Hetime kundër 130 personave për terrorizëm

Konferenca rajonale “Sfidat në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe bashkëpunimi me Evropën jug-lindore”.

Asnjë vend nuk është i paprekshëm dhe i pacenueshëm nga trendet e fundit të radikalizmit dhe ekstremizmit, prandaj lufta kundër këtyre të këqijave që po cenojnë sigurinë kolektive, duhet të jetë luftë e përbashkët.

Kështu deklaroi Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, në konferencën rajonale e cila po mbahet në Prishtinë, “Sfidat në luftimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe bashkëpunimi me Evropën jug-lindore”.

“Krimi nuk njeh kufij e as madhësi shtetesh. Secili vend i rajonit sot ballafaqohet me probleme serioze të trashëguara qoftë nga tranzicioni, qoftë nga mangësitë profesionale e ligjore, të cilat po e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin tonë për ta parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, dhe tash së fundi edhe kërcënimin terrorist që po e rrezikon sigurinë kombëtare të vendeve tona", tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga theksoi se gatishmëria e vendeve të rajonit për të bashkëpunuar, do të përcaktojë shpejtësinë me të cilën rajoni do të ecë drejt integrimeve evropiane.

“Ne kemi përqafuar vlerat progresive që përkojnë me aspiratat tona euroatlantike dhe çdo dështim në këtë luftë do të jetë kthim prapa për popujt tanë”, ka deklaruar presidentja Jahjaga.

Ajo tha se përtej vullnetit politik, sot nevojitet një bashkëpunim konkret ndërmjet strukturave të sigurisë, me qëllim që përgjigja të jetë e plotë dhe efektive.

Kurse, ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, ka deklaruar se krimi i organizuar dhe terrorizmi në Kosovë është duke shënuar rritje deri në atë masë, sa është duke ndikuar edhe ne jetën dhe mirëqenien e njerëzve.

“Në vitin 2013, janë shkatërruar gjithsej 61 grupe kriminale. Ndërsa në vitin 2014 deri ne muajin nëntor janë shkatërruar 45 grupe kriminale që kanë vepruar jo vetëm në Kosovë, por edhe me gjerë. Si rezultat i këtyre operacioneve një numër i madh i personave janë arrestuar dhe janë vënë para organeve të drejtësisë".

"Mbi bazën e bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve ne mes të prokurorit të shtetit dhe policisë, Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetime kundër 130 personave për terrorizëm”, tha Hoxha.

Hoxha ka theksuar po ashtu se jemi dëshmitar të kohës se grupet e organizuara kriminale dhe kryesit e veprave penale terroriste, janë duke demonstruar, siç u shpreh, “aftësi të jashtëzakonshme në realizimin e qëllimeve të tyre”.

Tracey Ann Jacobson, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë se terrorizmi nuk është problem vetëm i Kosovës, por është problem ndërkombëtar.

“Bashkëpunimi rajonal është çelësi i suksesit kundër luftimit ndaj krimit të organizuar. Viteve të fundit kemi një përparim në luftën kundër krimit të organizuar, por ende mbetet punë. Krimi i organizuar nuk njeh kufij, në fakt dua të them se kriminelet i përdorin kufijtë për te mirën e tyre".

"Është e rëndësishme që të gjithë të punojnë për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizimit. Adresimi i këtyre kërcënimeve kërkon përkushtim, dhe bashkëpunim dhe dëshiroj që të theksoj se Shtetet e Bashkuara i marrin këto kërcënime ndaj Ballkanit si shumë serioze, dhe jemi të përkushtuar për të ndihmuar”, tha Jacobson.

Në ketë konferencë po marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ata të Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi.

Edhe ministri në largim i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi, tha se institucionet e Kosovës janë duke punuar në identifikimin dhe parandalimin e personave që kanë tendencë në ngritjen grupeve dhe pjesëmarrjen në veprime terroristet.

“Duhet të distancohemi nga ideologjitë terroriste dhe në ketë mënyrë të ndihmojmë në parandalimin e veprimeve të tilla, per bashkëngjitje në grupe të armatosura siç është ISIS dhe të tjera. Ne do të vazhdojmë si Qeveri e Kosovës të garantojmë ushtrimin e plotë të lirive fetare, por për aq sa ato nuk e prekin sekularizmin e shtetit tonë. Sfidë tjeter paraqet identifikimi i personave e rrjeteve dhe grupeve transitore, që mund të shfrytëzojnë vendin tonë për të kryer vepra të tilla kriminale apo për te përmbushur qëllimet e tyre”, tha Kuci.

Kurse, Ministri në largim i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, tha se pavarësisht nga shumë hapa të ndërmarrur deri tani, rajoni ende përballet me sfida në luftimin e këtyre dukurive, dhe veçanërisht kur është fjala për kërcënime terroriste.

"Ne si rajon ende ballafaqohemi me sfidat e luftimit të ketyre fenomeneve dhe ne veçanti të kërcënimeve terroriste, si pasojë e konflikteve në Lindje të Mesme dhe rritjes së frymës radikaliste islame. Sa i takon luftimit të krimit të organizuar, është detyrë e tërë rajonit të ballkanit perëndimor që të ndryshojmë termin rruga Ballkanike, i cili perdoret nga agjencitë ndërkombëtare për zbatim të ligjit dhe të përshkruaj rajonin tonë si njërin ndër kanalet kryesore të krimit të organizuar dhe trafiqeve të ndryshme", tha ai.

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Thomas Gnocchi, tha se BE-ja ne vazhdimësi e mbështet Ballkanin perëndimor ne përpjekjet që ky rajon të ndaloj që të ketë rolin e transitit ose të jetë qendër logjistike për grupet te tilla.

“Edhe pse kërcënimi nga terrorizimi ne evropen jug-lindore është i njohur, ngjarjet e fundit lidhur me radikalizmin dhe grupet ekstreme, jane shqetësuese. Për kapacitetet për pengimin e radikalizmit, përfshirë edhe masat adekuate për pjesëmarre në konflikte", tha Gnochi.

Në këtë konferencë që u organizua nga Kryeprokuroria e Shtetit, po marrin pjesë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, ata të Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi.

Konferenca do të vazhdoj punimet edhe neser.