Kuadro të pakualifikuara për tregun e punës

Ilustrim

Pavarësisht numrit të madh të të papunëve, bizneset në Kosovë ankohen se në shumë raste nuk arrijnë të gjejnë punëtorë të përgatitur mirë që mund të kryejnë një punë e cila iu caktohet nga punëdhënësi.

Bashkëpronari i kompanisë “Baker Tilly", Lekë Musa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kritikon sistemin arsimor në Kosovë, që sipas tij, nuk është reformuar për shumë vite dhe nuk ka arritur të ofrojë cilësi të duhur dhe të përgatit kuadro përtregun e punës.

“Ekziston një problem me ndërlidhjen direket që duhet të jetë ndërmjet sistemit arsimor, sidomos kur bëhet fjale për Universitetet, shkollat profesionale me kërkesat dhe nevojat e kohës që janë të domosdoshme për ekonominë në vend”, thekson Musa.

Në Kosovë më së shumti thuhet se mungojnë inxhinier të profileve të ndryshme, profesionistë me përvojë pune në fushën e telekomunikacionit, kibernetikës, energjisë dhe në disa lëmi tjera.

Lekë Musa tregon se përveç bizneseve vendore që ballafaqohen më mungesë të njerëzve të pa përgatitur për një punë, një problem të tillë e kanë hasur edhe kompanitë e huaja të cilat kanë investuar kapitalin e tyre në Kosovë.

“Shumë punë që është dashur të kryhen në ndërtimin e Terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës është dashur që të vjen fuqi punëtore nga Turqia për arsye se fuqia punëtore në Kosovë nuk e ka pasur specializimin e duhur”, shton Musa.

Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i punëkërkuesve, të cilët janë të regjistruar në zyrat e punësimit, është rreth 350 mijë, ndërsa të punësuar llogariten të jenë mbi 400 mijë qytetarë.

Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë, e cila arrin në mbi 30 për qind, sipas përfaqësuesve të biznesit, është edhe si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore të përgatitur mire dhe të profesionalizuar.

Drejtori i Instituti për Hulumtime të Avancuara, Agron Demi vlerëson se sistemi arsimor në Kosovë nuk po arrin të përgatisë kuadro të reja për punë profesionale, siç janë inxhinierët.

“Shumë biznese e përmendin këtë problem që e kanë të vështirë të gjejnë forcë të kualifikuar punëtore për lloje të caktuara të bizneseve, madje edhe në një ekonomi më bazë të shërbimeve prapë se prapë ka vështirësi në gjetjen e kuadrove”, shton Demi.

Ai thekson se në mungesë të përgatitjes së duhur arsimore të të rinjve, në një të ardhme të afërt ndërmarrjet publike në Kosovë, do të ballafaqohen me mungesë të stafit profesional.

“Në kuadër të Institutit GAP jemi duke bërë një hulumtim për funksionimin e ndërmarrjeve publike dhe del që pjesa më e madhe e të punësuarve në ndërmarrjetpublike është mbi 50 vjeç dhe një prej shqetësimeve të kryeshefëve të cilët janë intervistuar është se çka do të bëhet më një staf profesional kur ata do të dalin në pension dhe janë duke u frikësuar se ata nuk do të arrijnë t’i zëvendësojnë me gjeneratat e reja”, tregon Demi.

Ndryshe, organizatat ekonomike në Kosova kohë më parë kishin kërkuar që numri i madh i qytetarëve, të cilët janë të papunë, të arsimohen apo të trajnohen, pasi që në të kundërtën, krijimi i vendeve të reja të punës për këtë kategori do të mund të bëhet vetëm në nivelin e punëve fizike.