u bërë gjatë vitit 2015, por, sipas tyre, shumica e gjërave do të varen nga mënyra se si politikanët e menaxhojnë vendin, por edhe parakushtet tjera për zhvillim.

Martina Dedaj - Kqira nga Prishtina, thotë se pritjet për vitin 2015 janë që fokusi i gjithë shoqërisë të jetë përmirësimi i kushteve të jetesës në vend.

“Pritjet për 2015 mendoj që janë që të kemi sa më shumë hapësirë, që rinia të ketë sa më shumë hapësirë, të ndalet migrimi i popullsisë. Të jetë një gjendje stabile dhe gjithashtu edhe shoqëria civile të ketë hapësirë sa më shumë të intervenoj me kritikat e veta, në qoftë se qeveria ka gabime, në mënyrë që në të ardhmen të fokusohemi te shtresat sociale, në arsim të ketë sa më shumë trajtim adekuat, në shëndetësi gjithashtu, si dhe punësim”, ka shtuar ajo.

Qerim Kadiri, mësimdhënës, pret që në vitin 2015 të jetë reforma, siç i quan ai, të shëndosha, në arsim.

“Mbi të gjitha, unë shpresoj që ashtu sikurse të gjitha vendet në ecje përpara që i kushtohen arsimit, edhe unë, jo vetëm pse i takoj kësaj fushe, po shpresoj që arsimi do të ketë vëmendje më të madhe. Viti 2015 le të jetë viti i shpresave edhe pse, prap, këtu jam me rezerva”.

Fetije Berisha, punon në gastronomi. Pritjet e saja për vitin e ardhshëm janë të shumta, sikurse ndalimi i migrimit i të rinjve, hapja e më shumë vendeve të punës, si dhe të sundoj rendi e ligji. Por, ajo shpreh mendimin se të gjitha këto varen nga politikanët.

“Duke e pasur parasysh situatën që është në Kosovë, ishalla përmirësohen këta parlamentarët tonë dhe merren vesh në mes vete, po ashtu edhe qeveria, që të mos heqim ne, populli, shkaku i tyre”.

Megjithatë, disa qytetarë e presin me mjaft pesimizëm vitin 2015. Sipas tyre,

Can Gashi, një i ri nga Prishtina, thotë se nuk pret që gjatë vitit 2015 të ketë ndonjë përparim në Kosovë.

“Diçka të mirë... agjë. Vetëm shiko qeverinë... shikoje se çfarë qeverie kemi dhe s’ke pse e zgjat më tepër fare”.

Artan Dragusha, po ashtu një i ri nga Prishtina, thotë se pritjet e qytetarëve nuk janë në përputhje me realitetin, i cili bazohet në përvojën e deritashme.

“Tash, ishalla ka punësim ma shumë, të zbatohet ligji më shumë dhe të ketë korrupsion më pak, por nuk besoj. Siç po shihet, dita ditës po bëhet më keq. Shpresat humbin të fundit, por... të shohim”.

Në anën tjetër, pritje të ngjashme kanë edhe qytetarët serb të Mitrovicës së veriut. Milija Petroviq, pensionist, pret që në vitin 2015 të mbretëroj paqja për të gjithë.

“Për vitin 2015, unë do të dëshiroja për të gjithë, pavarësisht besimit dhe kombit të tyre, që të ketë paqe, të ketë pajtim, të ketë respektim të njëri tjetrit dhe një jetë më e mirë në familje, fqinjësi dhe gjithandej”, theksoi Petroviq.

Jovana Nikoliq është një e re nga Mitrovica e veriut. Ajo, po ashtu, pret që qyteti i saj të jetë më i bukur, më i qetë dhe më i sigurtë.

“Dëshiroj që vitin e ardhshëm ta zbukurojnë qytetin tim. Përveç kësaj dëshiroj që të ketë paqe, të mos ketë aq shumë rrahje dhe zënka”, tha Nikoliq.

Vladimir Dimiq, gjithashtu shpreson për një vit më të mbarë, por sipas tij, vështirë se kjo mund të ndodhë.

“Pres që të bëhet më mirë. Por, të gjitha këto janë vetëm shpresat tona. Se a do të bëhet më mirë ose jo, kjo është vështirë të parashikohet”.