Kuvendi i Kosovës pritet që përfundimisht të vazhdojë seancën konstituive më 8 dhjetor, kur në rend të ditës do të jetë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni.
Data 8 dhjetor, është propozuar nga liderët e dy partive të koalicionit, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në takimin e mbajtur me Presidenten Atifete Jahjaga, të martën mbrëma.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka kërkuar edhe të mërkurën që partitë politike të mos vonojnë tutje dhe të konstituojnë sa më shpejt institucionet e reja.
Jahjaga ka kërkuar që qeveria e re, ndër prioritetet e para të adresojë me urgjencë edhe çështjen e largimit të qytetarëve të Kosovës jashtë vendit.
"Na duhet ndërtimi më i shpejtë i institucioneve tona, të qëndrueshme, përfshirëse dhe të përgjegjshme. Për ta përmbushur premtimin përpara qytetarëve tanë për një Kosovë më ndryshe, më të zhvilluar dhe më të përparuar, prej së cilës nuk do të ikin rrugës së pasigurt, në kërkim të pashpresë të një jete më të mirë diku tjetër", ka deklaruar Jahjaga.
Liderët e PDK-së dhe LDK-së, Hashim Thaçi e Isa Mustafa kanë kërkuar që 8 dhjetori të jetë data kur do të mblidhet Kuvendi, në mënyrë që deri atëherë partitë e koalicionit të harmonizojnë programin qeverisë dhe të ndajnë pozitat udhëheqëse të institucioneve dhe resorëve ministror në qeveri.
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, njëherësh kryeministër në largim, ka thënë se grupet punuese të dyja partive po i harmonizojnë çështjet e nevojshme para se qeveria e re të kërkojë miratimin e Kuvendit.
"Takimet e grupeve punuese vazhdojnë, si për çështje të implementimit të marrëveshjes ashtu edhe për harmonizimin e programit të ardhshëm katër vjeçar qeverisës ndërmjet PDK-së, LDK-së por edhe komuniteteve që do të bashkangjiten", ka theksuar Thaçi.
Deri më 8 dhjetor, Thaçi dhe Mustafa pritet të intensifikojnë negociatat edhe me Listën Serbe dhe partitë e komuniteteve tjera në Kuvend, në mënyrë që edhe ato të marrin pjesë në qeveri.
Kryetari i Listës Serbe për Kosovën, Aleksandar Jablanoviq, ka thënë se përfshirja e këtij subjekti politik në qeverinë e re do t'i kenë edhe disa parakushte që liderët e koalicionit do të duhet t'i përfillin.
"Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, kthimi i qëndrueshëm i personave të shpërngulur, për çka është formuar edhe Ministria për Kthim e Komunitete, pastaj që të mundësohet kthimi i pronës së Kishës Ortodokse Serbe si dhe të anulohet privatizimi i ndërmarrjeve në mjediset ku jetojnë serbët", janë kushtet që sipas Jablanoviqit do ta mundësonin që Lista Serbe të hynte në qeverinë e re të Kosovës.
Varësisht numrit të ministrive, komuniteti serb dhe ato jo serbe mund të marrin nën drejtim nga një apo edhe dy ministri dhe poste tjera nën ministrore.
Seanca e 8 dhjetorit, pritet që përfundimisht t'i japë fund krizës rreth formimit të institucioneve të reja.
Pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, pritet që PDK dhe LDK me mandatin e presidentes, të kërkojnë edhe miratimin e Kuvendit për kryeministrin dhe qeverinë e re të Kosovës.