Profesione nga më të ndryshme kanë zgjedhur disa të rinj në Kosovë, për të studiuar, me qëllim që pas përfundimit të studimeve, më lehtë të arrijnë te ndonjë vend i punës.
Disa nga të rinjtë theksojnë se janë munduar që përzgjedhjen e profesioneve, të cilat edhe i dëshirojnë, ta bëjnë në bazë të kërkesave edhe në tregun e punës.
Në rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë kemi marrë mendimet e disa të rinjve, për profesionet e preferuara të tyre.
Sipas tyre, janë në rritje kërkesat për profesionet që i takojnë teknologjisë. Sektori privat ka mungesë të punëtorëve për menaxhimin e kompjuterëve, por edhe makinerive dhe pajisjeve të sofistikuara teknologjike.
Për këtë arsye, Shqipërim Danoza thotë se ka zgjedhur të studiojë Shkencat Kompjuterike në Kolegjin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë.
Ai tashmë është në vitin e tretë të studimeve dhe njëkohësisht punon edhe si kamerier për t’i mbuluar shpenzimet e nevojshme për studime.
“Më pëlqen ai drejtim, jo që ma kanë imponuar prindërit apo dikush tjetër, por sipas preferencës sime kam shkuar aty. Më pëlqen shumë ky drejtim. Dëshiroj telekomunikacionin aty. Edhe në këtë drejtim ka konkurrencë të madhe, por me punë duhet të arrihet deri te vendi i punës”, thotë Shqipërimi.
Shkencat Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” i studion edhe Rilind Povataj, nga komuna e Deçanit, i cili po ashtu është në vitin e tretë.
“Profesionin që e dua jam duke e studiuar, Shkencat Kompjuterike, dhe dëshiroj t’i përfundoj sa më shpejt dhe të punësohem në drejtimin tim. Shpresoj të gjej ndonjë punë, duhet të gjendem disi në tregun e punës, ose alternativa e fundit është që të largohem nga Kosova”, thotë Rilindi.
Është e vështirë të parashihet me saktësi se cilat profesione do të jenë më të kërkuarat në tregun e Kosovës, thotë Arlida Feka, studente në vitin e dytë në Departamentin e Psikologjisë, në Fakultetin Filozofik. Megjithatë, ajo thotë se ka zgjedhur profesionin e preferuar.
“Si psikologe, nëse mundësohet nga autoritetet kompetente që të punësohen nëpër shkolla psikologë, do të ishte shumë mirë, do të ketë më shumë vende të punës dhe nuk do të ishte rrezik për të gjetur punë. Të ardhmes nuk i dihet, synimi im është që ta përfundoj Psikologjinë”, shprehet Arlinda.
Dëshira e mëdha për t’u marrë me çështjet kriminalistike, ka shtyrë të riun nga Rahoveci Bilbil Korenica, që të studiojë Degën e Kriminalistikës në Kolegjin Privat “ Fama” në Prishtinë. Ai është student në vitin e tretë në këtë drejtim dhe njëherësh punon në sektorin privat.
“Dëshiroj të punoj në drejtim të Kriminalistikës. Më ka pëlqyer gjithmonë ky drejtim dhe kam vendosur në mënyrë personale. Pak po më merr kohë, se është edhe pagesa, duhet të punoj njëkohësisht, por shumë mirë. Pasi po më pëlqen, jam duke bërë maksimumin që ta përfundoj”, tregon Bilbili.
Besa, një e re tjetër nga Prishtina, ka punuar si mami në institucionet shëndetësore, pasi e preferon këtë profesion. Por, aktualisht ka ndërprerë punën, për shkak se ka vazhduar studimet në këtë drejtim.
“Unë tash jam mami, isha punësuar shumë lehtë, por tani e kam lënë, pasi jam angazhuar në fakultet dhe dua të diplomohem, si dhe përgatitja e temës së diplomës më merr kohë. Edhe shkollën e mesme e kam përfunduar për mami, pastaj kam dashur të vazhdoj edhe studimet”, thotë Besa.
Sidoqoftë, dëshira dhe profesioni i preferuar i të rinjve mund të ndryshojë. Ata të cilët fillojnë studimet, dinë se çka do të studiojnë, pasi kanë zgjidhur profesionin e dëshiruar.
Kurse, krejt e kundërta ndodh me ata që përfundojnë studimet universitare, pasi në mungesë të vendeve të lira të punës, ata detyrohen t’i anashkalojnë profesionet e tyre të dëshiruara dhe të punojnë punë nga më të ndryshmet, vetëm për të siguruar një pagë.
Vigan Sylejmani, nga Gjilani, student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, thotë se gjithmonë e ka dashur artin, por e quan fat regjistrimin në Fakultetin Juridik.
Duke pasur parasysh konkurrencën e madhe në këtë drejtim, Vigani thotë se pas studimeve, nëse s’do te gjente punë në drejtimin e tij, do të pranonte të punonte punë nga më të ndryshmet:
“Më shumë kam pasur dëshirë të studioj për arte, por kur erdha në Prishtina, fati deshi që të regjistrohem dhe të studioj drejtësinë. Nuk e kam problem të punoj punë të ndryshme pas studimeve, nëse nuk arrij të punësohem”.
Ndryshe, Kosova gjeneron shumë pak vende pune dhe për rrjedhojë, konkurrenca për ato vende pune është e ashpër.
Faktorë me rëndësi që ndikojnë në garën e kërkimit për punë janë, pa dyshim, niveli i arsimimit, shkathtësitë specifike për punë specifike, si dhe vetë profesioni.